“Gërdeci”, beteja mbetet në duart e familjarëve të viktimaveNga TemaViti që po lëmë pas për familjarët e një prej ngjarjeve më të rënda të ndodhura vitet e fundit në vendin tonë, asaj të Gërdecit, ka qenë një betejë për zbardhjen e plotë të tragjedis
Nëse dëshironi të lexoni edicionin online të gazetës në PDF klikoni këtu.
“Gërdeci”, beteja mbetet në duart e familjarëve të viktimaveNga TemaViti që po lëmë pas për familjarët e një prej ngjarjeve më të rënda të ndodhura vitet e fundit në vendin tonë, asaj të Gërdecit, ka qenë një betejë për zbardhjen e plotë të tragjedisë dhe ndëshkimin e përgjegjësve. Një betejë, në të cilën janë gjendur të vetëm dhe pa përkrahje. Institucionet kryesore të drejtësisë në vend, prokuroria, gjykatat dhe Ministria e Drejtësisë, pothuajse në të gjitha vendimet e tyre janë shprehur kundër tyre. Mjafton të përmendet këtu vendimi i Gjykatës së Lartë për pushimin e dosjes penale për një prej të akuzuarve kryesorë për këtë tragjedi, ish-ministrin e Mbrojtjes, Fatmir Mediu. E njëjta gjë mund të thuhet edhe për qeverinë e kryeministrit Berisha, e cila, edhe pse premtoi se çdo deputeti apo ministri që akuzohet apo procedohet për vepra të ndryshme, do t’i hiqej imuniteti, në rastin e Mediut nuk e mbajti këtë premtim. Jo vetëm kaq, por edhe ndihmën financiare që u premtoi të plagosurve dhe viktimave të Gërdecit, ua mohoi, duke u mjaftuar vetëm me disa lëmosha. E vetmja që ka dalë disi në krah të familjarëve të viktimave ka qenë opozita, e cila, gjithsesi nuk ka këmbëngulur fort dhe kur duhej për këtë çështje, duke e shfrytëzuar atë më shumë për kapital politik.
Drejtësi e shurdhër
Kështu mund të quhet me të drejtë drejtësia jonë, pasi institucionet kryesore të saj në Shqipëri, Prokuroria e Përgjithshme, Gjykata e Lartë dhe Ministria e Drejtësisë, janë treguar indiferente ndaj çështjes më të dhimbshme të ndodhur në vendin tonë, që pas trazirave të vitit 1997. Ndërsa familjarët e viktimave të tragjedisë së Gërdecit kanë kërkuar me çdo kusht gjykimin e çdo të dyshuari për këtë ngjarje, kushdo qoftë ai dhe pavarësisht postit apo pushtetit, institucionet kryesore të drejtësisë e kanë bërë veshin e shurdhët ndaj kësaj kërkese. Veprimet e këtyre të fundit kanë shkuar pothuajse të gjitha në dëm të familjarëve të viktimave të Gërdecit. I tillë është vendimi i Gjykatës së Lartë, që pushoi dosjen penale ndaj Fatmir Mediut, duke e lënë të lirë atë për shkak të imunitetit. Shumë juristë e cilësuan këtë si një veprim të gabuar dhe një keqinterpretim të Kushtetutës nga ana e Gjykatës së Lartë. Për të korrigjuar veprimin e vet, Gjykata e Lartë pranoi paditë e dy të plagosurve në shpërthimin e 15 marsit ndaj Mediut. Por, për akuzën kryesore, atë të përgjegjësisë për vdekjen e 26 personave, Mediu nuk do të gjykohet. Familjarët kanë bërë të gjitha përpjekjet e tyre për gjykimin e Mediut. Ata e kallëzuan penalisht atë në Prokurorinë e Përgjithshme, por kjo e fundit nuk ndërmori asnjë veprim dhe nuk u ktheu përgjigje familjarëve të viktimave. Madje, kryeprokurorja, Ina Rama, nuk denjoi as t’i priste në zyrë ata për t’iu shpjeguar, nëse do të merrej apo jo ndonjë veprim konkret për Fatmir Mediun. Për këtë arsye, familjarët e viktimave i dërguan një peticion Kuvendit, ku kërkohej heqja e imunitetit të Mediut, me qëllim gjykimin e tij. “Nëse premtimi publik i z. Berisha dhe mazhorancës parlamentare që ai përfaqëson, është për t’u marrë i mirëqenë, atëherë do të çelej rruga e procedimit, jo vetëm për veprat penale të plagosjeve të rënda e të lehta, por edhe ato që ndiqen nga Prokuroria e Përgjithshme për shpërdorim detyre, vrasje, shkatërrim prone, mosrespektim i rregullave të operimit me lëndët plasëse etj. Nëse ky premtim është i sinqertë, atëherë askush nga të pandehurit nuk do mund t’i fshihet drejtësisë dhe kjo e fundit do triumfojë”, - thuhej në peticionin e Shoqatës së Familjarëve të Viktimave të Gërdecit. As kjo kërkesë e tyre nuk u mor parasysh, edhe pse kryeministri Berisha kishte premtuar se çdo deputeti apo ministri që akuzohej apo procedohej për vepra të ndryshme, do t’i hiqej imuniteti. Duke parë heshtjen dhe mosveprimin e drejtësisë në vend, familjarët e viktimave i janë drejtuar Gjykatës së Strasburgut, me shpresën se ndoshta një ditë Fatmir Mediu do të gjykohet për tragjedinë e 15 marsit.
Anashkalimi i tragjedisë nga qeveria
Edhe pse Gërdeci ka qenë një nga pikat më kritike në Progres-Raportin e KE për Shqipërinë, e cila shprehej se kjo çështje duhet të zbardhet plotësisht dhe autorët duhet të ndëshkohen, pavarësisht postit, kjo pikë është anashkaluar nga ana ministrit të Drejtësisë, Bujar Nishani, gjatë diskutimit të këtij Progres-Raporti për drejtësinë. Ky i fundit, i cili përfaqësonte qeverinë në Komisionin e Ligjeve, nuk ka thënë as një fjalë për çështjen në fjalë, por është marrë me diskutimin e disa ligjeve të miratuara nga ana e parlamentit në fushën e drejtësisë. Në Komisionin e Ligjeve janë diskutuar të gjitha pikat ku sistemi gjyqësor ka marrë vërejtje, përveç pikës ku analizohen procedurat gjyqësore të Gërdecit, për të cilën akuzohej ish-ministri i Mbrojtjes, Fatmir Mediu. Në vend të saj, ministri i Drejtësisë ka diskutuar lidhur me ligjet që ka miratuar parlamenti në vitin e fundit, por edhe ato që duhet të miratohen, me qëllim përmirësimin e legjislacionit shqiptar, që kërkohet me ngulm nga ana e Bashkimit Evropian. E ndërsa pritej që ky i fundit të prekte edhe çështjen e Gërdecit, sadopak qoftë, një gjë e tilla nuk ka ndodhur dhe mbledhja e Komisionit të Ligjeve është mbyllur pa u diskutuar fare për të. Kjo tregon qartë marrjen jo seriozisht nga ana e qeverisë së tragjedisë së 15 marsit, në të cilën humbën jetën 26 persona dhe u plagosën më shumë se 300 të tjerë. Mungesa e seriozitetit te qeveria vihet re edhe te premtimi i pambajtur i kryeministrit Berisha për ndihmë financiare ndaj familjarëve të viktimave të Gërdecit. Madje, kryeministri Berisha u tall publikisht me një prej këtyre të fundit, Mimoza Krujën, të cilën e përdori për fushatë politike, duke i premtuar se brenda dy ditëve do të merrte ndihmë financiare. Por, edhe sot e kësaj dite premtimi i tij nuk është mbajtur, ndërsa Mimoza Kruja mban gjallë fëmijët e vet vetëm me paratë që merr si pastruese. Të njëjtën gjë ka bërë edhe aleati i tij në qeveri, Ilir Meta, i cili në shtëpinë e një prej familjarëve të viktimave të 15 marsit, Zamira Durdës, kishte premtuar se do të bënte çmos për të ndikuar në gjykimin e të akuzuarve si përgjegjës. Pas ardhjes në pushtet, Meta e harroi premtimin e dhënë dhe tashmë ndodhet në qeveri me njerëzit që para 28 qershorit i akuzonte si përgjegjës të shpërthimit në Gërdec.
Indiferenca për problemet
Familjarët e viktimave të Gërdecit i kanë kujtuar më shumë se një herë kryeministrit Berisha faktin se, pavarësisht se shteti u ka shkaktuar tragjedinë më të madhe që mund t’u ndodhte, i ka lënë ata në mëshirë të fatit. Për këtë arsye, duke përmendur rastin e Kujtim Osmanit, i cili humbi jetën pak javë më parë, ata kanë kërkuar më shumë vëmendje nga ana e shtetit. “Kjo tragjedi që ka marrë me vete përgjithnjë shpirtrat e të dashurve tanë, ka lënë pas një mori hallesh e problemesh që po persekutojnë familjarët, sikur të mos mjaftonte rëndimi shpirtëror, moral e psikologjik i tyre”, - thonë familjarët e viktimave të 15 marsit. Duke iu referuar rastit të Kujtim Osmanit, familjarët i kanë kujtuar kryeministrit Berisha dhe drejtësisë se, “ky rast denoncon edhe njëherë kushtet çnjerëzore sociale e psikologjike që po përjetojnë familjarët e viktimave, të flakur në varfëri, papunësi, e probleme me strehimin, ndërkohë që fatkeqësia familjare nuk na lejon të përballojmë me të gjitha forcat tona këto probleme jetësore që na prekin. I drejtohemi institucioneve të së drejtës, i drejtohemi të gjithë qytetarëve që e duan drejtësinë të na mbështesin në rrugën tonë për t’i shpëtuar humnerës, drejt së cilës po na shtyn padrejtësia e indiferenca shtetërore. Ktheni vëmendjen drejt Gërdecit, kësaj plage, së cilës në rast se nuk i gjenden fajtorët, rrezikon të kthehet në kancer social. Kërkojmë të përshpejtohet shqyrtimi dhe procedimi i të gjitha çështjeve ligjore që kanë të bëjnë me padrejtësinë që i është kryer viktimave të Gërdecit. Gjithashtu kërkojmë në mënyrë urgjente ndihmë sociale e shërbime shëndetësore të aksesueshme për të gjithë familjarët e viktimave, të cilët në një vit e gjysmë janë lënë në indiferencë të plotë të enden dyerve të institucioneve pa marrë kurrë ndihmën që u takon”. Ndoshta vitin që vjen drejtësia dhe shteti do të kujtohen për këta njerëz, me qëllim lehtësimin sadopak të dhimbjes për humbjen e njerëzve të tyre më të dashur.