"Gërdeci", shtyhet sërish dhënia e pretencës për 29 të pandehurit

Odisea e procesit të stërzgjatur të çështjes Gërdeci vijon ende. Edhe në seancën e sotme Gjykata e Tiranës ka shtyrë dhënien e pretencës për 29 të pandehurit e tragjedisë të Gërdecit, ndërsa leximi do të vazhdojë ditën e hënë në orën 09:00. Seanca e djeshme u shty për shkak të mungesës masive të avokatëve mbrojtës si dhe 22 të pandehurve.
Prokurorët reaguan ashpër duke e cilësuar mungesën e avokatëve si tentativë për zvarritjen e mëtejshme të procesit. Po në të njëjtin qëndrim kanë qenë edhe familjarët e viktimave të Gërdecit të cilët janë shprehur se drejtësia nuk duhet penguar nga bllokimi që bëjnë avokatët.
Në seancën e ditës së hënë prokurorët arritën të lexojnë vetëm 136 faqe, ku u shtjelluan me detaje si u ideua dhe u organizua ngritja e Gërdecit dhe më pas shpërthimi.
Seanca u ndërpre pas përfundimit të kohës fizike ndërsa ditën e enjte parashikohej të vijohej me leximin e dokumentit voluminoz i cili pëbëhet nga 500 faqe.
Në bankën e të akuzuarve janë 29 të pandehur për shpërthimin tragjik në fabrikën e demontimit në gërdec ku humbëj jetën 26 persona dhe u plagosën më shumë së 300 të tjerë.