E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bursa e Tiranës fillimisht do të çelet me 20 kompani

Në Shqipëri, bursa e Tiranës nuk funksionon në mënyrë zyrtare dhe biznesi i shet aksionet në treg të zi. Ekspertët në Autoritetin e Mbikëqyrjes Financiare thonë, se tregu i kapitaleve (bursa), mbetet ende pjesa më e pazhvilluar e tregut të letrave me vlerë në Shqipëri. Pas ligjit të ri që pritet të miratohet shpjet nga parlamenti, 25 kompani shqiptare do të listohen të parat në bursën e Tiranës. Në fakt, sipas vlerësimeve, këto janë kompanitë e vetme që plotësojnë edhe kushtet për t’u listuar në bursë. Në këtë grup kompanish, pjesën më të madhe e zënë kompani shtetërore. Rritja e kërkesës për investime nga sektori privat dhe shtetëror kërkon fillimin e menjëhershëm në procesin e zhvillimit të tregut të kapitaleve. Ndërkohë që ashtu si në çdo sektor, vendet e rajonit janë shumë më përpara edhe në drejtim të tregut të aksioneve. Maqedonia ka bursë dhe realizon një volum të konsiderueshëm shitjesh, me plot 60 kompani të listuara. Treg aktiv kapitalesh ka edhe Serbia dhe Mali i Zi. Në vendet më të zhvilluara bursat janë krijuar që në shekullin e XVIII, ndërsa Shqipëria vazhdon të jetë një histori krejt tjetër, i vetmi vend në Evropë pa një bursë aktive. Në fakt, bursa si institucion dhe e plotësuar nga ana ligjore ekziston, por nuk i ushtron funksionet e veta. Bursa e Tiranës (TSE) është e para bursë e krijuar në Shqipëri. Ajo është krijuar fillimisht si departament i Bankës së Shqipërisë, me qëllimin për ta shkëputur atë pas një periudhë tranzitore disavjeçare. Ligji i ri i bursës parasheh që autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare të jetë institucioni që licencon dhe mbikëqyr tregjet e letrave me vlerë. Ai njofton se, në qendër të projektligjit të ri qëndron organizimi i bursës dhe kushteve të saj, ku do të mundësohet tregtimi i titujve. Specialistët thonë se, sipas këtij projektligji, në tregtimin në burse marrin pjesë shoqëritë komisionere, të cilat janë anëtare të bursës. Anëtarësimi në bursë bëhet në përputhje me kushtet e anëtarësisë, të përcaktuara në një rregullore të posaçme. Kjo e fundit pranon si anëtare të vetën çdo shoqëri komisionere, të licencuar nga AMF dhe që plotëson kushtet e anëtarësisë. Bursa me rregullore miraton kushtet e regjistrimit të titujve nga kuotimet, si dhe kushtet e listimit, rregullore të cilat miratohen nga Autoriteti. Kuotimi është tregtimi i titujve në sesionet e tregtimit në burse. Listimi është regjistrimi në listën zyrtare të burses dhe nuk përfshin kuotimin e titujve. Burime nga ky institucion bënë të ditur, se ligji i ri do të vendosë rregull në tregtimin e letrave me vlerë dhe aksionet në firmat private, si dhe parashikon të drejten e shoqërive aksionere për të marrë pjesë në bursë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›