E Shtunë, 31 Tetor 2026

Korçë, serenatat e dashurisë mbushin rrugët

Gota me birrë, ca kërnacka, pak karnavale dhe serenata. Janë këto elemente të rëndësishme të një tradite që të japin imazhin e një qyteti. Është pikërisht Korça e serenatës që kthehet çdo muaj me një festë për qytetarët e saj dhe vizitorët, por edhe për të ruajtur në vijimësi ato karakteristika që i kanë rezistuar shekullit, duke dalluar një qytet. Serenatat kushtuar dashurisë dhe vajzave të bukura kanë pushtuar si dikur rrugicat karakteristike të qytetit të Korçës. Poshtë ballkoneve dhe dritareve janë përhapur tingujt muzikorë të kitarave dhe zërat që i këndojnë dashurisë. Me kitara në duar, serenatistët korçarë kanë çelur edhe këtë vit traditën e vjetër të këngës qytetare në lagjet karakteristike, duke shëtitur mes njerëzve. Në një ambient të improvizuar në një nga rrugicat e Korçës, këtë vit qyteti i festave ka vendosur të gërshetojë traditën muzikore të serenatës me karakteristikat e veçanta që dallojnë këtë qytet. Me karnavalet në sfond që kanë shoqëruar me kërcime këngët e serenatës, artistët kanë kaluar mes njerëzve të cilët i janë bashkuar festës. "Banorët e Korçës meritojnë më shumë se një festë të thjeshtë serenate. Rreth një shekull më parë, në këto rrugica lindën traditat kulturore të Korçës së serenatave poshtë ballkoneve dhe dritareve dhe karnavalet. Sot kjo traditë vjen për ta kthyer në një motiv më shumë ruajtjen e këtyre pasurive", ka thënë Niko Peleshi, kryetari i bashkisë. Festa e serenatave organizohet çdo vit si pjesë e aktiviteteve që promovojnë traditat e qytetit. Këtë vit, serenatat, të cilat kanë përfshirë shumë qytetarë, përveç argëtimit synojnë ta përcjellin këtë traditë edhe te brezat e rinj.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›