E Diel, 1 Nëntor 2026

Kosovë, ofertat për koalicionin qeverisës janë gati

Fituesi i zgjedhjeve të jashtëzakonshme parlamentare, kryeministri në ikje, Hashim Thaçi, i ka përgatitur tashmë ofertat për t`ua dërguar partive të tjera politike për partneritet qeverisës, ndërsa është duke e pritur vetëm certifikimin e zgjedhjeve nga KQZ, që të nisë zyrtarisht “betejën e kalkulimeve”.
Vetë Thaçi ka deklaruar se nga dita e sotme (e hënë) do të fillojnë bisedimet për koalicionin e ri qeverisës, ndërsa zyrtarë brenda PDK-së nuk kanë dhënë detaje se në cilat adresa do të dërgohet oferta e tyre. Sipas tyre, PDK është e hapur për bashkëqeverisje, por në këtë rrugë ka vendosur që t`i “injorojë” disa nga subjektet politike.
Jozyrtarisht thuhet se Hashim Thaçi tashmë ka arritur marrëveshje me njërën nga partitë politike shqiptare, përfshirë edhe pakicat, por kjo mohohet nga zyrtarët e të gjitha partive politike.
Memli Krasniqi nga PDK-ja ka deklaruar se sapo të bëhet certifikimi i rezultatit përfundimtar të zgjedhjeve parlamentare, subjekti i tij politik është i gatshëm që menjëherë të procedojë me ftesa zyrtare për zhvillimin e bisedimeve për arritjen e marrëveshjeve për koalicionin e ri qeverisës.
Sipas tij, PDK dhe organet e saja vendimmarrëse ende nuk kanë vendosur se cilat parti politike do të ftohen për konsulta, por për këtë çështje ai ka thënë se do të vendoset brenda ditës.
Krasniqi ka lënë të kuptohet se jo të gjitha subjektet do të ftohen për bisedime, duke aluduar këtu tek Lëvizja “Vetëvendosje” e Albin Kurtit, që pritet të mbetet jashtë këtyre konsultave.
“Nuk jam i sigurt se do të ftohen të gjitha partitë politike ”, ka thënë ai duke u përgjigjur në pyetjen se a do të ftohen edhe partitë të cilat janë deklaruar kundër hyrjes në një qeveri që drejtohet nga Hashim Thaçi. Mirëpo, jo njësoj PDK do të veprojë me LDK-në e Isa Mustafës, e cila do të jetë pjesë e këtyre konsultave, edhe pse është deklaruar kundër bashkëqeverisjes më PDK-së.
Duke komentuar pohimet se ditëve të fundit se tashmë ka përafrim të qëndrimeve në mes PDK-së dhe AAK-së, Memli Krasniqi ka theksuar se “as nuk ka largim dhe as përafrim, derisa s`kanë filluar ende bisedimet”.
Edhe partia e Ramush Haradinajt vazhdon t`i qëndrojë besnike zotimit të saj të mëparshëm se nuk do të pranojë të hyjë në një qeveri që do të drejtohet nga kryeministri Thaçi. Sekretari i AAK-së, Burim Ramadani e përjashton çdo mundësi që AAK-ja tashmë të ketë ndryshuar kursin politik.
Sipas tij, AAK nuk ka hequr dorë nga “vija e kuqe” karshi bashkëqeverisjes me PDK-në dhe Thaçin, edhe pse deklaron se “AAK do t`i përgjigjet pozitivisht ftesës së PDK-së për të biseduar rreth formimit të ekzekutivit të ardhshëm qeveritar.
“Jemi në pritje të ofertës dhe AAK do ta ketë kundërofertën, por ajo që nuk ndryshon në asnjë situatë dhe rrethanë është se ne nuk do ta pranojmë për kryeministër Hashim Thaçin”, ka thënë Ramadani.
Ndërkaq, AKR-ja e Behgjet Pacollit është “zbutur” nga qëndrimi i saj se nuk do të bëjë marrëveshje më asnjë parti politike që nuk ka program të afërt më AKR-në. Megjithatë, edhe ky subjekt politik thotë se nuk do të lëshojë pe për postin e presidentit të Kosovës që synohet të drejtohet nga Behgjet Pacolli.
“Presim që gjatë ditës së hënë ose të së martës të marrim një ftesë nga PDK-ja për fillimin e konsultave për krijimin e qeverisë së re, edhe pse deri më tani s`kemi pasur asnjë ftesë zyrtare. Por, ajo që dihet është se AKR nuk heq dorë nga posti i presidentit”, ka thënë nënkryetarja e AKR-së, Mimoza Kusari-Lila.
Marrëveshjes për krijimin e qeverisë së re që pritet të kulmojë para 17 shkurtit, pritet t`i hapë rrugë certifikimi i zgjedhjeve parlamentare nga KQZ-ja.
Ndryshe, nëse PDK kërkon bashkëqeverisje me AAK-në dhe AKR-në me idenë që koalicioni të jetë më i qëndrueshëm, atëherë bazuar në apetitet e këtyre dy partive, PDK-së do t`i mbetet vetëm një post i parrezikuar, posti i kryeparlamentarit.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›