E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kriza e dyfishtë e Maqedonisë

23-12-2012 / Gazeta 55

Politika e ka prodhuar krizën ekonomike, ndërsa rrugëdalja nga kjo e fundit vlerësojnë profesorët dhe analistët është shumë e dhimbshme dhe e mundimshme. Përkujtojnë që ndërkaq të dyja ushqejnë krizën në planin ndëretnik që edhe pse tejkalohet kohë pas kohe, vazhdon të jetë latente

Nga njëra anë politika dhe nga ana tjetër ekonomia. Por, “nuk lulëzojnë” lulet as në marrëdhëniet ndëretnike. Këto janë elementet që për momentin po e mbajnë në ankth Maqedoninë. Profesorët konsiderojnë se politika e ka prodhuar krizën ekonomike, ndërsa rrugëdalja nga kjo e fundit është shumë e dhimbshme dhe më se mundimshme, sepse nuk i godet vetëm institucionet, qeverinë, por të gjithë qytetarët. Shprehen se nëse vihet deri te nevoja e intervenimit nga jashtë, respektivisht nga FMN dhe Banka Botëror, atëherë një pjesë e sovranitetit politik dhe ekonomik zhduket.
Drejt zhdukjes së sovranitetit politik dhe ekonomik/Profesori Alajdin Demiri thotë se tanimë një kohë të gjatë Maqedonia gjendet në një krizë politike, e cila, sipas tij, fitohej përshtypja se ishte e menaxhuar nga partnerët e koalicionit që i prodhonin krizat, mirëpo në të njëjtën kohë paraqiteshin si ata që i zgjidhnin krizat dhe mjaftonte që Ali Ahmeti me Nikolla Gruevskin të takoheshin dhe krizat të tejkalohen. “Mirëpo ky lloj i projektimit të krizave në Maqedoni në esencë prodhoi edhe kriza të vërteta politike. Këto kriza tash janë duke e bllokuar parlamentin, janë duke luftuar që të eliminohet opozita, kriza që e eliminojnë dialogun dhe instalojnë një njëmendësi të fituesit, aty janë VMRO dhe BDI. Kjo krizë është konceptuale, për arsye se logjika e fituesit se mund të bëj çka të dëshirojë dhe si të dëshirojë - partizimin e administratës publike, të vendosë vet si do ta harxhojë buxhetin, të vendosë për humarrjet apo futjen e Maqedonisë në borxhe, pa bërë asnjë llogari që në të vërtetë tash është duke filluar të prodhojë edhe krizën ekonomike”, sqaron profesori. Sipas tij, vendimet për buxhetin, si do të jetë dhe ku do të jetë, qëndrimi i pushtetarëve dhe pozitës që vetëm ata të vendosin për buxhetin, nga ana tjetër mos-lëshimi pe i opozitës për grafet e buxhetit dhe si do të manipulohet apo ndërtohet buxheti do ta shtyjnë vendin në një fazë që kriza të fillojë me buxhetin. Demiri thotë se ajo krizë do të fillojë me aprovimin e një buxheti parcial ose provizor. Mirëpo, ai shton se nga ana tjetër, viti 2012 është vit që e futi Maqedoninë në fillimin e pagesave të kredive të këqija, ato kredi që drejtpërsëdrejti do të reflektohen në ekonomi, në buxhet dhe do të reflektohen në jetën e qytetarëve. “Kjo krizë ekonomike është e prodhuar dhe e projektuar nga politika, për arsye se menaxhimi i këtillë i politikës e fut këtë krizë. Mirëpo zgjidhja do të jetë e rënd...Rrugëdalja nga kriza ekonomike është më e gjatë, më dhimbshme dhe më e mundimshme, për arsye se nuk e godet vetëm institucionin, vetëm qeverinë, por i godet gjithë qytetarët. Duke filluar nga sistemi bankar, ekonomia dhe gjithë shërbimet tjera. Dhe dalja nga kriza ekonomike nuk është e mundur me këtë strukturë politike për arsye se ajo e prodhoi”, shprehet profesori. Sipas tij, kjo dalje do të jetë e dhimbshme, sepse sipas tij, duhet të intervenohet nga jashtë, siç është FMN-ja, Banka Botërore e kështu me radhë. Por, shprehet se, kur këto organizma hyjnë në një shtet, atëherë humb pjesërisht kredibiliteti i pushtetit. “Një pjesë e pushtetit i bartet atyre bankave dhe kjo do të thotë se një pjesë e sovranitetit politik dhe ekonomik zhduket. Maqedonia vetëm kështu mund të dal nga kriza, për arsye se politika aktuale e dëshmon se nuk është në gjendje të nxjerrë shtetin nga kriza, por vetëm ta fut në krizë”, shprehet, Demiri.
Vështirë për qytetarin/Njohësi i çështjeve ekonomike, Visar Ademi, konsideron se të gjitha problemet janë reflektim i gjendjes së vështire ekonomike. “Qeveria duke mos pasur ide si të tejkalohen këto probleme ose duke parë që përpjekjet e tyre nuk japin rezultat, mundohen ta defokusojnë opinionin nga problemet politike. Dihet se nxitja e urrejtjes politike mund të zhvendos diskutimet për temat esenciale”, shprehet Ademi, duke shtuar se “kjo politikë do të vazhdojë edhe për gjatë vitit 2013 dhe nëse nuk ka ndonjë zhvendosje në sistemet ekonomike të Bashkimit Evropian nga fundi i vitit të ardhshëm, vështirë do të jetë qytetarit të Maqedonisë”, sqaron Ademi.
Nuk janë dy, por tri/Por, profesori Nano Ruzhin konsideron se Maqedonia gjendet në një krizë të trefishtë, me atë që ndonjëherë njëra krizë rritet në llogari të së dytës, ndërsa e dyta fshihet apo është latente. Për këtë thotë se vendi vazhdimisht është në një gjendje të tensionuar. “Para se gjithash dihet se elementi më i rëndësishëm në këtë vend janë marrëdhëniet ndëretnike. E pamë se në një periudhë të caktuar u paraqit ajo krizë në planin ndëretnik, që kohë pas kohe tejkalohet, por ekziston si latente dhe që ushqehet nga krizat tjera, ekonomike dhe sociale”, thotë Ruzhin. Ai si krizë të llojit tjetër e konsideron krizën midis pushtetit dhe opozitës që është rezultat para se gjithash i metodave joadekuate të veprimit të pushtetit. ”Askund në Ballkan, përveç në regjimet totalitare, aq masivisht nuk është i përfshirë pushteti kundër opozitës, në kuptimin e sulmimeve të vazhdueshme, të përqeshjes apo propagandës së vazhdueshme të uljes së pozitave të opozitës, organizimin e grevave të qëllimshme para selisë së opozitës, që është risi e zbatuar nga ana e Putinit dhe sot në Bjellorusi dhe Maqedoni. Do të thotë se kjo duhet të tejkalohet. Dhe normalisht për herë të parë pas disa viteve opozita i tregon dhëmbët. Respektivisht nuk pranon të votojë për buxhetin dhe përgjigjet me 1500 amendamente. Kjo tani nuk i pëlqen pushtetit. Por, gjithsesi se ajo duhet të paguaj për gabimet që ka bërë. Edhe pse edhe në këtë rast e imponon çështjen se opozita është fajtore. Nuk është e saktë. Me një gjest mund të tejkalohet problemi. Të bëhet një buxhet teknik, e kështu me radhë”, thotë Ruzhin. Ai detekton edhe krizën e identitetit. “Mendoj se të gjithë në Maqedoni jetojmë në një krizë të identitetit. Njëkohësisht ka aq ndërtime, aq konfirmime të identitetit personal, historisë personale, madhërimin e personaliteteve historike, të ngjarjeve. Kjo është e pranishme edhe në mesin e maqedonasve edhe në mesin e komuniteteve të tjera. Kështu, ato zëvendësohen me njëra tjetrën. Ndonjëherë në sipërfaqe manifestohet njëra krizë, ndonjëherë e dyta dhe pastaj e treta” , sqaron profesori. Megjithatë, sipas tij, paralelisht, para se gjithash Maqedonia është pjesë e krizës globale dhe gjithashtu viktimë e tranzicionit të vështirë. “Kështu që kemi krizë të dyfishtë në planin ekonomik dhe social. Që nga njëra anë është rezultat i imputeve nga jashtë, por nga ana tjetër edhe i autputeve të ekonomisë së Maqedonisë, në pjesën e reformuar jomjaftueshëm - mbylljen në elementet burokratike, korrupsionin e gjerë që i destimulon investuesit. Pra, jetojmë në një periudhë të shekullit 21 që është shumë e tensionuar. Para së gjithash në agoni ishte një vit i krizës dhe shpresojmë se në vitin 2013 do të mblidhen forca të tejkalohen këto parametra. Edhe pse, para se gjithash mendoj se një pjesë e atyre krizave edhe më tej do të ndërthuren. Por, ajo që është me rëndësi, është të mos vihet deri në një pozitë shpërthyese, që njëra nga krizat të degjenerojë dhe t’i tërheq dy të tjerat në ndonjë kaos që askush nuk e dëshiron”, sqaron profesori Nano Ruzhin.
Marrë nga e përditshmja e Shkupit “Koha”

...

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›