E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gërdeci, gjykata taksë milionëshe për familjarët e viktimave

Në prag të katër vjetorit nga ngjarja ku humbën jetën 26 persona dhe qindra të tjerë u plagosën si pasojë e një shpërthimi në punishten e municioneve në periferi të Tiranës, Gjykata e Tiranës ka rikthyer për rigjykim kërkesat e 16 familjeve që kërkojnë të dëmshpërblehen financiarisht për dëmet që kanë pësuar nga ngjarja e 15 marsit 2008. Me gjithë burokracitë dhe zvarritjet e shumta, gjykata ka vendosur së fundmi që secila familje të paguajë një taksë për kryerjen e padive në gjykatë.

Familja Deliu, që regjistron më shumë viktima nga shpërthimi, duhet të paguajë në gjykatë një taksë prej tre për qind të të gjithë shumës që kërkon. Në total, familja Deliu i kërkon Qeverisë, Ministrisë së Mbrojtjes dhe kompanisë Sac-Albademil, një dëmshpërblim mbi një miliard lekë. Nga përllogaritjet e gjykatës, kjo familje duhet të paguajë një shumë rreth 40 milionë lekë të vjetra, pasi në të kundërt nuk mund të regjistrojë asnjë kërkesë në gjykatë.

Avokatët e kësaj familjeje kanë filluar menjëherë kundërshtimin e kërkesave të gjykatës, pasi pretendojnë se ndaj këtyre familjeve nuk duhet të zbatohen këto sanksione. Familjarët janë njerëz të dëmtuar totalisht, pasi kanë humbur njerëzit e afërt në tragjedinë e Gërdecit dhe taksa që u kërkon shteti u duket e ekzagjeruar. Ata pretendojnë se drejtësia duhet të lëvizë menjëherë, pasi në këtë mënyrë shteti po i vret për të disatën herë. E njëjta situatë është edhe për 15 familjet e tjera, të cilat duhet të paguajnë “taksën” e vënë nga drejtësia, që llogaritet në miliona lekë.

Rigjykimi

Kur duhen edhe 17 ditë nga përvjetori i katërt i tragjedisë së Gërdecit, trashëgimtarët e 26 viktimave vazhdojnë të enden në dyert e gjykatës për dëmshpërblimet. Gjykata e Tiranës, pas më shumë se tre vitesh gjykim, vendosi që paditë e familjarëve të ndahen dhe të mos gjykohen bashkërisht.

Kështu, 16 familjet do të paraqiten sërish në gjykatë për të përfituar dëmshpërblimin e premtuar nga Qeveria dhe Ministria e Mbrojtjes. Disa ditë më parë, administrata e gjykatës ka hedhur sërish shortin për paditë e familjarëve të viktimave të Gërdecit. Duhet të rifillojë gjykimi për familjes Ase, Laçi, Ballanzhi, Hazizaj, Durdaj, Alla Malçi, Hamolli, Cani, Kaca, Kruja, Cani, Alhasa, Deliu, Ahmeti dhe Canga. Të paditur janë Këshilli i Ministrave dhe Ministria e Mbrojtjes. Lloji i çështjes është “Shpërblim dëmi pasuror”.

Paditë

Trashëgimtarët e viktimave të Gërdecit kanë paditur Kryeministrinë, Ministrinë e Mbrojtjes dhe kompanitë Sac-Albademil. Sipas tyre, Kryeministria është person juridik, publik, që mbështet veprimtarinë e Këshillit të Ministrave, të Kryeministrit, të zëvendëskryeministrit dhe të ministrit të Shtetit, përgjigjet civilisht, me pasurinë e saj, për shkak të miratimit të vendimit nr.138, datë 14.03.2007 (për demontimin e municioneve), që nuk arrin të rregullojë të gjithë procedurën siç parashikohet në ligj.

“Siç del nga aktet e administruara në dosje, Këshilli i Ministrave ka miratuar me vendimin e tij nr.138, datë 14.03.2007, procedurën e trajtimit të armëve, teknikës dhe pajisjeve të Forcave të Armatosura, nga ku zë fill gjithë kjo veprimtari demontimi, e cila ka sjellë këtë pasojë kriminale. Megjithëse synon të ketë normuar të gjithë procedurën, Këshilli i Ministrave nuk ka arritur me atë vendim, që të normojë momente të tilla si: mënyrën e përzgjedhjes së kontraktorit për shitjen e municioneve për demontim, çfarë ndodh dhe kush mban përgjegjësi nëse ai dëmton të tretët, çfarë lloj kushtesh sigurie duhet të plotësojë, a duhet të depozitojë ndonjë garanci për llogari të ministrisë në rast dëmi, pasi është një veprimtari me burim rreziku të shtuar etj”, thuhet në padi.

Sipas tyre, Kryeministria nuk ka ndërmarrë asnjë veprim që të përmbushë detyrimin kushtetues, pra të siguronte zbatimin e legjislacionit. “Nëse Kryeministria do të kishte vepruar në mënyrë aktive, siç Kushtetuta e ngarkon, do të kishte ndaluar një ministër të nxirrte akte të tilla të kundërligjshme”, - pohojnë trashëgimtarët në padi. Ata kërkuan që secila viktimë të dëmshpërblehet me 200 milionë lekë (të vjetra), ndërsa së fundmi kanë modifikuar kërkesat, duke kërkuar që krahas shpërblimit për humbjen e jetëve, të dëmshpërblehen edhe familjet e tyre për mungesën e të ardhurave. /Start/Shqip/

                                                                                             2012-02-27 12:40
   

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›