Gërdeci, Pinari: Përgjimet personale
Ylli Pinari, një nga të akuzuarit kryesorë për shpërthimin tragjik të Gërdecit në 15 mars 2008, i cilësoi dje si të pavlera përgjimet e bisedave të tij telefonike pas ngjarjes.Nëpërmjet avokatit të tij mbrojtës, ish-kreu i MEICO-s pohoi se paraqitja si provë nga prokuroria, e përgjimeve dhe tabulateve të tij telefonike, nuk ka asnjë vlerë për akuzën. Avokati Bashkim Asllani tha se në to nuk ka të dhëna që të penalizojnë apo ngarkojnë me përgjegjësi Ylli Pinarin. Pretendimet në fjalë u paraqitën në seancën e djeshme gjyqësore në ngarkim të 29 të pandehurve, të akuzuar si përgjegjës për shpërthimin e Gërdecit. Sipas avokatit të Pinarit, në përmbajtjen e përgjimeve telefonike dhe të tabulateve bëhej fjalë për biseda mes miqsh. Njëkohësisht edhe për biseda në lidhje me veprimtari normale administrative, për shkak të funksionit të Pinarit si drejtor i MEICO-s. Përgjimet e bisedave telefonike të Ylli Pinarit menjëherë pas ngjarjes, gjatë qëndrimit të tij në Drejtorinë e Policisë Tiranë, si edhe në paraburgimin 313 në kryeqytet, u paraqitën si provë nga prokuroria në proces, në një nga seancat e kaluara.
PËRGJIMET
Sipas avokatit Asllani, Përgjimet e datës 17 mars 2008 flasin vetëm për bisedën e klientit me 3 funksionarë të lartë të Ministrisë së Mbrojtjes, të cilët interesohen në mënyrë shoqërore për situatën e Yllit, menjëherë pas ngjarjes së 15 marsit 2008. Referuar pretendimeve të avokatit, në bisedën e parë flitet për një plotësim dokumentacioni të një arme gjuetie të prodhuar në Uzinën e Gramshit, e cila ekspozohej në vitrinat e zyrave të MEICO-s. Arma i ishte dhënë njërit prej titullarëve të Ministrisë së Mbrojtjes për tiu treguar një atasheu ushtarak të huaj, e më pas ajo është kthyer sërish në zyrat e MEICO-s. Po sipas avokatit, përgjimi i dytë kishte të bënte me bisedën e Pinarit me një drejtues të lartë të Ministrisë së Mbrojtjes për sistemin e disa dosjeve që nuk kishin lidhje me aktivitetin e MEICO-s, por që ishin lënë në zyrat e MEICO-s. E treta flet për bisedën e një të njohuri të Pinarit (person publik), i cili është i interesuar për ngjarjen e rëndë, e pyet dhe mundohet ta qetësojë Yllin në situatën e krijuar, kur prej 3 ditësh prokuroria ishte në zyrat e MEICO-s, duke mbledhur dokumentacionin. Flitet krejtësisht për një bisedë njerëzore në momente të rënda për miqtë, u shpreh avokati. Në përgjimin e katërt, sipas avokatit, flitej për kërkesën e një drejtuesi të Ministrisë së Mbrojtjes për një dokument të dosjes së sekuestruar nga prokuroria, ndërkohë që Ylli Pinari ishte larguar nga zyra dhe ndodhej në Drejtorinë e Policisë së Tiranës. Në lidhje me një përgjim të realizuar në paraburgimin Jordan Misja, avokati tha se bëhej fjalë për një bisedë familjare. Përgjimi i datës 27 prill 2008 (nga burgu 313) është një bisedë me familjen, ku Ylli interesohet për anulimin e një ndërhyrjeje kirurgjikale që kishte planifikuar për të kryer në Bruksel, si dhe kërkesën për të gjetur një shokun e tij, i cili mund ta ndihmonte për pagesën e avokatëve, tha avokati.
TABULATET
Duke analizuar tabulatet telefonike të Ylli Pinarit, të paraqitura si provë nga Akuza, avokati Asllani tha dje se bisedat janë bërë me funksionarë të Ministrisë së Mbrojtjes, me të cilët Yllin e lidhte detyra funksionale e drejtorit të MEICO, gjë që ka qenë ligjore, normale dhe konstante që nga fillimi i aktivitetit të ndërmarrjes. Avokati pretendoi dje se në momentet kyçe në lidhje me ngritjen e Gërdecit, datat e hartimit dhe firmosjes së akteve nënligjore, në telefonin e klientit të tij nuk ka pasur dyndje thirrjesh hyrëse apo dalëse. Mbi 97 për qind e tabulateve me adresë të Ylli Pinarit me përfaqësues të subjekteve private, janë në përgjigje të thirrjeve të tyre. Po kështu sqarojmë se një përqindje të konsiderueshme të tabulateve e zënë ato me karakter familjar, siç është edhe rasti me Mihal Delijorgjin, me të cilin kemi pasur marrëdhënie familjare 15-vjeçare, tha avokati.
Edhe Delijorgji kundër: Më përgjuan, kur fola me avokatin
TIRANE Një pretendim për pavlefshmëri të përgjimeve telefonike pas shpërthimit të Gërdecit u ngrit në seancën e së premtes, edhe nga i pandehur tjetër në proces, Mihal Delijorgji. Përfaqësuesi i tij ligjor i kërkoi gjykatës në atë seancë, të mos pranonte si provë përgjimet e paraqitura nga prokuroria në proces. Avokati Gëzim Veleshnja pretendoi se përgjimet ishin marrë nga organi i akuzës në kundërshtim me ligjin. Sipas avokatit, Prokuroria kishte përgjuar biseda të klientit të tij Mihal Delijorgji me avokatin e tij mbrojtës, A.H. Kërkoj që fashikulli nr.74, që ka të bëjë me përgjimet, të mos përdoret. Të gjitha përgjimet janë marrë në shkelje të ligjit, pasi organi i akuzës ka lejuar përgjimet e klientit tim, Mihal Delijorgji, me avokatin e tij, A.H. Sipas ligjit, nuk lejohet përgjimi i bisedave të të pandehurve me avokatët, u shpreh avokati Veleshnja. Pretendimi i avokatit u kundërshtua nga përfaqësuesit e akuzës në proces. Prokurorët argumentuan se biseda i përkiste datës 16 mars 2008, një ditë pas shpërthimit të Gërdecit. Sipas tyre, avokati A.H. ishte bërë mbrojtës i Delijorgjit një ditë më pas, në 17 mars 2008, ditë kur ai u arrestua. ar.ba
ARMAND BAJRAMI