Gërdeci/ Zhvillohet sot seanca gjyqësore për ish-ministrin Mediu

Do të mbahet këtë të martë (3 tetor) seanca gjyqësore për ish-ministrin e Mbrojtjes Fatmir Mediun. Gjatë kësaj seance, pritet që të vendoset mbi listën e dëshmitarëve për tragjedinë e Gërdecit.
Ish-ministri përmes avokatit të tij, kërkoi në seancën e 8 shtatorit thirrjen e 90 dëshmitarëve, por SPAK pranoi vetëm 71 dëshmitarë, mes të cilëve Shkëlzen Berishën dhe Aldo Bumçin.
Ndërsa në listën me 90 dëshmitarë të kërkuar nga ish ministri i mbrojtjes i qeverisë Berisha, Fatmir Mediu janë një sërë emrash të personaliteteve politike, si ish ministra të vendeve anëtare të NATO-s dhe ish-zëvendës sekretari i mbrojtjes së SHBA.
Mediu akuzohet për shpërdorim detyre në shpërthimin e 15 marsit e 2008 që vrau 26 persona: burra, gra e fëmijë.
GJKKO ka pranuar më herët kërkesën që pjesë e seancave të jenë edhe familjarët e viktimave si palë e procesit ku gjykohet ish-ministri Mediu.
Vendimi i GJKKO-së është cilësuar “një fitore e vogël që e kemi kërkuar që prej vitit 2009” nga familjarët e viktimave.
Më 13 dhjetor të 2022-it, ish-ministri i Partisë Demokratike gjatë qeverisjes së Sali Berishës, Aldo Bumçi u thirr në SPAK ku u mor në pyetje lidhur me hetimet për çështjen e Gërdecit, si person në dijeni.
Më pas, më 26 janar të 2023, në SPAK u paraqit dhe djali i ish-kryeministrit Sali Berisha, Shkëlzen Berisha.
Hetimet për Gërdecin dhe përfshirja e tij kanë qenë arsyeja e paraqitjes së Shkëlzen Berishës në SPAK, edhe pse ai ka mohuar të ketë lidhje me ngjarjen.
/rtsh.al/