E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gërdeci, hetimet drejt Kryeministrit

Kongresi Amerikan ka zhvilluar dy seanca pyetjesh, fillimisht me shefin e zyrës së Mbrojtjes dhe Bashkëpunimit të Ambasadës Amerikane në Tiranë, majorin Larry Harrison, e më pas me disa zyrtarë të Departamentit të Mbrojtjes, rreth akuzave për fshehjen e identitetit të fishekëve të blerë në Shqipëri me destinacion Afganistanin. Një ditë më parë kongresmeni Henry A.Ëaxman i kishte shkruar një letër Sekretares së Shtetit, Rice, ku akuzon ambasadorin amerikan në Tiranë, John L.Ëithers II, se ka bashkëpunuar me ish-ministrin shqiptar të Mbrojtjes, Fatmir Mediu, duke ndihmuar në mashtrimin me fishekët. Ambasadori Ëithers, i cili mund të jetë njëri prej të intervistuarve (të pyeturve) të Kongresit, paraprakisht, ka deklaruar se është duke u përgatitur për t’i përgënjeshtruar akuzat.

Nga të dhënat e deritanishme kuptohet se zyrtarë amerikanë, mund të jenë përfshirë në aferën korruptive të trafikut të armëve, duke u parashikuar si çelësi i sigurisë për qeveritarët e korruptuar shqiptarë, të cilët nuk mund ta paramendonin shpërthimin e Gërdecit.

Ndërhyrja e ambasadorit, e cila përshpejtoi heqjen e imunitetit të Mediut, duhet t’i ketë vënë në lëvizje instrumentet në SHBA. Me kopsitjen kaq “perfekte” të gjërave, vetëm një katastrofë me përmasa të dukshme mund ta nxirrte në dritë trafikun e armëve, prej të cilit nxirreshin fitime shumë të mëdha.

Brenda këtij konteksti të komplikuar zhvillimesh, po hetohen, paralelisht, Gërdeci në Shqipëri dhe trafiku i armëve në SHBA. Nuk ka diskutim se ekziston një lidhje e pazgjidhshme mes këtyre dy ngjarjeve. Në procesin që po zhvillohet në Shqipëri, janë vënë në lëvizje faktorët më të rëndësishëm politikë: shumica parlamentare u përpoq ta mjegullojë hetimin e Gërdecit, fillimisht nëpërmjet zvarritjes së imunitetit të deputetit Mediu, e në vijim, rrëzimit të kandidaturave për anëtarët e rinj të Gjykatës së Lartë; ndërsa Presidenti, njëkohësisht edhe Kryetari i Këshillit të Lartë të Drejtësisë, është pozicionuar në anën e atyre që duan zbardhjen e plotë të ngjarjes më të madhe, brenda të cilës janë të ndërthurura të gjithë elementët e mafies shtetërore.

Në SHBA është arrestuar Efraim Diveroli, presidenti 22-vjeçar i Kompanisë AEY, fituese e tenderit prej 300 milionë dollarësh, financuar nga qeveria e SHBA për armatosjen e ushtrisë afgane. Pavarësisht hetimit nga drejtësia, Kongresi Amerikan, nëpërmjet një komisioni të tij, po zhvillon intervista me disa zyrtarë, për të hedhur dritë mbi skandalin e tregtisë së armëve.

***

Hapi i parë i hetimeve, në Shqipëri, është ç’bllokuar në momentin kur ish-ministri i Mbrojtjes mund të thirret lirshëm nga prokuroria. Megjithatë, ky hap nuk mund të konsiderohet i plotë sa kohë që Fatmir Mediu është i lirë të manipulojë me opinionin publik. Ai ka pasur mjaft kohë ta bëjë diçka të tillë. Prokuroria duhet të kërkojë një autorizim shtesë nga Parlamenti për ta arrestuar atë, me qëllim për të mbrojtur provat e domosdoshme që duhen në procesin më të rëndësishëm hetimor në Shqipërinë e pas vitit 1990. Për nga rëndësia, një arrestim i tillë do të ishte i barasvlershëm me të gjitha arrestet, të marra së bashku, të ekzekutuara nga Prokuroria Shqiptare të paktën në tri vitet e fundit.

Deri para pak ditësh, qeveritarët kanë dashur të përdorin “Murin e Rrugës së Elbasanit” si mur rrethues për Gërdecin. Reagimi i Kryediplomatit amerikan në Tiranë, kundër tentativave për të mos i hequr imunitetin ish-ministrit Mediu, ka rrëzuar rrethimin e parë të “kështjellës” së Gërdecit. Të dhënat e deritanishme shtyjnë procesin në mënyrë të pashmangshme, të paktën drejt marrjes në pyetje të Kryeministrit.

Procesit të hetimeve për Gërdecin i është shtuar, së fundi, zëvendësimi i disa anëtarëve të Gjykatës së Lartë. Ky zëvendësim e ka çuar vendin në një krizë institucionale për shkak të rëndësisë së momentit. Gjithçka që ka lidhje me zhvillimet e rëndësishme politike në Shqipëri kalon nëpërmjet Gërdecit, ndërsa të gjitha hetimet që lidhen me këtë çështje, në fund të fundit, kalojnë nëpërmjet Gjykatës së Lartë (personat me imunitet gjykohen direkt nga kjo gjykatë).

***

Mënyra se si po trajtohet emërimi i anëtarëve të rinj të Gjykatës së Lartë, pas rrëzimit të kandidaturave të para në Parlament, të le të kuptosh se kriza mund të thellohet. Presidenti ka patur vullnetin për të krijuar një konsultim ekstra-institucional, me disa përfaqësues institucionesh të drejtësisë dhe juristë të njohur. Por shmangja e konsultimit të emrave me kryeministrin, mund të sjellë që shumica parlamentare t’i rrëzojë përsëri propozimet e Presidentit, të paktën disa prej tyre, duke e futur kështu Shqipërinë në një krizë të rëndë institucionale. Pasojat e kësaj krize mund të reflektohen siç pritet, më së pari, në proceset e integrimit të Shqipërisë. E, ndërkohë, Kryeministri përbën sot “rrethimin e dytë” dhe të fundit të Gërdecit.

Kriza mes Presidentit dhe shumicës parlamentare, është kriza e vetë politikës shqiptare. Ajo është pasojë e sistemit të korruptuar që ka ndërtuar Shqipëria dhe vazhdim i krizave të mëparshme të këtij lloji, në qendër të të cilave qëndron korrupsioni dhe më pas manipulimi me drejtësinë.

Konflikti për anëtarët e Gjykatës së Lartë, është pjesë e betejës politike për të kapur ose për të çliruar drejtësinë shqiptare, në rastin konkret, për të zbardhur ose mjegulluar hetimin e ngjarjes së shekullit në Shqipëri. Një betejë që, tani për tani, në planin e brendshëm do të varet nga pozicionimi i faktorëve kryesorë që kanë ndikimin e tyre në sistemin e drejtësisë, dhe në vetë drejtësinë, e më pas nga vullneti politik i ri qytetar. Ndërsa në planin e jashtëm, nga rezultatet që do të japë drejtësia amerikane. “Rruga e Elbasanit” dhe “rrethimi i Gërdecit” janë dy filozofi krejt të ndryshme me njëra-tjetrën.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›