E Shtunë, 31 Tetor 2026

KQZ-ja vendos numërimin e 5 kutive në Fier

Ende nuk është marrë në shqyrtim numërimi për KZAZ-në Nr. 20

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve vendosi dje numërimin e pesë kutive, të cilat u përkasin dy KZAZ-ve të qarkut të Fierit. KQZ-ja miratoi në mbledhjen e djeshme, me 7 vota pro, rinumërimin e kutisë numër 3116 dhe me 6 vota pro e një kundër kutinë numër 3122 të KZAZ-së Nr. 19. Gjithashtu, me 7 vota pro u pranua të numërohet edhe QV-ja Nr. 3027 në KZAZ-në Nr. 18 në Fier. KQZ-ja përfundoi kështu numërimin për KZAZ-në Nr. 18 në Fier, duke pranuar që të rinumërohen 3 QV: 3006, 30017 e 3027 në këtë qytet.
KQZ-ja ka nisur dje pasdite shqyrtimin e kërkesave ankimore të paraqitura nga Partia Socialiste dhe Partia Demokratike, që kundërshtojnë vendimet për tabelat e rezultateve zgjedhore në disa KZAZ të qarkut të Fierit. Ankesat e dy forcave politike, meqë kanë objekt të njëjtë, u shqyrtuan së bashku. Kërkesa ankimore e PS-së, e depozituar më herët se ajo e PD-së në KQZ, kundërshton rezultatet zgjedhore në katër KZAZ të këtij qarku (ato me numër 18, 19, 20 dhe 22), duke u shprehur për rinumërim të 9 kutive të votimit. Kurse ankimimi i paraqitur nga PD-ja në mbledhjen e djeshme të Komisionit kundërshton tabelën e rezultateve përmbledhëse të KZAZ-së Nr. 19 dhe 20 në qarkun Fier, duke kërkuar rivlerësim dhe rinumërim të votave. Sipas rezultateve paraprake të KQZ-së, në zgjedhjet e 28 qershorit, në qarkun e Fierit koalicioni i djathtë "Aleanca e ndryshimit" fitoi 7 mandate, koalicioni i majtë "Bashkimi për ndryshim" 8 mandate dhe koalicioni "Aleanca socialiste për integrim" 1 mandat. PD-ja shpreson se në kutitë e mbetura ka numëruar në KZAZ-të me numër 18, 19, 20 dhe 22 mund të fitojë mandatin e nëntë në qarkun e Fierit.
Problemet
Për tri ditë me radhë, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve nuk e ka shqyrtuar ankimimin e PS-së për numërimin e 9 kutive të qarkut të Fierit. Shkak për këtë është bërë depozitimi në momentet e fundit i kërkesës së Partisë Demokratike për ankimimin e rezultatit në qarkun e Fierit, veçanërisht të dy KZAZ-ve, të KZAZ-së Nr. 19 dhe asaj 20. Për shkak se ankimimi i PD-së kishte pothuajse objekt të njëjtë me ankimimin e socialistëve, u kërkua që të dyja kërkesat të shqyrtoheshin bashkë. Nga ana tjetër, socialistët në Komision u shprehën që KQZ-ja të fillonte shqyrtimin e ankimimit të PS-së për numërimin e kutive dhe më pas të bashkonte dy kërkesat që kishin lidhje me tabelat përmbledhëse të dy KZAZ-ve. Por, me shumicë votash, KQZ-ja vendosi bashkimin e kërkesave ankimore të demokratëve dhe socialistëve në lidhje me rezultatin e zgjedhjeve të 28 qershorit në qarkun e Fierit. Kështu, KQZ-ja do të vijojë me shqyrtimin e kërkesave të bashkuara. Sipas kreut të KQZ-së, kërkesat kanë kundërshtime të njëjta dhe ligji parashikon bashkimin e ankimimeve. Për shkak se në Kodin Zgjedhor parashikohet se duhet të kalojë një afat prej 24 orësh për shqyrtimin e një ankimimi, u shty shqyrtimi i tyre për mbledhjen e djeshme. Përfaqësuesi i PS-së në KQZ, Genci Gjonçaj, u shpreh se KQZ-ja po zvarrit hapjen e kutive të Fierit, kërkesë e vazhdueshme nga Partia Socialiste, e cila pretendon se në këto kuti ajo mund të fitojë mandatin e 9-të të deputetit në këtë qark.
Debati

Fati i kutive të Fierit u shty të premten edhe për 24 orë, për t‘u diskutuar pasditen e djeshme në orën 17:00. Kryetari i KQZ-së, Arben Ristani, theksoi në mbledhje se "dy ankesat kërkojnë nga KQZ-ja miratimin e tabelës së rezultateve. Ashtu si ankimimi i PS-së, edhe kërkesa ankimore numër 25 e PD-së ka kundërshtimin e vendimit të KZAZ-së Nr. 19 e KZAZ-së Nr. 20 dhe kërkoi që ato të bashkohen dhe mbledhja të shtyhet për të shtunën". Kundërpërgjigjja e nënkryetares së KQZ-së, Dëshira Subashi, ka qenë e menjëhershme, e cila, duke interpretuar Nenin 132 të Kodit Zgjedhor, bëri me dije se çështjet mund të bashkohen edhe gjatë gjykimit, duke i mëshuar fort faktit që të shqyrtohet si fillim kërkesa ankimore e PS-së për KZAZ-në Nr. 18. Ky sugjerim u rrëzua nga kryetari i KQZ-së, i cili hodhi menjëherë në votim bashkimin e dy kërkesave, të Partisë Socialiste dhe Partisë Demokratike, të cilat shtynë edhe për një ditë rezultatin e votave për Fierin. Përfaqësuesi i Partisë Socialiste, Genci Gjonçaj, kërkoi të premten nga kryetari i KQZ-së, Arben Ristani, të "luajë" me karta të hapura për të qenë më i qartë për të gjitha palët për vendimin e shtyrjes së kërkesës së PS-së për ankimimin në Fier. "Çështja duhet të përfundojë sa më shpejt. Na e thoni troç se cili është interesi i KQZ-së për këtë çështje? Vota është në kuti dhe hajde ta nxjerrim e ta numërojmë", - tha Gjonçaj, i cili mori si përgjigje nga kryetari Ristani se "do të zbatojmë ligjin një më një".

Kutitë e Fierit u bllokuan 48 orë në KZAZ-në Nr. 20

Si u bllokuan kutitë e votimit dhe revolta e militantëve socialistë

Pas 48 orësh situate tensioni dhe stanjacioni, tri kutitë e famshme të Fierit mbërritën në datën 2 korrik në Tiranë, në pritje të një verdikti për fatin e tyre, që nisi të dukej vetëm dje pasdite në mbledhjen e KQZ-së. Këto kuti u bënë objekt për tensionimin e situatës pranë KZAZ-së Nr. 20 në Fier gjatë orëve të mbrëmjes së datës 1 korrik, ndërsa tensioni kishte nisur që 48 orë më parë. Ngërçi i krijuar u zgjidh me ndërhyrjen e përfaqësuesve ndërkombëtarë që dolën garant për sigurinë e kutive gjatë transportimit, duke mohuar numërimin e tyre në KZAZ-në Nr. 20. Komisionerët e Partisë Demokratike pretendonin se 3 kutitë kishin probleme teknike dhe ishin të papranueshme për një proces normal. Ky fakt i irritoi kandidatët dhe përfaqësuesit e PS-së në këtë proces, të cilët e kontestuan këtë vendim dhe kërkuan rinumërim të kutive dhe vlerësim të rezultateve. Simpatizantë të PS-së, kandidatë e përfaqësues të saj ishin mbledhur pranë KZAZ-së dhe nuk lejonin transportimin në KQZ me frikën se do mund të kishte manipulime nga ana e qeverisë.
Mbledhja
Komisioni Qendror Zgjedhor u detyrua të mblidhej urgjentisht në orën 01:00 të mëngjesit të datës 1 korrik, për të gjetur një zgjidhje për situatën. Me shumicë votash anëtarët e propozuar nga PD-ja në këtë institucion vendosën që fletët e votimit të tri kutive të komunës Libofshë të transportoheshin drejt KQZ-së për t’u numëruar, në shoqërimin e forcave të Policisë së Shtetit.
Përplasjet
Gjithë problemet nisën mëngjesin e datës 1 korrik, kur komisionerët demokratë ndërprenë gjithë punën dhe e lanë numërimin në mes. Më tej këtij vendimi iu bashkëngjit dhe një vendim i kryetarit demokrat të KZAZ-së për të anuluar kutitë pasi votimi kishte nisur. Kjo solli një përplasje të ashpër që vazhdoi përgjatë 48 orëve dhe që pati disa momente kulminante. Mijëra njerëz u mblodhën rreth KZAZ-së, në shkollën “Perikli Ikonomi” në Fier, ndërsa ndodhën disa incidente me deputetë të PD-së, siç ishte rasti i kandidates Rajmonda Bulku, e cila u përball me revoltimin dhe acarimin e protestuesve të majtë. Probleme patën dhe gazetarët, të cilët u kërcënuan më herët nga mbështetës të Partisë Demokratike. Këta mbështetës, por edhe shumë nga kandidatët e Partisë Demokratike në Fier, u larguan mbrëmjen e së mërkurës kur godinën e pushtuan simpatizantët socialistë, të cilët ishin alarmuar pasi dyshonin se kutitë do të transportoheshin nga duar të pasigurta.

13 Korrik 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›