Këngë dhe valle për Çamërinë në Sarandë
Ka nisur mbrëmjen e së mërkurës në Sarandë edicioni i tretë i Festivalit të Këngës dhe Valles për Çamërinë, nismë e Unionit Artistik të Kombit Shqiptar, me president zotin, Azgan Haklaj. Në natën e parë të tij, ky festival ka ngjitur dhjetë grupet e para, nga 31 të tillë që janë pjesëmarrës në këtë edicion. Skenë dhe sallë e këtij festivali është bërë hapësira dhe shkallët e kompleksit sportiv të lojërave me dorë, "Aleko Dajko", në Sarandë. Por përpara se pjesëmarrësit dhe qytetarët të ngrinin siparin e këtij eventi artistik, artistët kanë bërë parakalimin tradicional në rrugët kryesore të Sarandës, duke krijuar kështu atmosferën e nevojshme. Nga skena e festivalit, me dekorin e njohur të flamurit të përgjakur, artistët dhe spektatorët e shumtë i ka përshëndetur Haklaj, i cili ka falënderuar Bashkinë e Sarandës për mbështetjen. Ka qenë pikërisht ansambli "Butrinti" i Sarandës që me ngjitjen e tij në skenë dhe me repertorin artistik të përzgjedhur për këtë eveniment, ka dhënë edhe mirëseardhjen e këngës dhe valles për Çamërinë në këtë edicion të tretë. Pas tyre skena ka qenë për artistët e grupit "Trebeshina", për shoqatën kulturore-artistike "Ana e Drinit". Një përshëndetje speciale ka qenë nga këngëtarja me emrin Saranda. Pas saj ka kënduar grupi i Mifolit e pas tij grupi polifonik i Sarandës, "Zëri i bilbilit". Në vijim, në skenë është ngjitur shoqata kulturore artistike "Malëshevë", sazet e Delvinës, artistë të shoqatës kulturore "Ded Gjon Luli". Koncerti i natës së parë është mbyllur nga fëmijët e ansamblit artistik të Markatit. Gjatë kësaj nate, në skenë u ngjitën dhjetë grupet e para, nga 31 të tilla që janë pjesëmarrëse në këtë edicion.