E Shtunë, 31 Tetor 2026

Prifti shkarkon kreun e Inspektoratit Teknik

Karburantet

Ilir Kurti lirohet nga detyra, shkak cilësia e keqe e karburanteve. Prifti: Nqs s'ndryshon gjëndja, do të dal vetë për inspektim


TIRANË- Ministri i Ekonomisë Tregtisë dhe Energjetikës, Dritan Prifti, jep alarmin për cilësinë e keqe të karburanteve që shitet në vend duke shkarkuar nga detyra kreun e Inspektoratit Qendror Teknik, Ilir Kurti.

Gjatë një mbledhjeje me inspektorët e IQT-së, ministri Prifti theksoi faktin se karburanti që tregtohet në vend ka probleme të mëdha për sa i përket cilësisë duke fajësuar këta të fundit për gjendjen. I nisur nga përvoja vetjake, Prifti theksoi se i është dashur ta dërgojë disa herë automjetin e tij për riparim për shkak të cilësisë së keqe të karburantit.

"Të gjithë e dimë që në vend karburanti që shitet nuk është ai i cilësisë që vjen nga importi. Unë për vete kam blerë një makinë të re para dy vjetësh dhe e kam çuar dy herë për ta riparuar për shkak të cilësisë së karburantit. Për këtë shkak kam larguar dhe drejtorin tuaj të mëparshëm dhe sigurisht do të ketë një monitorim shumë të rreptë për punën e secilit nga ju për të bërë atë që kërkon ligji dhe rregulli", - theksoi ministri Prifti në fjalën e tij para inspektorëve.

Krahas shkarkimit të drejtorit të IQT-së, Ilir Kurti, dhe zëvendësimin e tij me Virgjil Jotin, Prifti nënvizoi faktin se në një treg karburantesh si ai i yni, ishte e pamundur që gjatë gjithë vitit të vendoseshin vetëm 60 gjoba ndaj shkelësve. Ky fakt tha ai, tregon se inpektorët kanë pasur marrëdhënie korruptive me shkelësit duke gjobitur vetëm kompanitë që nuk kanë ndonjë ndikim të madh në treg dhe duke toleruar "peshqit e mëdhenj".

"Nga materialet e ofruara nga drejtori i ri, shoh që në një vit janë vënë 60 gjoba nga inspektorati juaj. Në këtë situatë skandaloze, që ka tregu është e papranueshme që të vihen 60 gjoba. Kur shoh kompanitë që kishin marrë gjobat ishin të gjithë peshq të vegjël dhe asnjë nga ata që bëjnë gjithë pisllëqet në treg. Kjo do të thotë që mes këtij inspektorati dhe atyre që janë spekulantë në tregun që kontrolloni ka bashkëpunim, ka korrupsion. Kështu që nuk mund të pranojmë në asnjë mënyrë këtë lloj situate. Karburanti jo i cilësisë së mirë, apo të tjera çështje të tilla kërkojnë një rregullator funksional për mbrojtjen e konsumatorit. Organet e mbikëqyrjes së tregut duhet të garantojnë cilësinë për konsumatorët përmes sigurisë së produkteve ", - tha ai.

Gjatë diskutimit me inspektorët, ministri i Ekonomisë, paralajmëroi se nëse situata në tregun e karburanteve nuk ndryshon, do të jetë ai vetë që do të dalë për inspektim duke theksuar se nuk duhet lejuar asnjë pikë tregtimi që shkel rregullat. Ai kërkoi reformimin e këtij Inspektorati brenda një afati të shkurtër duke krijuar një sistem të monitorueshëm për punën e gjithsecilit që nga inspektimi në porte deri në rafineri me qëllim garantimin maksimal për mbikëqyrjen dhe sigurinë e tregut e veçanërisht të konsumatorëve.

"Brenda tre muajsh do kontrolloj vetë situatën dhe nëse do të shoh që sikur vetëm një karburant i vetëm nuk i zbaton rregullat sipas ligjit", - tha Prifti duke paralajmëruar se nëse kjo ndodh do të jenë inspektorët ata që do të përballen me pasojat.

Një ditë para shkarkimit të kreut të Inspektoratit Qendror Teknik, Prifti kishte komunikuar edhe largimin nga detyra të drejtorit të Albpetrolit, Ylli Gjoni. Shkak për shkarkimin e Gjonit, sipas Ministrit të Ekonomisë, ishin abuzimet e rënda në këtë ndërmarrje.


 

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›