E Shtunë, 31 Tetor 2026

Withers: Informacioni forcon besimin tek gjykata

Ambasadori amerikan, Withers ka qene dje në çeljen e Zyrës së Informimit Publik në Gjykatën e Gjirokastrës. Kryediplomati amerikan beri me dije se te kjo zyre qytetari mund te marre informacion ligjor ne cdo kohe 

GJIROKASTËR - "Sot po hapim një zyrë informacioni në Gjirokastër, e cila do të jetë një qendër për të gjithë, duke filluar nga qytetarët të cilët mund të marrin informacion për ligjet procedurat, etj. Sistemi i Drejtësisë duhet të ketë informimin dhe besimin e qytetarëve dhe kjo zyrë është themeli i këtij besimi", - ka theksuar midis të tjerave, ambasadori amerikan, Withers dje në çeljen e Zyrës së Informimit Publik në Gjykatën e Gjirokastrës. Në përurimin e kësaj zyre, që u mundësua me financimin 20 mijë dollarë nga USAID-i dhe OSBE-ja, ishin të pranishëm gjithashtu dhe nënkryetari i Këshillit të Lartë të Drejtësisë, Kreshnik Spahiu; ministri i Drejtësisë, Enkelejd Alibeaj dhe drejtues të tjerë të institucioneve të Drejtësisë. Ambasadori amerikan shprehu kënaqësinë që i jepet mundësia të jetë në këtë eveniment, në vendlindjen e shkrimtarit të njohur Ismail Kadare. "E kam njohur Gjirokastrën nga veprat e Kadaresë, të cilin e kam takuar nga afër, dhe e kuptoj më mirë tani që shoh nga afër Gjirokastrën. Tani e shoh pse ka pasur aq frymëzim në veprën e Kadaresë, veçanërisht tek vepra e tij më e dashur për mua, 'Kronik në gur'. Tani e kuptoj pse Gjirokastra është e zgjedhur ndër dhjetë gjykatat pilot për këtë projekt", - shtoi më tej ambasadori mik. Ndërsa, në fjalën e tij, Kreshnik Spahiu u ndal në disa detyra që dalin para organeve të Drejtësisë; pavarësinë e gjyqësorit dhe vendimmarrjen në bazë të ligjit. "Personalisht, mbetem i ndjeshëm ndaj rëndësisë që ka në dhënien e drejtësisë, aksesi i publikut në gjykatë dhe në gjykim; në sportelet e kryesekretarisë dhe dyert e sallave ku zhvillohen gjykimet. Të informohesh mbi trajtimin e të drejtës së pretenduar, do të thotë të kuptosh çfarë të takon, dhe kjo përbën detyrimin e plotë të shtetit për të dhënë informacion", - shtoi ai.

(d.b/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›