Të qeverisësh në eufori...
Presioni i perëndimorëve ndaj administratës dhe politikës shqiptare - me sens korrigjimin, ndryshimin - është i vazhdueshëm, konstant. Kështu, edhe raporti më i fundit i Departamentit Amerikan të Shtetit, sikundër dokumentet e tjera të BE-së, konstaton disa përparime, por e vë theksin tek problemet e mbetura pezull. Këto probleme janë trajtuar disa herë nga partnerët Euro-Atlantikë; përgjithësisht, trokitjet kanë qenë në derë të mbyllur. Në vend të modestisë për të pranuar problemet dhe mosarritjet, qeveria shqiptare dhe institucione të tjera përqark saj, e gjejnë veten më mirë në njëlloj euforie pa sens. Duke u mbajtur fort vetëm pas fjalëve të mira dhe toneve inkurajuese, qeveritarët e këtij vendi bëjnë lojë të dyfishtë: Nga njëra anë, krijojnë alibinë e sukseseve dhe arritjeve të mëdha; nga ana tjetër, iu lënë të kuptojnë partnerëve se (jo për faj të tyre) ndryshimet në këtë vend janë tepër të vështira. (Edhe kjo gjithashtu një lloj alibie.) Kjo lojë është tepruar tashmë; perëndimorët kërkojnë rezultate konkrete, fjalëve nuk iu besojnë më. Ashtu siç pritej, një nga problemet kryesore që nënvizoheshin në këtë raport të fundit të DASH, ishte sërish ai i kthimit dhe kompensimit të pronave të konfiskuara gjatë regjimit komunist. Për vitin 2007 dhe 2008, thuhet në raport, buxheti i përcaktuar nga qeveria për kompensimin e pronës është 11 milionë dollarë. Njëkohësisht, në raport nënvizohet se kostoja totale për kompensimin e pronarëve në mbarë vendin vlerësohet 3.5 miliardë dollarë(!) Kjo temë e rëndësishme, gjithashtu është trajtuar në vazhdimësi nga partnerët evropianë, kur është shkruar e zeza mbi të bardhën: “Reforma të thella në të gjitha fushat, një rritje e shpejtë ekonomike, respekt për institucionet e pavarura, kthim të pronave të konfiskuara gjatë regjimit komunist, respektim të mediave dhe të pakicave...”. Në vështrimin e Komisionerit për Zgjerimin, Olli Rehn, Shqipëria dhe Mali i Zi kanë nevojë të dëshmojnë me rezultate zbatimin e Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit me Bashkimin Evropian. (“Për të përshpejtuar përparimin e Ballkanit Perëndimor në rrugën drejt Bashkimit Evropian”.) Temën e pronave, më e pakta në aspektin e frenimit të investimeve të huaja, e ka rimarrë këto ditë edhe kreu i shtetit, z.Bamir Topi. Me sa duket, problemi në fjalë qenka i destinuar vetëm të ngjallë polemika; përtej tyre, me gjithë presionet nga jashtë dhe nga brenda, rezultatet mbeten minimale.
Antikorrupsioni është termi tjetër i keqpërdorur e në emër të të cilit erdhi në pushtet koalicioni i ashtuquajtur i djathtë. Zhurma e këtyre viteve të fundit, nuk ka mjaftuar për t’ua mbushur mendjen partnerëve se Shqipëria po e vë nën kontroll korrupsionin. Nuk kanë mjaftuar gjithashtu as përbetimet e vazhdueshme të Kryeministrit, z. Sali Berisha, për “tolerancë zero”; në raportin e DASH, korrupsioni konsiderohet pengesë madhore ndaj reformave domethënëse. Treguesit botërorë të qeverisjes të Bankës Botërore, thuhet aty më tej, pasqyronin që korrupsioni ishte një problem serioz. Parë në prizmin e demokratizimit të instrumenteve që sigurojnë demokracinë, zgjedhjet mbeten pjesë e rëndësishme e përlyerjes dhe e korruptimit politik. Zgjedhjet, (është fjala për ato vendore), cilësohen në raportin e DASH të organizuara dobët, si dhe në rregulla e rregullore të pavolitshme. Vëzhguesit e OSBE-së, përsërit raporti, deklaruan se zgjedhjet i përmbushën vetëm pjesërisht standardet ndërkombëtare. Në të njëjtën tonalitet bien edhe kambanat e drejtuesve më të lartë të Bashkimit Evropian. Komisioneri për Zgjerimin në BE, Olli Rehn, tërheq vëmendjen si më poshtë: “Shqipëria ka gjithashtu nevojë të sigurojë që zgjedhjet do të plotësojnë standardet ndërkombëtare dhe do të forcojë shtetin ligjor, si dhe efektshmërinë e luftës kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar”. (“Për të përshpejtuar përparimin e Ballkanit Perëndimor në rrugën drejt Bashkimit Evropian”.) Këto konstatime e këto këshillime, vijnë në një kohë kur reforma zgjedhore ka hyrë (pothuaj) në një rrugë pa krye: partitë politike janë ndarë në kampe - të mëdhenj e të vegjël(!) - dhe nuk po respektohet Komisioni Parlamentar, më së fundi as institucioni i dialogut. Është e qartë se nuk ka vend për eufori dhe kokëfortësi; përkundrazi, për administratën dhe për politikën në tërësi, shtrohet me urgjencë detyra për t’u ballafaquar më së fundi me të vërtetën.
Rezultatet (më pak se) modeste të qeverisjes së sotme, pasqyrohen sidomos në vlerat e paqena dhe në mungesën e theksuar të dimensionit social. Emisarët e BE-së, herë pas here kanë tërhequr vëmendjen për pushimet masive, politike nga puna, për mirëpërdorimin e ndihmave financiare, etj. Edhe Raporti i DASH ndalet posaçërisht në ndjeshmëritë e pakta për minimumet e jetesës. Paga kombëtare minimale, cilësohet atje, ishte 169 dollarë (14.000 lekë) në muaj; jo e mjaftueshme për të siguruar një standard të denjë jetese për një punëtor dhe familjen e tij. Duke marrë në sy përqindjen e lartë të papunësisë, rritjen e pakontrolluar të çmimeve, etj., panorama e varfërisë bëhet edhe më e kthjellët. Duhet të kujtojmë se në disa nga qarqet e vendit, shifrat janë më shumë se alarmante. Në Qarkun e Kukësit, bie fjala, me ndihmë sociale trajtohen aktualisht rreth 71 për qind e familjeve dhe vlerësohet se ato janë familje ne nevojë. Kjo vjen edhe për shkak të ritmeve të ulëta të rritjes ekonomike, që në vitet e fundit, aty vlerësohen 2-3 për qind; (Konferenca Rajonale “Mundësitë dhe potencialet për një zhvillim të qëndrueshëm” - Kukës, 3 mars 2008). Varfëria dhe pabarazitë duhen parë në sy. Mirëpo raportet e perëndimorëve shpeshherë janë përkthyer në mënyra të ndryshme; (edhe pse “refreni” i tyre është i njëjtë dhe i qartë). Më e dukshme mbetet një gjë: Sensi inkurajues i partnerëve, nga politikanët dhe shtetarët shqiptarë konsiderohet dhe përdoret si kapital politik. Kjo është jo vetëm e pandershme, por edhe në kundërshtim të plotë me të gjitha parimet e politikë-bërjes moderne. Mund të qeverisësh në mënyrë mesatare, të pakënaqshme, mund të qeverisësh edhe keq; të qeverisësh në eufori, kjo është më e keqja. Më në fund, meqenëse shumë nga njerëzit që i japin tonin politikës dhe ekonomisë në këtë vend, janë këndonjës të zellshëm, po sjellim një ndër ato nënvizimet e habitshme e çapraz të Franc Kafkës: “Nëse një njeri kupton një gjë, nuk mund të përjashtohet që edhe ta keqkuptojë”. (Procesi)