E Diel, 1 Nëntor 2026

Gërdeci, Wollfarth: Të shqyrtohet drejt. Avokatët po abuzojnë

TIRANE - Kreu i OSBE ne vendin tonë, Eugen Wollfarth ka shprehur sot shqetësimin për kalvarin e gjatë të seancave për procesin Gërdeci, duke përkuar nga autoritetet e drejtësisë të marrin masa për të evituar pengesat dhe të gjykojne e përmbyllin drejt cështjen.

“Unë u bëj thirrje urgjentisht të gjitha autoriteteve përkatëse të drejtësisë që të ndërmarrin të gjitha përpjekjet e mundshme, brenda kuadrit ligjor, për të garantuar përmbylljen e shqyrtimit të drejtë dhe publik të kësaj çështjeje brenda një periudhe të arsyeshme kohore”, deklaroi Kryetari i Prezencës së OSBE-së në Shqipëri lidhur me procesin e Gërdecit.

Kreu i Prezencës së OSBE-së në Shqipëri deklaroi se kjo organizatë po ndjek me shqetësim procesin dhe po vëren se po shkelen parimet e një gjykimi të drejtë.
“Prezenca e OSBE-së në Shqipëri po ndjek nga afër procesin penal që po zhvillohet rreth të ashtuquajturës çështje të Gërdecit, seanca e 152-të e së cilës u mbajt më 15 qershor. Jam i shqetësuar se ky proces duket se nuk po zhvillohet në përputhje të plotë me parimet e gjykimit të drejtë, të mishëruara në Kushtetutë dhe në ligjet e tjera përkatëse të vendit”.

Duke marrë shkas dhe nga seanca e fundit për tragjedinë e Gërdecit, sipas Wollfarth, të pandehurit dhe avokatët duke munguar në sallat e gjyqit po abuzojnë rëndë me sistemin e drejtësisë.
“Ndërsa të pandehurit gëzojnë të drejtën themelore të mbrojtjes ligjore, mosparaqitja e përsëritur e avokatëve mbrojtës nëpër seanca përbën një abuzim të çdo sistemi drejtësie. Seanca e fundit nuk është veçse një tjetër dëshmi e këtij fakti, duke pasur parasysh se seanca zgjati vetëm 20 minuta, pasi gjykata e shtyu procesin për shkak të mungesës së shumicës dërrmuese të të pandehurve dhe avokatëve mbrojtës”.

Ambasadori i OSBE theksoi se ky proces po evidenton dhe një fenomen tjetër, atë të rënies së besimit të popullit tek drejtësia.
“Vonesat e vazhdueshme nuk bëjnë gjë tjetër veçse e cenojnë besimin aq shumë të nevojshëm te sistemi i drejtësisë dhe më gjerësisht te shteti i së drejtës në Shqipëri, sidomos në këtë çështje kaq delikate”.

Nga tragjedia më e rëndë e periudhës post-komuniste në Shqipëri, ajo e Gërdecit tashmë kanë kaluar 3 vjet. Më 15 mars të vitit 2008 në fshatin Gërdec, 15 km larg nga Tirana shpërtheu fabrika e demontimit të armëve. Nga shpërthimi gjetën vdekjen 26 persona, me të cilëve gra e fëmijë, ndërsa u shkatërruan dhjetra banesa e biznese.

Gjyqi për shpërthimin tragjik të fabrikës së demontimit në Gërdec që mori jetën e 26 njerëzve të pafajshëm, prej më shumë se një viti po zhvillohet në gjykatën e Tiranës.

Mes 29 të pandehurve në këtë proces, të akuzur si përgjegjës kryesorë janë ish- bosi të Albademil Mihal Delijorgji, Dritan Minxolli ish- drejtor i fabrikës së demontimit në Gerdec, Ylli Pinari ish kreu i MEICOS dhe Sokol Ngjeci ish mbikqyrësi i MEICO-s. Të gjithë të pandehurit sot gjykohen në gjëndje të lirë.

Edhe pse kanë kaluar tre vjet nga tragjedia e Gërdecit, dhe me gjithë përpjekjet e konsiderueshme që ka bërë trupi gjykues për të planifikuar mbajtjen e seancave një herë në dy ditë, procesi duket se është shumë larg mbylljes dhe shumica e seancave nuk janë zhvilluar.

(danielabonollari/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›