E Diel, 1 Nëntor 2026

Gërdeci, Pinari kërkon pafajësi: Si hyra në kontakt me Patrik Henrin

Ylli Pinari në gjykatë

TIRANE Ylli Pinari, ish-drejtori i MEICO-s, një nga të akuzuarit kryesorë për shpërthimin tragjik të Gërdecit, kërkoi dje pafajësi para gjykatës. Në seancën e djeshme, trupi gjykues i dosjes Gërdeci nisi të njihet me argumentet mbrojtëse të Pinarit, që në total kapnin një material prej 264 faqesh. Për Pinarin, në diskutimin e saj përfundimtar, prokuroria kërkoi dënim me burgim përjetë. Para gjykatës, mbrojtësi i Pinarit e cilësoi hetimin e prokurorisë si tendencioz. Mjafton të dëgjosh dhe lexosh konkluzionet mbi diskutimin përfundimtar të prokurorisë, nga ku rezulton se emri i Ylli Pinarit, në 498 faqet e këtyre konkluzioneve, është përmendur 475 herë, ndërsa emri i ndërmarrjes MEICO 410 herë, në një kohë kur flitet për 29 persona të dërguar për gjykim, rast ky i paprecedent në praktikën gjyqësore shqiptare, ku tendencioziteti i prokurorisë ndaj Ylli Pinarit bëhet i dukshëm, u shpreh avokati Bashkim Asllani.
Në vijim, avokati analizoi në mënyrë të hollësishme para gjykatës detyrat funksionale të klientit të tij në kohën që ai ishte drejtues i ndërmarrjes MEICO, si edhe korrespondencat që ai ka pasur nga ky funksion me Patrik Henrin, në lidhje me kërkesën e këtij të fundit për demontim municioni në Shqipëri. Sipas mbrojtësit, akuza e ngritur nga prokuroria për Ylli Pinarit, për veprat penale të vrasjes në rrethana të tjera cilësuese dhe shkatërrimit të pronës me eksploziv, ishte e pabazuar. Ajo që rezulton qartë nga diskutimi përfundimtar i akuzës, është fakti se procesi i hetimit penal është spostuar nga subjektet, të cilat kishin për detyrë ruajtjen dhe sigurinë e repartit ushtarak të Gërdecit dhe është përqendruar plotësisht tek ish-drejtori i MEICO-s, në të njëjtën kohë kur ishin pikërisht këto subjekte që mbartnin detyrimin për ruajtjen e këtij reparti ushtarak në kushtet dhe kërkesat e përcaktuara për depot e municionit, duke vendosur në ambientet e tij një regjim ruajtjeje dhe sigurie ligjërisht të kërkuar për këto depo, argumentoi avokati. Po sipas mbrojtësit, nuk mundet dhe madje është i paligjshëm individualizimi i çdo përgjegjësie tek i akuzuari Ylli Pinari, në një organizim të tillë ku vendimet për drejtimin e të cilit merren në mënyrë kolegjiale nga Këshilli Drejtues dhe ku Ylli Pinari (si drejtor i MEICO-s) ishte vetëm zbatuesi i tyre. Për shkak të volumit të materialit, vijimi i argumenteve mbrojtëse të Pinarit pritet të lexohen në seancën e radhës.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›