Kërcënimet me jetë ndaj prokurorëve të SPAK, Gjonaj: Drejtësia duhet mbështetur për sakrificat e mëdha

Kërcënimet me jetë ndaj prokurorëve të SPAK, nga grupet e krimit të organizuar, kanë qenë të dielën në qendër të komenteve edhe nga politikanë të niveleve të ndryshme.
Ish-ministrja e Drejtësisë, Etilda Gjonaj, nëpërmjet një statusi në Facebook, bëri thirrje për të mbështetur SPAK-un. Sipas saj, prokurorë të ndryshëm çdo ditë marrin kërcënime nga krimi i organizuar dhe kjo është një provë që sistemi i ri i drejtësisë po jep rezultate.
Sipas saj, në SPAK, ka edhe gra prokurore shumë të zonja, me integritet dhe profesioniste që kryejnë punën e tyre me përkushtim, duke besuar tek vlerat e sistemit të ri të drejtësisë.
“Sot më shumë se kurrë, prokurorët e SPAK kanë nevojë për mbështetje! Teksa dëgjon kërcënime me jetë që marrin prokurorët, kupton mjaft mirë se sistemi i ri i drejtësisë që është ngritur është përgjigja e duhur ndaj krimit dhe veçanërisht ndaj krimit të organizuar. Në SPAK, ka edhe gra prokurore shumë të zonja, me integritet dhe profesioniste që kryejnë punën e tyre me përkushtim, duke besuar tek vlerat e sistemit të ri të drejtësisë. Solidarizohem dhe mbështes prokuroret Musabelliu dhe Selimi ashtu si dhe të gjitha prokuroret gra të SPAK dhe ato në sistemin e prokurorisë dhe të gjyqësorit për sakrificën e jashtëzakonshme që bëjnë në ushtrimin e detyrës së tyre. Mbështetje sot, i duhet dhënë jo vetëm nga sistemi i drejtësisë por edhe nga politika dhe shoqëria”, shkruan Gjonaj.
/rtsh.al/