Genti Tavanxhi, një "Nyje dashurie" për Korçën
Artisti shqiptar, Genti Tavanxhi, është pjesë e konkursit për krijimin e një vepre publike në parkun "Rinia" të Korçës. Në këtë qytet është çelur edicioni i dytë ndërkombëtar i krijimit të skulpturave që do t‘i dhurohen parkut "Rinia". Është i dyti vit që me nismën e bashkisë ftohen skulptorë nga e gjithë bota për të marrë pjesë në këtë veprimtari ndërkombëtare. Bordi drejtues së bashku me një juri ndërkombëtare, ka seleksionuar 8 projekte skulpture ndër 80 konkurrentë të paraqitura përmes internetit. Këto vepra, kryesisht abstrakte, do të realizohen në blloqe gurësh me dimensione të paracaktuara nga artistët, të cilët vijnë nga vende të ndryshme të botës si: Gjermania, Italia, Japonia, Egjipti, Britania e Madhe dhe Zelanda e Re. Tetë skulptorët që vijnë nga vende të ndryshme të globit, do të realizojnë veprat e tyre në natyrë. Këto vepra më pas do të vendosen në parqet e qytetit. Skulptori shqiptar, Genti Tavanxhi, do të skalisë skulpturën e titulluar "Il Nodo d‘amore" (Nyja e dashurisë". Mattew Simmonds nga Britania e Madhe do të realizojë në gur një qytet fantazmë, që evokon një botë magjike të lidhur me traditën artistike të qytetërimeve antike. Guliano Giussani nga Italia në veprën që do të realizojë sjell një harmoni estetike mes formës dhe shpirtit; Nagi Fareed nga Egjipti do të realizojë një formacion gjeometrik me yje; Paora Te Ranguiaia nga Zelanda e Re, do t‘u referohet formave tipike të historive e miteve legjendare të popullit të Maorëve. Jorg Plickat nga Gjermania do të realizojë një krijim vertikal, i cili prezanton një lloj skulpture-arkitekturë, që evokon lartësitë e katedraleve gotike, ndërsa Yoshin Ogata nga Japonia në krijimin e tij trajton temën e ujit, si elementi më jetësor i ekzistencës njerëzore.