E Shtunë, 31 Tetor 2026

LAMTUMIRE BERISHA!

Shqiptarët kanë shansin në 28 qershor t‘i thonë lamtumirë tranzicionit 20 vjecar dhe bashkë me të dhe mbetjeve të fundit toksiko-komuniste nga një regjim i mëparshëm 50-vjeçar. Pas 70 vitesh vuajtje pa shpresë, është koha për një nisje të re. Këto zgjedhje, ose do vërtetojnë filozofinë e dhimbshme sipas së cilës, shqiptarët nuk janë ende gati të shkëputen nga regjimi dhe udhëheqja e një lideri që vetëshpall pavdeksinë, ose do provojnë se shqiptarët janë aty ku duhet dhe gati të hedhin një hap dinjitoz më pranë qytetërimit.

Nekrologjia politike e njeriut që është sot kryeministër dhe po i kërkon sërish votën shqiptarëve, u shkrua njëherë nën katrahurën kombëtare të vitit 1997, u mbulua me hi nga zjarret që përfshinë Shqipërinë dhe u ringjall në vitin 2005, me ndihmën e madhe të Fatos Nanos dhe Ilir Metës. Sot Meta dhe Nano janë bërë bashkë, për herë të dytë dhe ndoshta të fundit kundra të majtës shqiptare. Në zgjedhjet e katër viteve më parë, bazuar në shifrat e sakta që erdhën nga kutitë e votimit, e mjata ishte fituese por për shkak të LSI-së, Berisha erdhi në pushtet. LSI nuk ishte gjë tjetër, vecse një bashkim i të zemëruarve nga Fatos Nano. Gjatë gjithë kësaj kohe mbijetese, me finacime të majme që Meta nuk dihet se nga i gjen, megjithëse ka 6 vjet që nuk është kryeministër, kjo parti ka humbur jo vetem motivin pse u krijua, por dhe nuk ka gjetur dot një motiv të ri. Nëse bashkimi me Nanon është sot, motiv për të votuar Metën, nga ata që e votuan në vitin 2005 pikërisht pse u nda nga Nano, kjo do ishte cudia e radhës e politikës shqiptare.

Gjatë kësaj periudhe asnjëherë LSI-ja nuk ka marrë vota djathtas dhe as që i ka synuar ato vota, ajo është thjesht dhe vetëm një gërryerje e elektoratit të majtë, që pak nga pak u kthye tek PS-ja, disa herë në mënyrë demonstrative dhe masive, dhe herë të tjera më heshtur. Shkurt elektorati i majtë megjithëse i zemëruar me Nanon dhe gjithë palacollëqet e tij (që ende dhe sot ka hobi si të reklamojë makinat e reja, tamam si një trafikant emigrant në vendet fqinje), nuk e braktisi të majtën dhe asnjë votë nuk rezulton ti ketë shkuar Berishës. Zgjedhjet lokale të 2006 e përforcuan këtë logjikë dhe sot pas 4 vitesh të qeverisjes Berisha, por dhe kryesimit të Ramës në PS, ka shumë më tepër arsye, që elektorati djathtas të rrëshqasë majtas, sesa e anasjellta. Jemi në fund të një fushate elektorale që shënoi shumë cudira, që filloi keq për Berishën në një miting të dështuar në mes të Tiranës në 1 qershor, që i tregoi atij se i ka perënduar koha. Duke i qëndruar mitingjeve, kjo armë e fortë e Berishës, i iku nga duart kësaj here dhe për cudinë e të gjithëve, janë të majtët që po mbushin sheshet. Sado flasim për truke mediatike me kamerat dhe gazetarët që nuk lejohen nëpër mitingje, sërish nuk e mohohet dot se mitingjet e Ramës, në Shkodër, Vlorë, Mallakastër e kudo ku ka shkelur, shënojnë një risi për socialistët. Në një vend të vogël si Shqipëria, ku pothuaj sa pjesmarrës sheh në shesh, aq dhe votues ke, ky është një tregues pozitiv për të majtën. Po ti shtosh kësaj panorame edhe faktin që kryeministri në pushtet ka angazhuar gjithë makinën shtetërore në funksion të mitingjeve, ku shkollat mbyllen kur shkel Berisha, ku administrata është e gjitha në miting e frikësuar se mos humbasë vendin e punës, kontrasti bëhet dhe më i thellë.

Por a ka ndonjë arsye elektorati i majtë të votojë djathtas kësaj here? A janë të përligjura sondazhet bombarduese në televizionin e Berishës, ku komentatorët hedhin sytë në tavan për të zbuluar enigmën pse po rritet kaq shumë PD-ja? Dhe në fakt pse dhe a po rritet vërtetë PD-ja?

A është Gërdeci një arsye për të rritur elektoratin e Partisë Demokratike? A mund të rivotohet apo shtojë elektoratin një kryemnistër për mpleksjen familjare në një aferë të pastër korruptive, ku gjetën vdekjen 26 njerëz, midis tyre gra dhe fëmijë, që kishin shkuar në punë me bukë me vete. Ku disa dhjetra fëmijë si pasojë janë sot me kufizime për të kryer nevojat elementare të jetës, ku shumë të tjerë kanë mbetur jetime dhe qindra familje pa cati mbi kokë? Kur autori i kësaj tragjedie, e quan thjesht një aksident po kurrë nuk shpjegoi se c‘donte i biri dhe i kunati në këtë histori?

A mund të shkojë elektorati i majtë, djathtas, kur shumë prej tyre që punonin në administratë deri në 2005-ën, kanë 4 vjet pa punë, mes tyre nga doktorrë shkencash deri tek pastrueset e spitaleve? A ka arsye elektorati i majtë të votojë djathtas kur cmimet e ushqimeve bazike të jetës jane rritur aq sa e bëjnë të papërfillshme rritjen e rrogave? A mund të votohet ai që supozohet të jetë menaxheri i shetit, kur në kulmin e krizës botërore që po prek dhe Shqipërinë, me lekët e taksapaguesve shqiptarë, socialistë e demokratë bashkë, bën lumenj spotesh publicitare. Kur vizat që aq shumë kishte qef ti përdorte për fushatë elektorale, nuk u bënë dot realitet? Kur pensionistëve nuk u mjafton pensioni as për ilace? Kur një rrugë që do lidhi Shqipërinë me Kosovën, do ti fusë në mjerim dhe borxhe shqiptarët edhe shumë dekada pasi Berisha të ketë kthyer këmbët nga dielli? A mund të votohet një njeri që të fut në borxh ty, fëmijët e tu, nipërit dhe stërnipërit e tyre. Dhe jo në borxh nga halli, por në borxh për të mbushur xhepat e familjes së tij dhe Lulëzim Bashës. Duke folur për këtë të fundit, a kanë arsye elbasanllinjtë të votojnë një bufon, që po bëhet gati të ndërrojë nënshtetësinë njësoj si bashkëshortja e tij, pse ka frikë të përballet me drejtësinë?

Po shkodranët a mund të votojnë sot Jozefina Topallin, që është kthyer në turpin e Shkodrës, duke na riforcuar idenë e një monstre në politikë, që dhe Ahmedinexhadi do ta kishte zili dhe do ta fuste në kabinetin e tij menjëherë?

A mund të votohet në Fier Olldashi i dështuar nga Tirana, apo të tjerë që cirren nëpër studio televizive duke mbrojtur manjakun seksual Pango?

Nuk po shkojmë deri në Korcë se atje sot duket fare qesharake të pretendosh për elektorat të majtë që të votojë Berishën, pavarësisht sondazheve që vetë Berisha nuk i beson, po ama qefi ja ka ti financojë me shifra cudibërese, sa per tu kënaqur deri në agimin e 29 qershorit.

Dhe këtu e kam fjalen a mund ti votojë elektorati i majtë këto dhe të tjera figura si këto? Në fakt arsyet e radhitura më sipër janë të mirëmjaftueshme që dhe të djathtët ta injorojnë numrin e Partisë Demokratike në listat e votimit. Kutallinjtë e Beratit nuk pritën 28 qershorin, e bënë që në 23 qershor.

Duke parë bilancin e zgjedhjeve të mëparshme qysh nga viti 1992, ku elektorati i majtë ka qëndruar konstant, vijmë tek qershia mbi tortë, ose të quajtur ndryshe të pavendosurit. A mund të mendohet se në një vend kaq të politizuar si Shqipëria të ketë të pavendosur, që vetëm një javë para zgjedhjeve nuk e kanë ndarë mendjen se për kë do votojnë? Në fakt bazuar në terrorin psikologjik që Berisha e lëshon me frymë, në një vend ku njerezit vriten dhe për një flamur rreckë partie, logjika ta do se ata që punojnë nëpër administrata e kanë të vështirë ta tregojnë votën, kur nuk e kanë për partinë në pushtet. Dhe të drejtë kanë, kur pushohesh nga puna po nuk dole në mitingun e kryeministrit, mendo c‘mund të ngjasë nëse, largqoftë, deklaron votën kundra tij. Ky 11% i pavendsour sigurisht që do bëjë diferencën e madhe në 28 qershor.

Sot elektorati i majtë ka një lider të ri, që pasi i pa se ku rronin dhe si rronin, ka hartuar një program për ti nxjerrë nga skamja. Një program me një mijë faqe, që analistët në studiot e televiziont u ankuan se nuk e dinin se cfarë ishte dhe ku ishte ky program, kupto, ankesën pse Rama nuk ja kishte lexuar faqe per faqe te gjithëve. Kur në fakt, është puna e medias që me të dalë programi, analizon cdo gërmë me vëmëndje dhe ngre analizën mbi të. Po do flasim pak më poshtë për median.

E majta ka sot një lider dhe ekip që nuk kanë shumë lidhje me ish qeverisjen tetëvjecare të Fatos Nanos dhe as me mënyryën e dikurshme të të bërit politikë. Sot Rama po lufton kundra makinës dhe buxhetit shtetëror. Si edhe dy kundershtarëve, Partisë Demokratike në pushtet dhe LSI-së nanoiste. Që sot corienton elektoratin duke treguar se ata janë të dëshiruar të bashkojnë të majtën, të cilën e përcanë njëhërë në 2005, dhe po tentojnë ta bëjnë sërish. Në fakt vota për Ilir Metën është votë kundra PS-së dhe vetëm votë për Ilir Metën, që se ka për gjë të futet nesër edhe në qeveri me Berishën po të jetë nevoja, njësoj sikur e ka bërë këtë hap në nivel lokal duke bllokuar buxhetin e bashkive.

Në këtë fushate PS-ja dhe Rama, kanë patur median kundra më shumë se cdo opozitë tjetër në historinë e këtyre 18 viteve. Arsyet janë nga më të cuditshmet dhe padyshim shënojnë një rast unikal në botë, ku media më shumë kritikon opozitën sesa qeverinë. Ka një tymnajë demoralizuese nëpër Tiranë, sipas të cilës, mediat kryesore janë ndarë në të Berishës dhe Ramës. Por po të shikosh panelet e debateve, qofshin këta me analistë apo me politikanë, nuk të krijohet kjo ide. Aq shumë janë terrorizuar nga Berisha televizionet e atakuara si të Ramës, sa peshorja në studiot e tyre anon gjithmonë djathtas. Disa analistë të pozicionuar majtas, kanë preferuar të mbështesin LSI-në për parimin e madh të mbrojtjes së kushtëtutës, po nuk e di cfarë motivi parimor kane sot, tek e shohin Ilir Metën ti shtrëngojë dorën Fatos Nanos. Këta ftohen si analistë të majtë dhe bashkë me të djathtët kritikojnë vetëm Ramën. Të tjerë jo domsodoshmërisht duan Berishën, por kanë inate personale me Ramën dhe vetëm në Shqipëri ndodh që gazetari apo analisti e trajton veten si në garë me një politikan. Dhe thjesht përshembull pse nuk përshëndetet nga Rama në dhomën e grimit, vendos ta kritikojë apo ti rreshtohet kundra. Por ama jo kundra Berishës që nuk ka ngurruar ti djegë dikur dhomën e punës. Ka të tjerë që po për arsye personale kanë vendosur të heshtin duke ja lënë vendin analistëve të pozicionuar djathtas, të cilët kanë mbushur televizionet dhe deri diku mbushur edhe boshllëkun intelektual që kanë lënë politikanët e PD-së. Argumentat kundra Ramës dhe pro Berishës janë nga më të habitshmët. Dëgjon se fjalimet e Ramës janë retorike dhe të Berishës më konkrete. Mendoni per një cast cdo ti kishin bërë Obamës këta analistë. Kur dihet që mitingjet dhe fjalimet nëpër to, janë inspiruese dhe oratorike dhe Rama është padyshim në një nivel shumë më të lartë publicistike sesa shumë gazetarë. Ky ndoshta është dhe problemi tjetër mes tyre dhe Ramës sot. Nga ana tjëtër nga i ashtëquajturi "konkreti" Berisha, degjon të njejtin refren të 18 vjetëve, "do bëjmë rrugë, do bëjmë shkolla, do rrisim rroga". Se cfarë është konkrete dhe cfarë është e pergjithshme- vulgare në fjalime të tilla, edhe një fëmijë i klasës së dytë do e bënte dallimin.

Dëgjon nga goja e ndonjë ish të përndjekuri- analist, se vetia më cilësore e Berishës është këmbëngulja e tij për pushtet?! A nuk është ky një tipar diktatorësh, dhe në rastin konkret e një njeriu që e ka provuar ti vërë zjarrin vendit vetëm për pushtet. E pra vetija cilësore e liderve të botës moderne është krejt e kundërta me këtë vetinë e Berishës tonë, quhet pak a shumë, aftësi për të dhenë dorëheqjen në poltikë.

Në fakt profesionalisht Berisha është fat i madh për analistët. Gjithmonë përcart, herë sepse është i tillë, herë sepse do të duket i tillë, ai është një burim i pashtershëm analizash dhe komentesh. Cështja është që për hir të ca interesave më të mëdha, sic është interesi i Atdheut, harrohet rehatia personale për një cast. Sepse Berisha është sot një interes i kundërt me Shqipërinë.

28 qershori i vitit 2009, është shansi i dytë që u vjen shqiptarëve për ti thënë lamtumirë Berishës. Edhe sikur për asgjë tjetër, por për tu cliruar si shoqëri psikologjikisht nga ideja e liderit të përjetshëm, në 29 qershor Shqipëria duhet të gdhihet pa Berishën.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›