E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pishtarët e djegur, pishtarët e ndezur

Minatorët që ndodhen në grevën e urisë ndërmorën dje një akt të fuqishëm simbolik, duke djegur dekoratën “Pishtar i Demokracisë”, akorduar nga Presidenti i dikurshëm dhe Kryeministri i sotshëm. Kjo dekoratë e marrë për të nderuar kontributin e tyre në grevat masive të viteve ‘90 që ndryshuan rrjedhën e fatit politik të vendit, ishte bërë tashmë për këta minatorë një dëshmi e premtimeve të pambajtura, e zhgënjimit të thellë për një sakrificë që ka ngelur pa përgjigje, për një dinjitet të nëpërkëmbur.

Në deklaratën që shpjegonte këtë akt, ata kërkonin ndjesë. Ndiheshin në faj që kishin sakrifikuar aq shumë, për të vënë forcën vendimmarrëse në duart e atyre që më vonë do ju merrnin nga duart gjithçka.

Në Shqipërinë e tejmbushur me paradokse dhe absurditete, me ironi të thella dhe të dhimbshme, me pishtarë fizikë dhe metafizikë që digjen dhe që rrezikojnë të shpërthejnë nga çasti në çast, djegia në mënyrë protestuese e një medaljeje demokracie nga disa minatorë në grevë, ka mundësi të anashkalohet.

Sepse ndihemi të gjithë të rraskapitur dhe ndoshta imunë ndaj dhimbjes, protestës dhe rezistencës. Kjo është për të ardhur keq!

Greva e viteve ‘90 ku u ngujuan për herë të parë këta minatorë, bëhej në rrethana të tjera. E megjithatë reagimi i qytetarëve, duke e njohur kauzën e drejtë, bëri që kjo grevë të ishte një ndër mekanizmat vepruese të suksesshme që përmbysën një ndër sistemet më totalitare në kontinent.

Në fund të dekadës së parë të mijëvjeçarit të ri, e njëjta popullatë, megjithëse me shumë më tepër mjete komunikimi, ndihet e mpirë politikisht dhe nuk mund të bëjë asgjë veçse të numërojë ditët e mbetura nga autoritarizmi tragjik. Ironi fatale prej atij që duhet të ishte bashkudhëtari i luftëtarëve të lirisë.

Medalja “Pishtar i Demokracisë” do të thotë shumë për punëtorët që e ngrysin ditën në errësirën e galerive të nëndheut. Shpresa-dritë në fund të tunelit për ta nuk është metafora e radhës. Nuk e kuptojnë se si pikërisht qeveria demokratike të cilën e sollën në jetë, një ditë do të ishte qëllimisht e shurdhër dhe e verbër ndaj problemeve që ata kanë, do të përcillte me një indiferencë dhe arrogancë të ulët vdekjet e përjavshme në gropat e ferrit në Bulqizë, do të vazhdonte të firmoste kontrata dhe koncesione vdekjeprurëse.

Heqja dorë nga kjo medalje në mënyrë demonstrative, është një akt i hidhur për ta. Por e djeshmja, mbi të gjitha, është një ditë me simbolikë të hidhur për Kryeministrin. Refuzimi me përbuzje i flamurit të një beteje për të cilën ai me kohë është hequr si komandant - atë të demokracisë - është caku i tij. E tillë është edhe dhimbja e atyre që dikur ishin bashkëluftëtarët e një kauze fisnike dhe sot shohin te ai shkakun e vuajtjes, skamjes dhe dëshpërimit.

Sot ai pishtar i demokracisë ndizet për të shuar pikërisht aureolat e një figure që mëtoi të ishte një ndër personazhet më të rëndësishme të ndërrimit të sistemit komunist. Sot pishtari i demokracisë digjet për të shkrumbuar kotësinë e bëmave pa lidership, pa vizion dhe së fundi pa humanizëm. Kamerat që filmuan, në fakt dokumentuan një moment historik.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›