E Shtunë, 31 Tetor 2026

Topi: Anëtarësimi pasojë e reformave të thella politike dhe ushtarake

05/04/2011  Presidenti inspekton trupat paqeruajtëse në 2-vjetorin e anëtarësimit në NATO

Me rastin e dyvjetorit të anëtarësimit të Shqipërisë në NATO Presidenti Topi inspektoi dje Batalionin e Forcsve Speciale Tokësore në Zall-Herr. Presidenti i Republikës, njëkohësisht Komandant i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura, inspektoi dhe u njoh nga afër me veprimtaritë e strukturave të këtij batalioni. “Është pa dyshim një ngjarje tepër e shënuar që sot të festojmë së bashku dyvjetorin e pranimit të Shqipërisë si vend me të drejta të plota anëtar i NATO-s”, - u shpreh Presidenti Topi në fjalën e tij në përshëndetje të kësaj ngjarjeje. Arritja e këtij statusi i Shqipërisë në NATO, sipas kreut të shtetit, është pasojë e reformave të thella politike dhe ushtarake. “Është pasojë e një kontributi real të të gjithëve për të ndërtuar ligje, për të ndërtuar rregullore, për t’u përgatitur, sikurse unë e pashë edhe sot, që ju jeni rritur dhe rriteni nga viti në vit”, - nënvizoi Topi. Më tej ai theksoi se afro 96 për qind e popullsisë e kanë mbështetur këtë vendim politik të institucioneve të Shqipërisë. “Ne jemi krenarë sot që jemi pjesë e NATO-s. Jemi krenarë që jemi kontribues për paqen dhe sigurinë në botë”, - tha kreu i shtetit. Më tej Presidenti i Republikës u ndal dhe në kontributin e dhënë nga Forcat e Armatosura në drejtim të ruajtjes së paqes në botë sipas të gjitha standardeve të kërkuara në luftën kundër terrorizmit. “Unë jam krenar si President i Republikës, si Komandant i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura me forcën tuaj, me intelektin tuaj dhe profesionalizmin tuaj. Keni dëshmuar se jeni jo vetëm aleatë të kësaj aleance të madhe, por jeni në standardet e bashkudhëtuesve tuaj në luftën kundër terrorizmit ndërkombëtar, në luftën për vendosjen e paqes në rajone të ndryshme të globit. Ne jemi krenarë sot për këtë histori relativisht të shkurtër, por heroike të Forcave tona të Armatosura, duke kontribuar në Bosnjë, duke kontribuar në Irak, duke kontribuar sot vërtet në misione luftarake edhe në Afganistan”, - theksoi Topi.

Në përfundim të ceremonisë u mbajt një minutë heshtje në nderim dhe respekt për ndarjen nga jeta të Kryegjyshit Botëror të Bektashinjve Baba Haxhi Dede Reshat Bardhi.

Dy vjet në NATO

Shqipëria prej dy vjetësh është anëtare me të drejta të plota e Aleancës së Atlantikut të Veriut (NATO). Më 4 prill të 2009 në samitin e 60- vjetorit të Aleancës Veriatlantike, që u mbajt në Strasburg-Kehl, vendi ynë u ul si anëtare me të drejta të plota. Shqipëria dhe Kroacia ishin në qendër të vëmendjes edhe në hapje të seancës së Këshillit të Atlantikut të Veriut pak ditë më pas. Presidenti i Shteteve të Bashkuara Barak Obama, kreu i vendit ku është depozituar traktati i Atlantikut të Veriut, u ndal më gjatë në fjalën e tij për dy anëtarët e rinj të NATO-s: “Mirëpresim Shqipërinë dhe Kroacinë në NATO”, - tha Obama. Shqipëria mori ftesën për anëtarësim në vitin prill të 2008-s në samitin e Bukureshtit. Një vit më vonë, më 7 prill 2009, pas anëtarësimit flamuri i Shqipërisë u ngrit në selinë e NATO-s.

Fushata zgjedhore

Topi: Partitë politike të marrin në dorë realisht fushatën

Në përfundim të ceremonisë së zhvilluar në Batalionin e Forcës Speciale Tokësore në Zall-Herr me rastin e dyvjetorit të anëtarësimit të Shqipërisë në NATO, Presidenti Topi i përgjigjet interesimit të medieve lidhur me fushatën zgjedhore. Duke iu referuar zhvillimeve më të fundit në vend, ku janë shtuar tensionet dhe incidentet që kanë të bëjnë me çeljen e fushatës zgjedhore, kreu i shtetit theksoi se 8 maji duhet të konsiderohet si një ditë feste. “Dhe absolutisht jo si një ditë ku partitë politike apo militantët të demonstrojnë një fjalor, i cili nuk i shkon për shtat pikërisht këtij konteksti që unë sapo përmenda”, - deklaroi Topi. Më pas Presidenti i Republikës bëri një apel, ku kërkoi që të gjithë të futen në fushatën zyrtare zgjedhore me një sjellje qytetare që t’i ngjajë politikës së vendeve evropiane, ku ne dëshirojmë të aderojmë. “Të futemi me alternativa konkrete, ku partitë politike të marrin në dorë realisht fushatën politike për ta bërë atë qytetare, në shërbim të qytetarit, sepse janë zgjedhje administrative, të cilat duhet të jenë zgjedhje në radhë të parë në shërbim të qytetarit, për gjëra konkrete”, - apeloi Presidenti Topi. Ai theksoi se zgjedhjet lokale janë zgjedhje që kanë patjetër projekte konkrete reale, ndërsa zgjedhjet politike të përgjithshme natyrisht që kanë një politikë më të madhe, një politikë që shkon në linja të tjera. “Por gjithsesi uroj që kjo fushatë të bëhet e matur, me qytetari dhe uroj që dita e zgjedhjeve të jetë një ditë ku të marrin pjesë shumë qytetarë të thjeshtë në këto zgjedhje, sepse pa dyshim do të votojnë për pushtetin e tyre”, - komentoi dje Presidenti Topi.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›