Gërdeci, tregtia me jetët tona
Politika shqiptare prej muajsh është kapluar nga ethet e NATO-manisë, duke kërkuar me ngulm një ftesë për anëtarësimin e vendit në Aleancë. Por ndërsa ftesa është bërë promotori i paqes politike dhe shpejtimit të kursit të reformave demokratike, vendi nuk është as një vend i sigurt në kufijtë minimalë. Masakra e djeshme në zemër të zonës më të banuar dhe më të industrializuar të vendit, segmentit Tiranë-Durrës tregoi se ky vend po ngrihet me mund dhe sakrifica mbi një tokë të minuar. Fshatit Gërdec, afër Vorës, do t’i duhet shumë kohë dhe mund për t’u ringritur, qindra të mbijetuarve do t’u duhet shumë kohë t’i rikthehen jetës normale dhe siguria në vend tani nuk mund të quhet se ekziston. Shqipëria është një tokë që mund të kthehet në një varr masiv, qoftë edhe nga një gabim i thjeshtë njerëzor apo teknik. Po shteti?
Pak orë para se të ndodhte masakra e mesditës së 15 marsit, qeveria e Shqipërisë, nëpërmjet ministrit që ka në axhendë fushatën lobiste për anëtarësimin e vendit në NATO, deklaronte se vendi ka mbi 100 mijë tonë municione dhe eksplozivë që rrezikojnë jetën e shqiptarëve në mbarë territorin. Është kjo qeveri që ka detyrën dhe ekskluzivitetin, për të përdorur qindra-milionë dollarët e dhënë nga donatorët e huaj, për të çminuar këtë tokë të mbarsur me depo-bomba që mund të shpërthejnë nga çasti në çast. Është kjo qeveri, që ka në varësi edhe shoqërinë tregtare të armatimeve dhe municioneve që ka trashëguar vendi nga koha komuniste. Kjo ndërmarrje shtetërore (MEICO), është ajo që menaxhon dhjetëra-milionë dollarët e fituar nga tregtia me armët dhe municionet në vend.
Baza e Gërdecit, ku ndodhi dje masakra, ishte njëra prej atyre dhjetërave ku kjo ndërmarrje shtetërore bën llogaritë e biznesit qindra-milionë dollarësh. E ndërtuar në zemër të një qendre të mbipopulluar, pranë qindra bizneseve që i japin fytyrën kapitalizmit shqiptar, shumë afër Aeroportit të vetëm Ndërkombëtar të vendit. Qeveria e Shqipërisë, Ministria e Mbrojtjes, dhe ata që punojnë për ta, dje, në vend të mesazheve ngushëlluese dhe solidarizuese, duhet të kishin dalë publikisht për të kërkuar falje për këtë masakër njerëzore dhe materiale, dhe pastaj të jepnin dorëheqje kolektive. Sepse, në mënyrë të qëllimshme, ashtu si në shumë aspekte të tjera të menaxhimit të vendit, ligjet dhe vendimet janë shkelur me të dyja këmbët, qëllimisht, duke kërcënuar rëndë sigurinë në vend.
Baza e demilitarizimit në Gërdec, parë në aspektin ligjor dhe procedural, ka shkelur shumë prej pikave të Vendimit Nr.138, datë 14.03.2007, “Për Procedurën e Trajtimit të armëve, teknikës dhe pajisjeve të Forcave të Armatosura, të hequra nga armatimi dhe përdorimi”.
Në pikën 3, të këtij vendimi, thuhet tekstualisht se: “Procedurat e shitjes së municionit për çmontim dhe çmilitarizim, kryhen nga ndërmarrja MEICO, në bazë të kontratave. Në lidhjen e kontratave me subjekte të ndryshme, të mbahen parasysh: përvoja e ofertuesit në fushën e armatim-municioneve, kapacitetet teknike, lloji i teknologjisë së përdorur në procesin e çmilitarizimit e çmontimit, afatet, ndikimi në mjedis, respektimi i masave të sigurisë gjatë procesit të çmilitarizimit e të çmontimit”. Dje, vetëm 6 orë pas tragjedisë, në ekranet televizivë, për të shfajësuar shkeljen e ligjeve, doli një biznesmen që para disa viteve ishte dënuar për evazion fiskal dhe që nuk dihet se si ka hyrë sërish në lojën e tregtisë ushtarake. Doli edhe një drejtor, që thoshte se firma e tij ishte themeluar vetëm një vit më parë. Pak pas masakrës dëshmuan edhe punëtorë që ishin të pa specializuar.
Qeveria mund të vihet në bankën e të akuzuarve për mosveprim, sepse ka patur dijeni për
masakrat që mund të ndodhin në dhjetëra Gërdecë të tjerë, aty ku armatimet janë mbi kokat e mijëra banorëve dhe ministria që ai drejton, nuk ka marrë mundimin t’i largojë.
Avokatët cinikët të qeverisjes mund të fajësojnë sot, ata qindra shqiptarë që ndërtuan strehën e tyre pranë bazës së Gërdecit, duke fshehur qëllimisht krimin e bërjes së parave me jetët e njerëzve.
Kjo qeveri, nëpërmjet dikastereve përkatëse, duhet të kishte vënë në rresht gjithë logjistikën ushtarake për t’i larguar këto bomba masakruese në uzinat që janë të specializuara për këtë mision, si në Mjekës, Poliçan apo në Gramsh. Por në mënyrë paradoksale, kriminale dhe të qëllimshme, fabrika e demontimit në Gërdec vijonte të punonte, duke u shndërruar në një bazë të mbledhjes së arsenalit të armatimit dhe municionit të trashëguar nga koha komuniste.
Arsyeja? Të paktën njëra prej tyre (të tjera do ketë me siguri në ditët që vijnë) është shumë e thjeshtë. Municionet e riambalazhuara, të destinuara për t’u shitur për eksport, prej aty e kishin shumë të shkurtër rrugën për t’u imbarkuar në avionët që nisen nga aeroporti ndërkombëtar “Nënë Tereza”. Porta ku bëhet tregtia me jetët e shqiptarëve...