E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gërdeci, gruaja kërkon 10 mln se humbi fëmijën

Një vit më parë, gruaja ka humbur krijesën e saj të dashur që do ta sillte në jetë për pak muaj. Ka pritur më kot që shteti të kujtohet për të dhe ta dëmshpërblejë. Ndaj ka zgjedhur t'i drejtohet gjykatës së Tiranës 

TIRANE-Anisa Sogani është vetëm një nga qindra të plagosurit në tragjedinë e 15 marsit në Gërdec. Një vit më parë, gruaja ka humbur krijesën e saj të dashur që do ta sillte në jetë për pak muaj. Ka pritur më kot që shteti të kujtohet për të dhe ta dëmshpërblejë për dëmin e madh që i është krijuar, për shkak se ka dështuar fëmijën e saj nga dëmtimet e rënda që kishte marrë nga shpërthimi i fabrikës së çmontimit të municioneve. Ndaj ka zgjedhur t'i drejtohet gjykatës së Tiranës. Së bashku me bashkëshortin Adriatik Sogani, Anisa ka paditur kompaninë shtetërore MEICO, (Military Export Import Company), Ministrinë e Mbrojtjes, që në atë kohë drejtohej nga Fatmir Mediu dhe kompaninë amerikane Southern Ammunition Company INC. Çifti Sogani i kërkon gjykatës të detyrojë institucionet shtetërore dhe kompaninë e huaj ta shpërblejnë me një vlerë prej 10.000.000 lekësh për "dëmin pasuror dhe jo pasuror shkaktuar familjes Sogani, si pasojë e dëmtimit të shëndetit të paditëses Anisa Sogani dhe humbjen e fëmijës prej saj nga ngjarja e shpërthimit të fabrikës së demontimit të municioneve në fshatin Gërdec më datë 15.03.2008, në shumën 10.000.000 lekë". Kërkesë-padia civile do të shqyrtohet nga gjyqtari Altin Shkurti.

(d.b/GSH/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›