E Shtunë, 31 Tetor 2026

Genocidi dhe terrori komunist, rrëfim në 26 seksione

05/04/2011  Pavijoni në Muzeun Historik

Genocidi dhe terrori komunist do të kenë një pavijon të veçantë në Muzeun Historik Kombëtar.

Realizimi i pavijonit të përfolur prej kohësh si pjesë e Muzeut duket se ka hyrë në udhë të mbarë dhe planifikimi për mënyrën se si do të funksionojë është gati.

Tashmë grupi i punës i përzgjedhur për ndërtimin e tij është gati për të hapur procedurat e tenderimit për shpalljen e firmave fituese për ndërtimin e pavijonit, të stendave, për përpunimin e fotografive dhe të materialeve të tjera që do të jenë pjesë e pavijonit.

Sipas projektit të ndërtuar nga inxhinieri Latif Lazimi, pavijoni do të ndërtohet në katin e dytë të MHK-së dhe do të quhet “Pavijoni i genocidit dhe terrorit komunist”.

Për realizimin e projektit po punon një grup pune, i përbërë nga historianë e muzeologë, të mbështetur edhe nga specialistë e drejtues arkivash. Grupi i punës përbëhet nga Enver Kushi, kryetar Fredi Gusho, Sotirulla Hoxha, Sali Kadria, Ilir Gusho, Fatmir Boshnjaku, Etleva Demollari dhe Entela Kasemi.

Ky pavijon do të pasqyrojë një pjesë shumë të rëndësishme të historisë shqiptare, atë të diktaturës dhe për të dhënë më gjerësisht çfarë ka ndodhur në ato vite është parashikuar të ekspozohen shumë dokumente, fotografi, objekte, si edhe materiale audiovizuale. Një pjesë e mirë e materialeve i takojnë fondit të MHK-së, por janë zbuluar gjithashtu edhe shumë materiale të paekspozuara më parë në Arkivin e Ministrisë së Brendshme dhe arkiva të tjera.

Në këtë drejtim ka shërbyer si bazë edhe ekspozita në kujtim të viktimave të genocidit, e ngritur dy vjet më parë në hollin e MHK-së, ndërsa të afërm të këtyre viktimave kanë ofruar objekte e fotografi të njerëzve të tyre të dashur, të cilët kanë vuajtur në burgjet komuniste apo kampet e internimit. Janë 45 vite histori dhe ngjarje nga më çnjerëzoret, prej të cilave është përpjekur të përzgjidhen ato që kanë lënë më shuam gjurmë në historinë dhe në jetën e shqiptarëve.

I gjithë materiali i grumbulluar do të paraqitet në 26 seksione, duke filluar nga formimi i organeve të diktaturës komuniste për të përfunduar me rënien e diktaturës, pra një paraqitje e gjerë faktesh dhe ngjarjesh që nis nga viti 1945 deri më 1991.

Në pavijon do të rrëfehet për disa nga gjyqet më famëkeqe ndaj intelektualëve shqiptarë, eliminimet e njëpasnjëshme të kundërshtarëve politikë, deputetë, apo drejtues të kohës, ndërsa një vend më vete zë edhe goditja e klerit dhe shembja e ndërtesave fetare të të gjithë besimeve. Kryengritja e Postribës, kryengritjet në Shkodër e Tiranë, çështja çame dhe ajo e Kosovës, burgjet dhe kampet e përqendrimit do të vijnë po ashtu të prezantuara në pavijonin e genocidit.

Një “minikinema” do të jetë një prej pjesëve më të veçanta të pavijonit, e vendosur në një kënd të tij. Në këtë kënd do të transmetohen dokumentarë, kronika, intervista të kohës, seanca gjyqësore që dëshmojnë për diktaturën e egër në Shqipëri, ndërkohë që këtyre do t’i shtohet edhe një bibliotekë e vogël me libra e kujtime të të burgosurve.

Për ngritjen e pavijonit të genocidit dhe terrorit komunist, Ministria e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve ka vënë në dispozicion një fond prej 5 milionë lekësh dhe mendohet që i gjithë procesi të mbyllet gjatë këtij viti.

Pavijoni i socializmit në Muzeun Historik Kombëtar u shkatërrua në fillim të viteve ’90 dhe më tej kjo periudhë e historisë mbeti bosh në Muze deri më sot edhe pse nga drejtorë të ndryshëm janë bërë disa përpjekje për të ngritur pavijonin e genocidit. Vetëm pak kohë më parë në MHK përfundoi një tjetër pavijon po kaq i rëndësishëm, ai i etnografisë. I ndarë në dy minipavijone, atë që tregon jetën në fshatin shqiptar dhe tjetrin që tregon jetën në qytetin shqiptar, ky pavijon përfshin historinë e fshatit e qytetit në gjithë hapësirën shqiptare, specifikat përfaqësuese, bashkëjetesën fetare e pakicat, që nga shekulli i 18-të e deri në shekullin e 20-të.

B.Goce

Struktura

1. Formimi i organeve të diktaturës komuniste

2. Terrori komunist në vitet 1945-1948

3. Proceset e para të mëdha gjyqësore

4. Gjyqet ndaj kundërshtarëve të regjimit komunist

5. Gjyqet ndaj inxhinierëve dhe teknikëve të shkollës amerikane

6. Gjyqi i deputetëve

7. Shkatërrimi ekonomiko-financiar

8. Incidenti në ambasadën sovjetike

9. Qëndresa antikomuniste

10. Përndjekja ndaj shqiptarëve të Kosovës dhe të Çamërisë

11. Goditja dhe shkatërrimi i klerit

12. Shkatërrimi i institucioneve fetare

13. Diktatura ha bijtë e vet

14. Izolimi i thellë i Shqipërisë

15. Reagimi antikomunist ndaj izolimit

16. Vrasjet në kufi

17. Burgjet e shtetit burg

18. Kampet me punë të detyruar

19. Kampet e internimit

20. Torturat dhe mjetet e torturës

21. Intelektualë dhe personalitete të burgosur e të ekzekutuar

22. Gra të ekzekutuara dhe të burgosura

23. Spitalet burgje dhe spitalet psikiatrike

24. Stalinizmi në Shqipëri

25. Vendekzekutimet

26. Rënia e diktaturës komuniste

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›