E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gërdeci, një nocion i ri politik

Nuk ka dyshim se shpërthimi i tmerrshëm i Gërdecit dhe ploja që ai krijoi erdhën pas një fitili të gjatë shëtitës, i gatshëm të ndizej çdokund. Korrupsioni është padiskutim përçuesi i zjarrit nëpër këtë fitil. Deri para se të shpërthente fabrika e municioneve në Gërdec, disa zyrtarë ishin arrestuar për korrupsion. Sigurisht, jo një numër domethënës për luftën ndaj korrupsionit, por një numër shkatërrues për të kuptuar se në ç’gjendje është korrupsioni. Zëvendësministri i Transporteve dhe Drejtori i Përgjithshëm i Rrugëve u arrestua për vjedhje në tendera. Ajo që vihej re, ishte kthjelltësisht babëzi dhe qëllimshmëri për të vjedhur. Këta zyrtarë nuk kishin lënë tender, sado i madh apo i vogël që të ishte ai, pa bërë pazar. Sekretari i Përgjithshëm i Ministrisë së Punës po ashtu u arrestua për vjedhje tenderash dhe në përgjimet e publikuara kishte një fjali të llahtarshme të këtij zyrtari. Ai iu thoshte ortakëve: “Or zotëri, unë me këtë gjë ndërtoj jetën time.” Pra, i vetmi qëllim ishte tenderi i vjedhur dhe kjo ishte mënyra për të ndërtuar jetën. Ish-drejtori i KESH, sipas një raporti të Departamentit të Antikorrupsionit në Kryeministri, importonte energji dhe derdhte ujin nga hidrocentralet e vendit në periudhën janar-mars 2006. Shpërdorimi ishte 7,5 milionë euro. Vetëm katër ditë më herët, vajza në klasë të parë (shkolla “1 Maji”), më kërkoi të shkoja te posta për të marrë paratë e librave, sepse i kishte njoftuar mësuesja. Ministri i Arsimit, Genc Pollo, pasi i ka fyer prindërit, duke i lënë në radhë pa cak në verë, tani, kur viti shkollor po mbaron, thotë se do të kthehen paratë e librave. Në fakt, prindërit nuk kanë as fatura e as pulla dhe sigurisht që nuk do të marrin asnjë lek. Për librin shkollor tenderi ishte 3 milionë euro. Ky ministër që nuk lë rast pa nxjerrë zëdhënëset të hedhin poshtë çdo deklaratë të sekretares së PS për Arsimin, Ledi Shkreli, nuk i nxjerr zëdhënëset t’iu thonë prindërve të shkojnë të marrin paratë e librave. Ky ministër që nxjerr paprerë njoftime shtypi, duke fyer gazetarët e duke i quajtur ‘Çukistë’ (fjalori shqip nuk e ka këtë fjalë, ndoshta e ka huajtur nga livadhi atypari), nuk njofton prindërit për paratë. Nuk i njofton, se në rastin më fatlum ka mashtruar. Ministri i Shëndetësisë thotë se në shëndetësi futet 6% e prodhimit kombëtar, duke nënkuptuar se 2,5% janë të buxhetit dhe mbi 3% janë ryshfete. Pra, ky ministër pohon se në shëndetësi vjedhja është: 3 % shumëzim 10 miliardë dollarë GDP = 300 milionë dollarë. Kësaj mendësie i ka dhënë kreshpërim si ky i Gërdecit drejtori i spitalit të Elbasanit, që në një editorial tek e përditshmja “Panorama” disa kohë më parë shkruante se “shqiptarët janë popull i civilizuar dhe e kanë kuptuar se mjekët nuk mund të punojnë me ato paga të ulëta, prandaj dhe japin ryshfet”. Ky drejtor i tmerrshëm spitali thoshte - për paralele, çfarë lemerie - se “në restorantet në SHBA klientët paguajnë bakshish, sepse kamerierët s’marrin paga dhe pagimi i bakshishit është detyrim.” “Shënohet në “bill”-et edhe vlera e bakshishit”, - thoshte drejtori, duke treguar kësisoj se dinte edhe anglisht. Këta zyrtarë dëshmojnë vetëm për një mendësi dhe një tipologji gjerësisht të përhapur.

Më saktë do të ishte të thuhej se entitete të caktuara të qeverisjes janë grabitur nga kjo mendësi dhe tipologji. Kjo ka ndodhur, sepse ato janë mbushur me drejtues dhe ministra që nuk jetojnë me politikën, por jetojnë për politikën. Është e dëshmuar nga studiuesit më influentë të shkencave sociale që korrupsioni ndërpret lidhjet me politikën, kur vendimmarrës janë politikanë profesionistë që jetojnë me politikën dhe janë përfaqësues. Maks Veber, më i padiskutueshmi ndër sociologët, e ka thënë qartë këtë gjë. Ai thotë se politikanët profesionistë që jetojnë me politikën dhe janë përfaqësues e kanë të natyrshme të pranojnë të kënaqen me pasuri të zakonshme personale dhe mund t’i kthejnë politikës pastërti. Në këto vija argumenton edhe Jean-Noël Jeanneney, thuajse me të njëjtën gjuhë. Thelbi i Gërdecit këtu është fshehur. Ministri i Shëndetësisë, ai i Arsimit, i Mbrojtjes, drejtori i Rrugëve, ish-drejtori KESH, zëvendësministri i Rrugëve dhe mjaft e mjaft të tjerë, të cilët po e mbysin këtë vend, po mbysin edhe shumicën në parlament, edhe opozitën, edhe qeverinë, nuk janë politikanë që e kanë këtë profesion, që jetojnë me të, por jetojnë prej saj dhe për të. Më kryesorja, ata nuk përfaqësojnë asgjë. T’i marrësh veçmas këta soj zyrtarësh e qeveritarësh e të gjesh te këta njerëzit që jetojnë për politikën dhe që përfaqësojnë grupe qytetarësh, do të ishte tmerr. Ata prandaj nuk përfaqësojnë qytetarë dhe grupe shoqërore, sepse nuk janë politikanë profesionistë dhe mezi presin të marrin një post që të jetojnë për të dhe prej tij. Ky është qëllimi i fundmë dhe madje sublim i tyre. Gërdeci ishte rrëmet i madh dhe erdhi prej kësaj politike dhe prej këtij përfaqësimi mjeran. Gërdeci tashmë është një nocion politik që nënkupton mospërfaqësimin dhe përdorimin e politikës si mjet jetese. Prokuroria ka lëndë plot për të vepruar, por qeveria ka më shumë. Duhet përfaqësimi. Duhen qytetarët. Korrupsioni ka për shkaqe kudo qeverisjen e keqe, ligjin flu, mungesën e gjyqësorit të paepshëm, transparencën dhe mediat e korruptuara. E qartë është se Gërdeci nuk ndodhi nga mediat, as se ligji e lejoi me gjithë turbullirën, as se gjyqësori e favorizoi me gjithë zabullinë e vet. Gërdeci, për fat të keq shumë i kobshëm, u rrit politikisht me mjetet e saj.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›