E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gejts në Europë, diskuton për Afganistanin dhe Kosovën

Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Robert Gejts ndodhet në Europë për një takim me aleatët e NATO-s ku mes të tjerash do të bisedohet rreth Afganistanit dhe pakësimit të trupave në Kosovë. Vizita e zotit Gejts bëhet ndërkohë që Uashingtoni shpreson t'i japë një drejtim të ri luftës në Afganistan e cila vazhdon prej 7 vjetësh.

Në ndalesën e tij të parë të mërkurën në Holandë, Sekretari Gejts përshkroi temat kryesore për të cilat do të diskutojë me homologët e NATO-s gjatë dy ditë bisedimesh.

Sekretari Gejts në Holandë me ministra të tjerë të NATO-sPa dyshim, Afganistani – një ndër çështjet më të mprehta me të cilat përballet aleanca ndëratlantike – është mjaft lart në rendin e ditës të diskutimeve. Zoti Gejts tha se bisedimet zhvillohen për t'i bërë një analizë gjendjes dhe për të folur mbi trupat e reja amerikane që po dërgohen në Afganistan.

"Çështja tjetër që do të theksoj është rëndësia e madhe që ka fakti se partnerët tanë po qendrojnë me ne për ta bërë këtë vërtet një koalicion ndërkombëtar që lufton kundër Talibanit në Afganistan."

Rreth 21,000 trupa të tjera amerikane po dërgohen në Afganistan – një përpjekje e Uashingtonit kjo për të fuqizuar luftën kundër kryengritjes talebane. Shumë nga ushtarët po dërgohen në jug ku gjendja është e paqendrueshme. Një komandant i NATO-s tha dje se trupat duhet të jenë dislokuar përpara zgjedhjeve presidenciale të Afganistanit që mbahen në muajin gusht.

Por europianët po tregohen të lëkundur për të forcuar praninë e tyre me trupa në Afganistan. Uashingtoni synon gjithashtu t'i verë një theks të ri stërvitjes së ushtrisë dhe policisë afgane. Edhe europianët po dërgojnë ekipe trajnuesish por qeveria afgane kërkon që ata të jenë më të shumtë në numër.

Edhe sot, kur ministrat e mbrojtjes të NATO-s të takohen në Bruksel, pritet që Afganistani të jetë përsëri në rend të ditës. Ministrat pritet gjithashtu të mbështesin planet për të pakësuar deri në janar me një të tretën numrin e paqeruajtësve të NATO-s në Kosovë, që aktualisht arrin në 15,000. Kjo do të vinte në dispozicion forca të reja që mund të dërgoheshin në Afganistan. //ii

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›