NATO dhe BE mbështesin KFOR-in
NATO dhe Bashkimi Evropian janë duke ndjekur situatën në veri dhe kërkojnë nga të gjithë qytetarët që të ruajnë qetësinë dhe të bashkëpunojnë, e jo të konfrontohen me përfaqësuesit ndërkombëtarë në Kosovë.
Zyrtarët e NATO-s ka thënë se Këshilli i NATO së dhe sekretari i përgjithshëm Anders Fogh Rasmussen i kanë dhënë mbështetje të plotë komandantit të KFOR-it për të implementuar mandatin që përfshin edhe sigurimin e lëvizjes së lirë në tërë territorin e Kosovës.
Ata rikujtojnë se komandanti i KFOR-it, gjenerali Erhard Drews, ka bërë të gjitha përpjekjet që situata të zgjidhet në mënyrë të qetë dhe me dialog, ndërsa veprimet e fundit për heqjen e barrikadave të vendosura nga serbët e rebeluar i kanë quajtur të duhura dhe në mandatin që ka si mision nga NATO.
Maja Kocijancic, zëdhënëse e shefes së diplomacisë evropianem, Catherine Ashton, ka thënë se veprimet për heqjen e barrikadave janë me qëllim lëvizjen e lirë, që është një ndër parimet e Bashkimit Evropian.
Ajo, ka konfirmuar se me këtë operacion KFOR-i ka rol udhëheqës, ndërsa EULEX-i mbështet misionin ushtarak.
Në anën tjetër, shefi i misionit të BE-së në Serbi, Vincent Deger, ka përjashtuar mundësinë e “negociimit” lidhur me kushtet e parashtruara nga serbët në veri të Kosovës për heqjen e barrikadave.
Në një intervistë dhënë gazetës beogradase “Blic”, ai ka shfaqur shpresën se autoritetet e Serbisë do t`i bindin qytetarët serbë në veri të Kosovës që t`i heqin barrikadat, duke theksuar se në deklaratën e serbëve lidhur me heqjen e barrikadave nuk shihet “vullneti për gjetjen e një zgjidhjeje realiste” të situatës së krijuar.