Gjyqtarët dhe prokurorët, 4 udhëtime jashtë shtetit në vit
Përfaqësuesit e sistemit të drejtësisë jetë mes luksit dhe pushimeve jashtë shtetit. Në 2008, 44 pushuan jashtë shtetit
Një aneks të veçantë raporti "Ëatch dog" i ka kushtuar zyrtarëve të drejtësisë, prokurorëve dhe gjyqtarëve për të cilët është bërë një investigim më i hollësishëm, duke matur edhe elementë të tjerë të jetës së tyre siç janë pushimet apo udhëtimet jashtë vendit, për të nxjerrë konkluzionet mbi gjendjen e tyre sociale në shoqëri. Nga kampioni i marrë në studim, 68 për qind e gjykatësve të kontrolluar punojnë në gjykatat e Tiranës ndërsa 32 për qind në gjykatat e rretheve. Prokurorët janë të gjithë të punësuar në Tiranë me përjashtim të një rasti. Për sa i përket udhëtimeve jashtë vendit raporti bën një krahasim me vitet paraardhëse, 2005, 2006 dhe 2007, raporti ka marrë për bazë të dhënat e grumbulluara në mënyrë operative nga gazetarët me qëllimin e vetëm për të krijuar një panoramë sa më të qartë të situatës sociale të zyrtarëve të drejtësisë, pavarësisht se të dhëna të tilla nuk përfshihen në detyrimin ligjor të deklarimit të pasurisë. Sipas të dhënave të mara nga disa gjykata, një gjykatës mund të udhëtojë zyrtarisht jashtë shteti jo më shumë se 1 ose 2 herë në vit, dhe kjo për një numër të vogël gjyqtarësh. Ndërkaq udhëtimet e gjyqtarëve dhe prokurorëve sipas viteve janë: në 2005- 84, në 2006-119, në 2007- 134, në 2008- 118.
Referuar shifrave të mësipërme i takon që çdo gjyqtar ose prokuror ka udhëtuar afërsisht tre herë jashtë shtetit në vitin 2005, afërsisht katër herë në 2006, afërsisht pesë herë në vitin 2007, dhe katër herë në vitin 2008. Ka gjyqtarë të cilët nuk kanë udhëtuar asnjëherë siç ka gjyqtarë që brenda një viti kanë udhëtuar jashtë vendit, me makinë ose avion 46 herë ose ndryshe çdo javë. Një indikator tjetër që është përdorur për të matur gjendjen ekonomike të kësaj kategorie zyrtarësh është edhe ai se ku i kanë kryer pushimet gjyqtarët dhe prokurorët. Në 2008, kohë që përfshihet në këtë raport, ka një rritje të numrit të pushuesve jashtë. Nëse në 2007 kanë bërë pushimet jashtë 8 gjykatës dhe prokurorë, në 2008 kanë bërë pushimet jashtë 11 gjykatës dhe prokurorë. Ndryshe në 44 % të rasteve pushuan jashtë vendit ndërsa në 56% ishin në Shqipëri. Në raport është matur edhe gjendja imobilare ku janë parë rastet kur një prokuror ose gjyqtar ka një apartament, 2 apartamente, vila apo biznes.
Kështu rezulton se shumica e zyrtarëve të drejtësisë jetojnë në një apartament, më pak kanë dy apartamente, si dhe më pak kanë vila. Nga grafiku i parë bie në sy që prokurorët janë edhe më të "rehatuarit" nga pikëpamja e banesave, ndërkaq gjyqtarët kanë më shumë biznese të cilat drejtohen nga burri ose gruaja që nuk janë gjykatës, ose janë rrjedhim i trashëgimisë. Thënë me shifra nga 30 gjyqtarët dhe prokurorët e verifikuar rezulton se 17 prej tyre kanë një apartament, 2 kanë vilë dhe apartament, 2 kanë dy apartamente, njëri ka një vilë dhe 4 kanë biznese familjare.