E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kujt i buzëqeshte Delijorgji në gjykatë?

I akuzuari kryesor për tragjedinë e Gërdecit, Mihal Delijorgji, u shfaq para kamerave me një buzëqeshje cinike ditën e arrestit në gjykatë, thua se ishte ndalur për ndonjë aksident me makinë. Në buzëqeshjen e tij cinike, përveç dimensionit të papërgjegjshmërisë dhe brutalitetit të një të përkëdheluri të shtetit, dukej se fshihej një kod mafioz për ato gjëra që njerëzit nuk dinë si janë zhvilluar pas kësaj historie. Duke qenë në qendër të të gjitha historive të errëta të bizneseve të ushtrisë shqiptare, së paku nga viti 2000 e këtej, ai po anashkalohet nga politika dhe s’po e përmend askush. Nuk e përmendin opozitarët, pasi shumë prej tyre, që nga kreu e deri tek ish-kryeministra, e kanë pas në krye të tavolinave dhjetëra herë, duke bërë të njëjtën histori të pistë si kjo që ka bërë ish-ministri Mediu, vetëm se zoti ka qenë me ta dhe s’iu ka ndodhur ndonjë hata që të zbulohej e vërteta. Anashkalimi i Delijorgjit dhe partnerëve të tij politikë dhe jopolitikë është një mënyrë që e vërteta të varroset. Shumë opozitarë të frikësuar nga buzëqeshja e tij në gjykatë, përditë e më shumë po ngrenë zërin për të shpallur kryefajtor Sali Berishën. Kjo është një mënyrë e mirë që historia të varroset dhe Delijorgji, kur ta kemi harruar të gjithë, të jetë diku jashtë burgut. Duke ngritur stekën te Sali Berisha, në të vërtetë është gjetur mekanizmi sesi të shpëtojnë prej Delijorgjit dhe lidhjeve të tij private me ta. Jam i sigurt se po të zbardhte prokuroria tabulatet e telefonit celular të Delijorgjit, mund të dalin shumë figura të larta të politikës shqiptare, që mund të kenë folur nga dhjetë herë në ditë me të, përveç Sali Berishës. Ai ka pasur bashkëpunëtorët e vet në këtë histori, ka pasur sekserët e tij dhe ortakët e tij. Kjo mënyrë e të shmangurit të tij nga epiqendra e tragjedisë, është një mënyrë për të hedhur tym mbi rrënojat e një historie të errët shumëvjeçare të korrupsionit në Shqipëri. Delijorgji ka mundur t’i mbijetojë dy blloqeve politike me pará. Ai nuk i është mirënjohës asnjë politikani dhe as ndonjë oborrtari politikani, pasi ai ka paguar për të qenë ai që ishte. Atij askush nuk i ka bërë punë pa pará dhe ai pret që tashmë këta njerëz t’i gjenden në krah. Shumica e tyre, të frikësuar nga ky borxh, ose po heshtin, ose po sulmojnë Sali Berishën. Kjo është një ditë e keqe për ta, por mbi të gjitha është një ditë e pandershme, pasi, siç thuhet në këto raste, “kanë shitur shpirtin” për një grusht pará. (Më lejohet të perifrazoj kryeministrin Berisha).

Detaji i dytë i shpërndarjes se përgjegjësisë po shfaqet te portreti i ish-ministrit të Mbrojtjes. Ka dy ditë që zinxhiri i ngjarjeve të tragjedisë së Gërdecit është fokusuar te polemikat publike mes Shtabit të Përgjithshëm dhe ish-ministrit Mediu mbi anashkalimin e Shtabit të Përgjithshëm nga vendimmarrja për projektin e Gërdecit. Sqarimet publike të Shtabit të Përgjithshëm dhe kundërpërgjigjet e zbehta të zëdhënëses së Mediut janë histori që nuk iu interesojnë shumë qytetarëve. Kjo histori tragjike si çdo krim ka dy pika ku duhet të fokusohet vëmendja, së pari, te personi që e ka prodhuar këtë histori dhe te motivet që e kanë shtyrë atë. Gjithë zinxhiri i përgjegjësve që vijnë pas është më pak i rëndësishëm. Nga mënyra sesi po zbulohen publikisht ngjarjet, shihet qartë se ka një spontanitet që shpesh humbet intensitetin e zbulimit të ngjarjeve. Deri më tani është e provuar publikisht se prodhues i kësaj historie është Fatmir Mediu, ministri i Mbrojtjes dhe motivi është përpjekje e pastër për të përfituar miliona nga puna e paligjshme dhe shoqërisht e rrezikshme. Gjithë lista e bashkëpunëtorëve të detyruar apo vullnetarë në këtë histori kriminale është histori e dorës së dytë. Kjo histori nis me një ide të qartë të ish-ministrit Meidu për ta përdorur ofertën e Delijorgjit për qëllime përfitimi dhe këtu mbyllet polemika për fajtorin kryesor. Polemikat e Shtabit të Përgjithshëm, dijenisë apo jo të presidentit, kryeministrit apo institucioneve të tjera janë përgjegjësi të dorës së dytë. Ajo që është e pakundërshtueshme është se ministri i Mbrojtjes e ka menduar projektin, ka tentuar ta bëjë atë, duke përdorur qeverinë, pastaj e ka zbatuar, duke përdorur strukturat e ministrisë së tij. Pra, ai është një person i ndërgjegjshëm për atë që ka bërë. Se kush është përzier rrugës në këtë histori pastaj është çështje inkriminimi, por jo çështje thelbësore për hetim. Thelbësore është se në kokën e ish-ministrit të Mbrojtjes ka ekzistuar një projekt korruptiv dhe ai ka mundur ta vërë në zbatim, duke i kaluar gjithë pengesat shtetërore dhe po të mos kish shpërthyer Gërdeci, kurrë s’do të ishte marrë vesh. Hetimet, të cilat po shpërndahen në dhjetëra pista, në të vërtetë duhet të fokusohen këtu, te zanafilla dhe motivi i këtij projekti kriminal. Të tjerët janë thjesht përgjegjës. Prodhuesi i kësaj ngjarjeje është fajtor.

Që kjo histori të zbardhet deri në fund, duhet të ruhen linjat klasike të hetimit, që nisin me ideimin e krimit dhe motivin e tij. Nëse kjo linjë shmanget, atëherë të gjithë si idiotë do të rrimë të vrasim mendjen, përse nuk nxinte, por qeshte Delijorgji, ndërsa doli para gjykatësve.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›