E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gërdeci shtyn protestën

ULËZ - Sikurse edhe minatorët e Bulqizës, pronarët e tokave të përmbytura nga liqeni i Ulzës e shtynë protestën e planifikuar për ditën e djeshme, në nderim të viktimave në tragjedinë e Gërdecit. Megjithëse dy para shpërthimit të municioneve, organizatorët kishin vendosur njoftime në vende publike, sidomos në qytetin e Ulzës, ata do ta shtyjnë protestën për disa ditë, për t’u bashkuar kështu me dhimbjen e shqiptarëve pas asaj tragjedie. “Janë të mirëpritur të marrin pjesë në protestë pronarët, së bashku me të afërmit e tyre, si edhe banorët e Luginës së Matit, nga Ulza, Bazi, Bushkashi, Rre-Bazi, Uraka, etj”, njoftohej disa ditë më parë nga organizatorët e protestës. Kryetari i komisionit organizator, Mark Lala, pohoi se “nuk kishte kuptim që banorët e tokave të përmbytura të harronin atë çfarë ndodhi në kryeqytet, ndaj protestën e planifikuar do të zhvillohet në një moment tjetër”. Edhe dy vjet më parë, përfaqësuesit e 280 pronarëve të përmbytur nga liqeni i Ulzës në vitin 1953, protestuan në sheshin “Gjin Marku” të Ulëzës, pranë digës së hidrocentralit. Atëherë ata u mbështetën nga disa deputetë të mazhorancës, ndërkohë që tani nuk mbështeten nga asnjë ligjvënës apo pushtetar. Ish-pronarët kanë përgatitur të gjithë dokumentacionin ligjor, të cilin e kanë dorëzuar pranë zyrave të kthimit e kompensimit, por nuk kanë marrë zgjidhje.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›