E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vlorë, qëllohet me armë zjarri një 30-vjeçar

Krismat e armëve kane prishur natën e djeshme qetësinë pranë zonës në Sheshin Omonia. Nga shkëmbimi i zjarrit ka mbetur i plagosur një person i cili ndodhet aktualisht jashtë rrezikut për jetën. Lulëzim Dajko 30 vjeç është dërguar me urgjencë në spitalin e Vlorës dhe pas operacionit, mësohet të ketë dalë nga gjendja e rrezikut, edhe pse gjendja e tij ka qenë e rëndë. Ngjarja ka ndodhur rreth orës 1 të natës së djeshme. 30 vjeçari është goditur nga plumbi në pjesën e shpatullës, dhe plaga ka përparuar në pjesën e përparme , duke dëmtuar mushkëritë. Burime nga policia bëjnë me dije se fillesa e gjithçkaje ka qenë një sherr i nisur më parë, motivet e të cilit ende janë të pasqaruara. 30 vjeçari Dajko ka patur armën automatik në makinën e tij dhe së bashku me një tjetër të njohur kanë kërkuar të sqarohen me një person të tretë, të cilin kanë kërkuar ta nxjerrin nga banesa e vet. Refuzimi nga ky i fundit ka ndezur sërish konfliktin. Pas kësaj ka nisur shkëmbimi i armëve. Po këto burime bëjnë me dije se janë gjetur 20 gëzhoja, armë automatik, ndërsa njëra nga armët dyshohet të jetë shkrehur brenda njërës prej banesave trekatëshe në sheshin Omonia. Kjo e fundit duket se ka qenë edhe objektivi i shënjestrës së palës tjetër, ndërkohë që ende policia nuk ka të ndërtuar versionin e saktë për skenarin e ngjarjes. Në pyetje është marrë Dajko, por gjendja e tij shëndetësore nuk ka premtuar për të zbardhur gjithçka. Një nga thirrjet e fundit në telefonin e Dajko ka bërë që të shoqërohet një nga personat që ka patur dijeni për konfliktin. Ai ka pranuar se Dajko e ka thirrur dhe njoftuar se ka patur një sherr dhe do të shkonte për ta zgjidhur, por ftesa është refuzuar. Për ngjarjen janë shoqëruar në ambientet e komisariatit të policisë 4 persona, një prej të cilëve i dyshuari kryesor për ngjarjen. Fakti që është qëlluar në drejtim të banesës trekatëshe, mendohet që autori i plagosjes së Dajko të jetë kundërpërgjigjur prej saj. Si i dyshuar kryesor është shoqëruar Julian Dervishi, por ai nuk ka pranuar një fakt të tillë. Ende vijojnë hetimet për zbardhjen e plotë të ngjarjes si dhe identifikimin e gjithë të implikuarve në të. Policia vijon hetimet për të zbardhur tërësisht skenarin, por edhe motivin e shkëmbimit të zjarrit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›