E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gentilini përfaqësues i BE-së në Kosovë

Diplomati italian, Fernando Gentilini përfundimisht do të jetë përfaqësues i përkohshëm i Bashkimit Evropian në Kosovë, dhe mandati i tij do të zgjasë vetëm tre muaj.
Ai do të zëvendësojë në këtë post holandezin Pieter Feith, i cili është në këtë post që nga shkurti i vitit 2008, ndërsa vendimin final do ta marrë së shpejti Catherine Ashton. Gentilini është i përfshirë edhe në dialogun Kosovë-Serbi.
Të gjitha shtetet anëtare të Bashkimit Evropian kanë rënë dakort që diplomati italian, Fernando Gentilini të dërgohet në Kosovë si I dërguari special me mandat tremujor.
Ndërkaq, Feith do të vazhdojë punën në Kosovë edhe pas 30 prillit, por vetëm si Shef i Zyrës Civile Ndërkombëtare, pozitë në të cilën ka mandat të pakufizuar.
Brukseli ka vendosur që i dërguari i ri të ketë mandat vetëm tre muaj për shkak se shtetet anëtare ende nuk kanë rënë dakort rreth riorganizimit të pranisë evropiane në Kosovë dhe nëse EUSR-ja do të shërbej edhe si Shef i ICO-së.
Deri në fund të korrikut të këtij viti, në BE shpresohet se do të ketë marrëveshje për rigrupimin e strukturave evropiane në Kosovë dhe do të emërohet I dërguari me mandat të plotë.
Aktualisht, Fernando Gentilini është një nga këshilltarët për Ballkanin në Sekretariat të BE-së dhe është i përfshirë edhe në dialogun për çështje teknike mes Kosovës dhe Serbisë.
 

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›