E Diel, 1 Nëntor 2026

Kaos i paramenduar

1- Në Maqedoni po zhvillohen ngjarje interesante, (ndokush mund ti quajë edhe zbavitëse), por tej masë të dhimbshme dhe të kushtueshme. Në kuptimin politik, institucional dhe shtetëror zgjedhjet e parakohshme e sollën shtetin e brishtë në një situatë më të ndërlikuar sesa në vitin 2001. Nëse në atë kohë u identifikuan plagët dhe u morën masat për kurim, në kushtet aktuale infeksioni është përhapur rëndshëm.

Nuk kishte si të ndodhte ndryshe përderisa me shumë lehtësi dhe naivitet, Maqedonia u bishtoi prioriteteve dhe hyri në aventurën e kaosit. Lidershipii fqinjit tone, në vend që të përmbushte obligimet ndërkombëtare, harxhoi tre apo katër muaj kohë të arta duke e futur vendin në zgjedhjeshtatanike të cilatas për së largu nuk kishin lidhje me standardet elementare demokratike.

Ky është fatkeqësisht produkti krysor që sollën zgjedhjet. Thënë në mënyrë figurative Maqedonia ngjan me atë të lindurin e parakhshëm shoqëruar me simptoma anemizmi, i brishtë dhe pa peshën e duhur. Lind pyetja kush ishin fituesit dhe humbësit e këtyre zgjedhjeve krejtësisht të panevojshme?Në thelb, nuk kemi fitues në kuptimin politik, gjithkush që hamendet se ka fituar në këto zgjedhje, flet çapraz. Nuk ka fituar as Gruevski me 63 deputetë, madje në kuptimin strategjik dhe shtetëror ai është humbësi më i madh. Nuk ka fituar as BDI-ja që në zgjedhje luante rolin e grindavecit dhe viktimëszhurmëmadhe, ndërsa tani rri urtë me biberonin afër gojës. Nuk ka fituar as PDSH-ja meqë ia varrosën 60 mijë votat, por të paktën as nuk ka humbur. Shtrohet pyetja kush janë fituesit e zgjedhjeve shtatanike? Së pari fitoi kaosi i paramenduar dhe i injektuar nga sponsorat e propagandës. Së dyti ka fituar strategjia greke për çështjen e emrit, së treti fitues është regresi që paralajmëron kriza politike, institucionale dhe shtetërore.

Ta ilustrojmë: akoma pa përfunduar maratona e pafundme dhe qesharake e votimeve u mblodh Parlamenti i ri, fët e fët u zgjodh kryetari i parlamentit, por munguan deputetet e PDSH-së. Mjafton kaq, për ta analizuar shkallë-shkallë situatën. Edhe këtë radhë shqiptarët mbetën me gisht në gojë, as president, as kryeministër as kryetar parlamenti, fatkeqësisht një pjese e politikës shqiptare (BDI) nxitoi t'i vendosë kurorën Trajko Veljanovskit.

Nga ana tjetër bojkoti i deputetëve të PDSH-së sinjalizon se punët nuk shkojnë paq. Sanksionet dhe revanshi zgjedhor ndaj kësaj partie është tregues se hesapet politike nuk janë mbyllur. Nga episodi i parlamentit më i rëndësishëm është fakti se sado që të nxitosh nuk mund të kompensohen muajt me ditë për të zgjidhur çështje të mëdha. Shenjë kjo jo e mirë për institucionin ligjvënës, aq më shumë shenjë aspak komode për kryeministrin Gruevski. Këtë të fundit po e ndjekin një mori telashesh, por nuk ka kujt t'i ankohet përderisa një pjesë të telasheve i inkurajoi vetë.

2- Në mënyrë naive lidershipi institucional dhe shtetëror i Maqedonisë hyri në valle dhe e tërhoqi atë duke e futur lehtësisht vendin në një kaos të paralajmëruar. Për hir të së vërtetës fenomenet e ndodhura para dhe në zgjedhjet e parakohshme janë tejet komplekse, por jo edhe të pa argumentuara..

Në këtë kuptim ngjarjet duhet parë në tri pista. Së pari lidershipi politiko-institucional i prirur për ta futur procesin drejt triumfit absolut partiak, fatkeqësisht u harroj, apo e la pas dorë interesin shtetëror. Me një fjalë i dalldisur drejt kursit të politikave ditore Kryeministri Gruevski la shtigje të hapura për një kaos të paramenduar. Në këto kushte një fitore sado absolute në planin partiak e humbet peshën nëse procesi ka rënë në këtë grackë.

Sado që në pamje të parë ai është komod në esencë ai përballet me një mori problemesh kardinale për perspektivën e vendit të tij. Çështja e emrit nuk mund të cilësohet si kafshatë që kapërdihet lehtë, madje në këtë plan lidershipi politik maqedonas ka humbur relevancën e mëparshme meqë nuk arriti të hetojë se zgjedhjet e parakohshme janë aventurë e kushtueshme.

Tashmë grekët kanë përparësi, arritën ta gozhdojnë Maqedoninë brenda një qarku vicioz. Jo vetëm kaq, kam përshtypjen se zgjedhjet e parakohshme në Maqedoni i dhanë krahë politikës greke për të fituar kohë. Kaosi i azhurnuar nga duar të zgjatura për të minuar procesin në Maqedoni nuk u kuptua nga Gruevskit i cili e shfrytëzoj duke e humbur partnerin e tij qeverisës. Në një situatë të tillë, praktikisht Gruesvki do ta ketë shumë të vështirë për të hedhur hapin e parë qoftë edhe për krijimin e qeverisë.

Pra në kushtet e një kaosi politiko-strategjik, në një fushë të minuar edhe detektorët e kanë të vështirë për të paralajmëruar rrezikun. Jo vetëm kaq. Në kushtet dhe rrethanat pas zgjedhore shtrohen një mori pyetjesh: Sa komod është Gruevski të ngrejë kurbën e autoritetit qeverisës të paktën në kuotat e mëparshme, në vijë të kësaj kë do ftoje në qeverisje? Çdo të ndodhë me çështjen e emrit, kompromis apo referendum? Cila është oferta e tij për shqiptarët si kryeministër i të gjithë qytetarëve? Cili do të jetë qëndrimi ndaj shtetit të Kosovës njohje, apo zvarritje? Sa afër dhe larg është NATO? A është prioritet implementimi i gjashtë kërkesave që i vendosi z. Thaçi?. Apo sërish Maqedonia do kthehet në kilometrin zero aty ku nis aventura e re politike e Cërvenkovskit…?!

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›