Tendenca vetëshkatërruese brenda shoqërisë
Nga shpallja e pavarësisë e deri në fillim të viteve ‘20, Shqipëria pati disa qeveri, por vështirë të thuash se kishim shtet. Qeveritë nuk e kontrollonin të gjithë vendin dhe konfliktet e tyre me tribu të caktuara ishin diçka e kuptueshme.
Me daljen në skenë të Ahmet Zogut, gjërat ndryshuan për mirë. Fatkeqësisht, deri më 1939.
Më pas, bazat e shtetit të hedhura nga Zogu ua lehtësuan barrën e pushtetit pasardhësve të tij, por interesat e kombit morën rrokullimën. Shkelmin e parë ua dha pushtimi fashist, mandej lufta civile që komunistët i imponuan shoqërisë.
Mbarimi i Luftës së Dytë Botërore për Shqipërinë rezultoi fatal, pushtimi komunist u kujdes t’i ndrydhte vlerat demokratike dhe gjithë të tjerat që burojnë prej tyre. Trashëgiminë kombëtare më të çmuar nuk e la të përcillej në breza.
Gjithçka që u ndërtua në Shqipëri gjatë regjimit komunist i shërbente vetëm një grupi të ngushtë njerëzish dhe ishte kundër interesave kombëtare. Rezultati nuk ka nevojë për koment, mjaft të kujtojmë ku ndodhej ekonomia, politika dhe kultura shqiptare në vitin 1991, krahasuar me vendet e tjera të rajonit dhe kontinentit.
Megjithatë, politika vetëshkatërruese nuk u ndal këtu. Edhe pas kaq vitesh demokraci, për shkak të mentalitetit komunist që një pjesë e shoqërisë shqiptare thuajse e trashëgon gjenetikisht, shoqëria jonë hedh një hap para e dy mbrapa, apo diçka të përafërt.
Në vitet ‘90-‘91, Shqipëria i përjetoi ato që quhen procese demokratike në mënyrë shumë sipërfaqësore. Disa ditë protesta të studentëve, lejimi i pluralizmit politik, liberalizimi i mediave, lirimi i të burgosurve politikë, dhe kaq. Si pasojë e prapambetjes, centralizimit të shoqërisë, demokracia shqiptare rezultoi një foshnje anemike, e cila nuk e ka fituar ende shëndetin normal, krahasuar me moshataret në rajon.
Historia nuk nisi aty ku u ndal – prona dhe shqiptarizma.
Toka bujqësore u nda me reformë agrare alla komuniste. Dyqanet dhe magazinat iu dhanë njerëzve që punonin në to, të cilët në të shumtën e rasteve ishin ose bashkëpunëtorë të Sigurimit, ose njerëz të verbër të Partisë së Punës. Pas shumicës së kapitalistëve më të mëdhenj shqiptarë, po të rrëmosh, zbulon marrëdhëniet e dyshimta të tyre me regjimin komunist. Ndërsa politikanët, mendimtarët dhe shkrimtarët antikomunistë – që për 50 vjet u ndaluan – ende nuk kanë zënë vendin që meritojnë në vëmendjen e shoqërisë së sotme.
Për këto arsye, politika shqiptare do të vazhdojë të gjenerojë energji vetëshkatërruese. Ajo që sot e quajmë të ligjshme, është e ngritur mbi një krim që nuk do ta lërë të qetë shoqërinë, në qoftë se ajo nuk do të bëjë pastrimin e ndërgjegjes.
Shikoni ku jemi katandisur: dje, një televizion dhe një gazetë trumbetonin me të madhe si abuzim të qeverisë shqiptare (ata i referoheshin si qeveria “Berisha”), faktin që në dy vitet e fundit fitimet nga eksporti i materialeve ushtarake kanë qenë shumë më të mëdha se në periudhën kur qeverisnin socialistët.
Në asnjë rresht të gazetës dhe asnjë frazë të spikeres nuk u përmend ndonjë parregullsi për tregtinë e materialeve ushtarake. Atëherë, përderisa tregtia nuk ka qenë e paligjshme – në raport me ligjet tona dhe ato ndërkombëtare, përderisa fitimet janë të deklaruara, përse duhet akuzuar qeveria për këtë arritje?
Përgjigjja është ajo që mund të jepet edhe për ata që nisën luftën civile, edhe për ata që prishën marrëveshjen e Mukjes, edhe për ata që zbatuan Katovicën: dëshira e verbër e grupeve të caktuara për pushtet ua verbon aq shumë arsyen, sa nuk janë në gjendje të pozicionojnë interesat e tyre politike brenda kornizës së interesave kombëtare.
Duke u pozicionuar në ekstremin e së keqes, ata kanë sjellë dhe vazhdojnë të sjellin vetëm kriza.