Kriza, dërgesat e emigrantëve 200 milionë më pak se vjetNga TemaDërgesat në para të emigrantëve këtë vit janë shumë të ulëta se sa vjet dhe kanë ndikuar drejtpërsëdrejti në nivelin e konsumit, i cili në muajin nëntor ishte rreth 8 përqind më i vogël
Nëse dëshironi të lexoni edicionin online të gazetës në PDF klikoni këtu.
Kriza, dërgesat e emigrantëve 200 milionë më pak se vjetNga TemaDërgesat në para të emigrantëve këtë vit janë shumë të ulëta se sa vjet dhe kanë ndikuar drejtpërsëdrejti në nivelin e konsumit, i cili në muajin nëntor ishte rreth 8 përqind më i vogël se sa vitin e kaluar. Të dhëna nga Banka e Shqipërisë bëjnë të ditur se deri në fund të nëntorit dërgesat e emigrantëve shqiptarë ishin 200 milionë euro më pak se vjet për të njëjtën kohë. Vështirësitë ekonomike të vendit janë të shumta, por ulja e dërgesave të emigrantëve ka ndikuar drejtpërsëdrejti në shpenzimet e shumë familjeve shqiptare, të cilat janë të varura nga këto të ardhura. Niveli më i ulët i konsumit prej rreth 8 përqindësh nuk ka ardhur vetëm prej uljes së dërgesave të emigrantëve, por edhe për shkaqe të tjera, që kanë të bëjnë me ngadalësimin e ekonomisë në shumë sektorë. Megjithatë, Banka e Shqipërisë vëren se ndikimi i uljes së dërgesave është element me rëndësi në rënien e konsumit. Dërgesat e emigrantëve shqiptarë janë pakësuar për shkak të krizës ekonomike që po kalojnë disa prej vendeve më të zhvilluara të botës dhe ku gjenden shumica e emigrantëve shqiptarë. Ekonomia shqiptare e ka të pamundur të qëndrojë në gjendjen e tanishme pa paratë që vijnë nga emigrantët, të cilat sjellin çdo vit mbi një miliardë euro, dhe e gjithë kjo sasi parash shkon për të mbuluar deficitin e thellë tregtar të vendit, por më anë tjetër ajo shërben për të mbajtur gjallë shumë biznese dhe për të bërë më fleksible ekonominë tonë.
Mungesa e 200 milionë eurove në ekonominë shqiptare është një problem i madh, por të dhënat thonë se dërgesat e emigrantëve nuk po japin asnjë shenjë se do të përmirësohen, ndërkohë që vetë ekonomia shqiptare është në ditë të vështira dhe nuk ka asnjë mundësi në gjendjen e tanishme për të kompensuar këtë mungesë.
Ndërkohë, para disa kohësh Banka Botërore e kishte paralajmëruar se pavarësisht krizës financiare që përfshiu botën, dërgesat e emigrantëve do të binin, kjo për shkak se ata do të krijonin jetën e tyre në shtetet ku punojnë dhe do dërgonin më pak para.
Ekonomia shqiptare aktualisht po vuan nga rënia e aktivitetit të biznesit dhe nga rënia e shitjeve. Rënia e nivelit të konsumit është një tregues edhe për ekonominë e ngadalësuar, por edhe për varfërinë, e cila ka thelluar impaktin e saj. Në një kohë të vështirë ekonomike, familjet e varfra janë ato që vuajnë më shumë dhe që preken të parat. Qeveria shqiptare nuk ka pasur asnjëherë, dhe nuk ka as tani, asnjë plan se si mund të ndihmojë familjet e të papunëve. Kjo kategori familjesh është krejtësisht jashtë vëmendjes së qeverisë. Niveli i papunësisë është mbi 13 përqind, sipas të dhënave zyrtare, dhe kjo do të thotë e më shumë se 100 mijë njerëz janë pa punë. Shumica e këtyre familjeve jetojnë vetëm me ato që vijnë nga emigrantët dhe rënia e dërgesave i ka prekur ato më të parat.