E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gërdeci, hetim ish-ministrit Mediu

Prokurorët e Tiranës "heqin dorë" nga dosja e Gërdecit. Tragjedia do të hetohet në Prokurorinë e Përgjithshme

Prokurorët: Ka dyshime se ish-ministri i Mbrojtjes, Fatmir Mediu, ka kryer shpërdorim detyre

TIRANË- Dy javë pas shpërthimeve në fshatin Gërdec, ku humbën jetën 22 persona dhe u plagosën qindra të tjerë, prokuroria e Tiranës zbulon elementë të veprës penale në morinë e urdhrave të firmosur nga ish-Ministri i Mbrojtjes, Fatmir Mediu. Ka mjaftuar një gjysmë-akuzë për shpërdorim detyre, që grupi i prokurorëve të Tiranës të heqë dorë nga çështja, duke ia deleguar katastrofën e Gërdecit Prokurorisë së Përgjithshme. Ky lajm bëhet i ditur nga zyra e shtypit pranë kryeprokurores Ina Rama, e cila njofton se vazhdimi i mëtejshëm i hetimit do të kryhet në Prokurorinë e Përgjithshme, pasi ka dyshime që ish-ministri i Mbrojtjes, aktualisht deputet në Kuvendin e Shqipërisë, të ketë konsumuar veprën penale të "shpërdorimit të detyrës". Meqënëse Mediu ka imunitet, hetimi i mëtejshëm i tij për tragjedinë e Gërdecit mund të kryhet vetëm pranë zyrës së kryeprokurores Ina Rama.

"Grupi hetimor i Prokurorisë së Tiranës, i cili është marrë për dy javë me çështjen e shpërthimeve në Gërdec vendosi të shpallë moskompetencën e Prokurorisë së Tiranës për vazhdimin e hetimit të kësaj çështjeje dhe t'ia kalojë aktet instancës kompetente, Prokurorisë së Përgjithshme",-thuhet në njoftimin për shtyp të zëdhënëses Olta Zhiti. Ajo shton më tej se në këtë konkluzion u arrit për shkak se prej të dhënave të përfituara nga hetimi i deritanishëm, grupi hetimor ka dyshime në kuadër të kësaj çështjeje, se ka elemente të veprës penale, sipas së cilave ish-ministri i Mbrojtjes, Fatmir Mediu, mund të ketë konsumuar akuzën e "shpërdorimit të detyrës". Për këtë shkak, duke qenë se hetimi i personave që gëzojnë imunitet është në kompetencë të Prokurorisë së Përgjithshme, dosja ka kaluar për shqyrtim tek prokurorët e kësaj prokurorie. Ky vendim u mor pasditen e djeshme, pasi grupi i përbërë hetimor ishte mbledhur prej orës 09.00 të mëngjesit e deri në 17.00 të pasdites. "Gjatë gjithë ditës kemi bërë analizën e provave të mbledhura deri tani dhe krahasimin e dokumentave të sekuestruara në Ministrinë e Mbrojtjes, për të dalë në përfundime",-bëri dje me dije një anëtar i grupit hetimor për "Shekullin".

Pas arrestimit të menjëhershëm të ish-drejtorit të MEICO-s, Ylli Pinari, grupi i prokurorëve nuk nxitoi të merrte nën hetim zyrtarë të tjerë për tragjedinë e Gërdecit. Por dy javë pas hetimeve intensive, duket se rrethi i të hetuarve do të zgjerohet nga kulmi i piramidës së Ministrisë së Mbrojtjes deri në bazë. "Nga hetimet e deritanishme është ngritur dyshimi se ministri i Mbrojtjes, Fatmir Mediu, ka konsumuar veprën penale të "shpërdorimit të detyrës". Ai kapropozuar ligjin për tregtinë e armëve dhe municioneve nga kompanitë private, ndryshimin e strukturës së Ministrisë së Mbrojtjes dhe zgjerimin e kompetencave të ndërmarrjes shtetërore MEICO",-pohuan pjesëtarë nga grupi i hetimit. Megjithatë, pozita e ish-ministrit Mediu është rënduar edhe nga qëndrimi i ushtarakëve më të lartë në vend, të cilët ia kanë faturuar atij tragjedinë e Gërdecit, gjatë dëshmive të tyre në prokurori. "Ndër dokumentet e lidhura në dosjen hetimore që tashmë i ka kaluar Prokurorisë së Përgjithshme për kompetencë, janë renditur edhe disa shkresa zyrtare dhe procesverbale të ushtarakëve të lartë të Shtabit të Përgjithshëm, të cilët në disa momente kanë njoftuar ministrin Mediu për vështirësitë e tyre në kryerjen e inspektimit në fabrikën e Gërdecit, pasi nuk lejoheshin nga drejtuesit e kompanisë MEICO dhe firmës kontraktuale "Albademil". Nga ana e tij, ministri Mediu ka mohuar ekzistencën e këtyre lajmërimeve, por ballafaqimi i këtyre dëshmive pritet të kryhet në të ardhmen. "Në Prokurorinë e Përgjithshme, menjëherë pas dorëzimit të dosjes hetimore për moskompetencën e hetimit të saj, ka filluar shqyrtimi i materialeve për të vlerësuar vendimin e marrë prej prokurorëve të Prokurorisë së Tiranës",-thuhet në njoftimin për shtyp të shpërndarë mbrëmë nga zyra e kryeprokurores Ina Rama.

14

Ditë pas shpërthimeve apokaliptike në Gërdec, grupi i prokurorëve vendosi të shpallë moskompetencën, duke e kaluar dosjen në Prokurorinë e Përgjithshme. Shkak për këtë vendim u bë hetimi i nisur për ish-ministrin Mediu

22

Viktima janë gjetur deri dje në fshatin Gërdec, rreth 10 kilometra larg Tiranës. Shumica e të vdekurve nga shpërthimet kanë qenë punëtorë në fabrikën e predhave, por një pjesë e mirë e tyre ishin edhe banorë që i kishin shtëpitë afër fabrikës

6

Persona po hetohen deri tani nga organi i akuzës, për tragjedinë e Gërdecit. Pak orë pas ngjarjes së rëndë u arrestuan në kushtet e flagrancës Ylli Pinari, Mihal Delijorgji dhe Dritan Minxolli, ndërsa dje, Prokuroria e Përgjithshme bëri me dije se po hetohet edhe Mediu

Zgjerohet rrethi i të hetuarve për tragjedinë e ndodhur në fshatin Gërdec

Punonjësi i MEICO dhe kreu i Logjistikës nën hetim

TIRANË- Dy zyrtarë të Ministrisë së Mbrojtjes merren nën hetim për tragjedinë e ndodhur në Gërdec. Pas arrestimeve të Ylli Pinarit, Mihal Delijorgjit dhe Dritan Minxollit, grupi i prokurorëve ka gjetur përgjegjësi penale edhe në veprimet e kryera nga punonjësi i ndërmarrjes MEICO-s, Sokol Ngjeçi dhe drejtori i Logjistikës pranë Ministrisë së Mbrojtjes, Dashnor Çaushi. Sipas burimeve zyrtare pranë grupit hetimor thuhet se ndaj dy këtyre personave është ngritur dyshimi për kryerjen e veprës penale të "shpërdorimit të detyrës". "Nga hetimet e deritanishme ka rezultuar se dy funksionarët e administratës së Ministrisë së Mbrojtjes kanë kryer "shpërdorim të detyrës" pasi në raste të ndryshme nuk kanë kryer detyrën për të cilën janë ngarkuar"-bëjnë me dije burimet e mësipërme. Mësohet se shtetasi Sokol Ngjeçi ishte ngarkuar nga MEICO për mbikëqyrjen dhe inspektimin e çmontimit të predhave dhe fishekëve. Por sipas hetimeve të kryera nga prokuroria, në asnjë rast ai nuk ka raportuar në Ministrinë e Mbrojtjes për problemet e shumta që kishte kjo punishte çmontimi. Ndërsa drejtori i Logjistikës, sipas këtyre burimeve, ka kryer shpërdorimin e detyrës, pasi nuk ka inspektuar mënyrën e vendosjes së predhave në kamionët e ushtrisë, gjatëtransportimit të tyre drejt fabrikës së Gërdecit. Grupi i hetimit që kishte deri dje dosjen në dorë ka shqyrtuar edhe përgjegjësitë e ushtarakëve të lartë të Ministrisë së Mbrojtjes në këtë tragjedi, por deri në orët e vona të mbrëmjes së djeshme, asnjëri prej tyre nuk është marrë person nën hetim për ngjarjen më të rëndë, të ndodhur kohët e fundit në vendin tonë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›