Kasaforta me 150 mijë dollarë, grabitësit ndërprenë energjinë

Dyqani i grabitur në Vorë
TIRANE – Para se të grabisnin kasafortën që dyshohet se ka pasur 150 mijë dollarë në minimarketin e biznesmenit Bexhet Tragaj, në Vorë të Tiranës, autorët e vjedhjes janë siguruar që zona përreth të mbetej në errësirë. Autorët e vjedhjes së minimarketit mësohet se kanë shkatërruar kabinën elektrike, çka ka shkaktuar ndërprerjen e energjisë në zonë në paraditen e së dielës, por banorët kanë menduar se bëhej fjalë për një ndërprerje të zakonshme të energjisë. Ndriçimi i rrugës kryesore ku ndodhej dyqani, të cilin kishin planifikuar të vidhnin, ishte e vetmja pengesë që ata të realizonin misionin e tyre, pengesë të cilën e kanë zgjidhur duke lënë të gjithë Vorën pa drita, gjatë paradites të së dielës. Më pas, kanë vazhduar me planin e tyre, të sigurt që nuk do ti dallonte njeri. Burime nga policia e Tiranës thanë se fillimisht është dyshuar se ndërprerja e energjisë elektrike kishte ardhur si pasojë e ndonjë shkëndije në kabinë, pasi gjatë gjithë natës ka rënë shi dhe lagështira mund të kishte shkaktuar ndonjë qark të shkurtër. Por gjithçka u zbulua paraditen e djeshme, kur punonjësit e OST verifikuan kabinën tek ish-mapo e vjetër në Vorë dhe zbuluan se ndërprerja e energjisë ka qenë e qëllimshme. Burime nga policia thanë se autorët kishin studiuar mjaft mirë terrenin ku do të realizonin vjedhjen dhe meqenëse dyqani ndodhej në një zonë shumë të populluar, me shumë lëvizje dhe të ndriçuar, kanë menduar si zgjidhjen më të mirë ndërprerjen e energjisë elektrike. Grabitja ndodhi në orët e para të mëngjesit të së dielës dhe policia u lajmërua për ngjarjen rreth orës 07:00 nga pronari i minimarketit, Bexhet Tragaj. Ekspertët kanë fiksuar disa gjurmë që u përkasin autorëve, që dyshohet të jenë të paktën katër persona, si dhe kanë rindërtuar ngjarjen, duke zbuluar mekanizmin e grabitjes. Nga të dhënat hetimore rezulton se autorët kanë arritur të hapin bravën e derës së hekurit që mbyll dyqanin, duke përdorur një trapan. Pasi kanë arritur të futen brenda, duke përdorur një kavo çeliku, që mund të jetë lidhur pas ndonjë makine, kanë tërhequr nga aty kasafortën e biznesmenit Tragaj, ku dyshohej se kishte flori dhe para, me një vlerë totale prej 150 mijë dollarësh. Transportimi i kasafortës dhe largimi i autorëve nga vendi i ngjarjes është realizuar me anë të një makinë, që sipas ekspertëve të policisë mund të ketë qenë një furgon mallrash.
HETIMI
Menjëherë pas ngjarjes, policia ka marrë në pyetje pronarin e dyqanit, familjarët e tij dhe persona të tjerë që banojnë në pallatin ku ndodhej minimarketi i grabitur, por nuk kanë arritur të zbulojnë të dhëna të nevojshme për zbardhjen e ngjarjes. Tragaj ushtronte këtë aktivitet prej më shumë se 20 vitesh në Vorë dhe në dyqanin e tij kishte shumëllojshmëri mallrash, duke nisur nga hidrosanitare, elektroshtëpiake, bizhuteri floriri, por edhe materiale ndërtimi. Sipas policisë, personi që mund të ketë informuar autorët e grabitjes, dyshohet të jetë ndonjë punonjës, apo person i njohur i pronarit, që ka pasur dijeni për shumën e madhe të parave që ndodheshin në kasafortë.