Gerard Depardieu ikën nga Franca prej taksës socialiste-progresiste
Sondazhi: Qytetarët francezë mbështesin zgjedhjen e aktorit për t’u larguar nga tatimi marksist i qeverisë së socialistit Hollande
Aktori i njohur, i cilësuar si emblema e kinemasë franceze, dorëzon zyrtarisht pasaportën e vendit të tij, për të jetuar përfundimisht në Belgjikë - shtet i cili nuk i takon 75 për qind të të ardhurave. Ai akuzon se “Qeveria ‘Hollande’, po largon trurin nga vendi”
Aktori me famë botërore, Gerard Depardieu nuk mund të quhet më shtetas francez edhe pse Franca është shteti dhe vendlindja e tij. Pak ditë më parë, 64 vjeçari njoftoi për dorëzimin e shtetësisë franceze, ndërsa mësohet se e ka bërë fakt të kryer marrjen e shtetësisë belge, për të rinisur një jetë të re atje, larg taksave të larta të qeverisë së presidentit socialist, Francois Hollande. Në Francë ai ka nxjerrë në shitje vilën e tij 50 milionë dollarë dhe të gjitha pronat që zotëron aty.
Politika e re taksuese në Francë ka bërë që një pjesë e mirë e elitës së personaliteteve të vendit, të mendojnë për të ndërtuar jetën në një shtet tjetër, më bujar sa i takon modelit të taksimit.
Qeveria franceze miratoi pak muaj më parë ligjin e ri mbi sistemin e taksimit i cili rrit ndjeshëm taksat për të pasurit. Kështu, sipas ligjit të ri personat e pasur që kanë të ardhura mbi 1 milionë euro, do të paguajnë taksën më të lartë, në masën 75 për qind, ndërsa njëkohësisht është rritur me 5 për qind edhe taksa për bizneset e mëdha. Ky vendim i qeverisë së Hollande ka dhënë efektet e para, sigurisht në aspektin negativ si në imazh (për vendin), ashtu dhe për stabilitetin social-ekonomik. Ekonomistët francezë e cilësojnë ligjin e ri jo realist dhe rrënues për mijëra vende pune.
Krahas efekteve sociale, taksa progresive po sjell edhe një eksod largimesh të personaliteteve nga fusha të ndryshme si arti, kultura, sporti si dhe biznesmenë të cilët në shenjë proteste për tatimin 75 për qind të të ardhurave, kanë zgjedhur të dorëzojnë shtetësinë franceze, për të rinisur një jetë të re, në shtetet fqinje, ku në “pole position” është padyshim Belgjika. Gerard Depardieu nuk është as i pari dhe as i fundit nga ata që preken prej ligjit të ri të taksave.
Edhe pse taksimi progresiv mund të shihet si mundësi e mirë për rritjen e të ardhurave buxhetore, impakti social është dëshpërues, pasi çon në shkurtimin e vendeve të punës, reduktimin e të ardhurave dhe uljen e fuqisë blerëse. Sikurse, një vendim i nxituar dhe i pa studiuar mirë nga qeveria, i jep “fuqi gjallëruese” evazionit fiskal, duke rrezikuar kështu falimentimin e ekonomisë, në periudhën më të egër të krizës globale.
Vendet e zhvilluara perëndimore, të ndikuara nga efektet e recensionit po shkojnë gjithnjë e më shumë drejt një modeli ekonomik me taksa të ulëta, për t’i dhënë frymëmarrje biznesit. E kundërta mund të thuhet për Francën, atje ku qeveria socialiste e Francois Hollande i ka vënë shkelmin taksave të ulëta, për të përqafuar taksën e Marksit, e cila është një luftë e hapur kundër biznesmenëve dhe punëdhënësve.
Njëkohësisht me propozimin ligjor të presidentit francez i cili hyn në fuqi në janar të vitit të ardhshëm, pamfleti i Marksit valëvitet edhe mbi Shqipëri. Kjo padyshim jo me veti të forta ligjore, pasi fatmirësisht propagandën e rritjes së taksave po e ushtron opozita. Kryetari i PS, Edi Rama e ka cilësuar si një nga objektivat bazë të programit ekonomik, rritjen e taksave për të pasurit - ndërsa nga ana tjetër qëndron paradoksi, u premton bizneseve të vogla zerimin e taksave.
Gjithsesi, pa u marrë shumë në detaje me platformën e tij ekonomike, vëmendja meriton të përqendrohet pikërisht te kërcënimet flagrante që Partia Socialiste dhe lidershipi i saj i bëjnë biznesit, përmes masave shtrënguese, ndër to absurde, siç është taksimi progresiv, i cili në thelb s’është gjë tjetër veçse një rrezik për stabilitetin ekonomik dhe me impakt të drejtpërdrejtë në shkurtimin e vendeve të punës. Mos e dhëntë zoti që vendi të bjerë në duart e njerëzve të pamfletit marksist, pasi në të gjithë domethënien e tij do përbënte rrënimin e pashembullt të ekonomistë si dhe zhdukjen e mijëra vendeve të punës. Një sistem fiskal i bazuar kryekëput në luftën kundër të pasurve, të atyre që me bizneset e tyre gjenerojnë mijëra vende pune dhe përmes taksave dhe tatimeve arkëtojnë të ardhura për buxhetin e shtetit, është i destinuar të mbetet në “tentativë” në Shqipëri, pasi modeli i sotëm ekonomik, jo është një histori suksesi, por po dëshmon dita – ditës stabilitet dhe eficencë ndaj efekteve të krizës në eurozonë dhe të vendeve fqinje.