E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gërmia ende e minuar!

Një hapësirë jo fort e madhe që ka mbetur e minuar që nga lufta në parkun e Gërmisë pritet të çminohet gjatë prillit, kanë njoftuar zyrtarët komunalë.
“ FSK-ja ka një ekip të përgatitur në këtë lëmë, dhe tash pas pajisjes me mjete bashkëkohore nga KFOR-i suedez, jemi të gatshëm të fillojmë çminimin”, tha Shemsi Veseli, zëvendësministër në Ministrinë e Forcës së Sigurisë të Kosovës.

Sipas tij, përfundimisht nuk do të ketë më nevojë për frikë e pasiguri të qytetarëve që kanë kaluar nga kjo pjesë.
Pas çminimit , sipas tij, do të fillojë edhe largimi i gërmadhave, të cilën punë do ta bëjë Komuna, shkruan zëri. Rreth asaj nëse ka radioaktivitet në atë pjesë të minuar dhe a ka bërë dikush ndonjë matje, Veseli thotë se edhe kjo do të bëhet shumë shpejt, në kohën kur do të fillojë çminimi nga ekipet e specializuara të FSK-së.

“Edhe matja e radioaktivitetit do të bëhet , falë ndihmës e pajisjeve të KFOR-it suedez, dhe normalisht ekipeve tona “, tha ai. Rreth asaj se pse është dashur të pritet 14 vjet pas bombardimeve për t’u ndërmarrë një nismë e tillë për pastrimin, gjegjësisht çminimin e asaj pjese, ai thotë se FSK ka pasur edhe prioritete tjera.

“ Nuk ka munguar gatishmëria dhe vullneti i FSK-së, për ta çminuar atë pjesë, por kemi pasur prioritete dhe kërkesa tjera për çminim. Sidoqoftë, fatmirësisht në atë pjesë deri më tash nuk ka pasur ndonjë rast që të ketë pësuar kush”, deklaroi ai .

Lidhur me këtë, zëdhënësi komunal Asdren Osaj thotë se Komuna do të jetë e gatshme t’i përgjigjet çdo kërkese të KFOR-it dhe FSK-së me fillimin e çminimit në Parkun e Germisë. Sipas tij, roli i Komunës është që të sigurojë rrugët për transportimin e teknologjisë speciale për çminim dhe pastrim që do ta sjellë KFOR-i suedez në këtë lokacion.

Prishtinasit, sidomos ata që janë vizitues të rregullt të Parkut të Gërmisë, thonë se janë ndjerë të rrezikuar kur kalojnë nga ajo pjesë.
“Çdo ditë dal në Gërmi dhe, me të thënë të drejtën, jam frikësuar mos po hasi në ndonjë mjet shpërthyes që mund të ketë mbetur. Shenjat janë vërejtje e mjaftueshme. Megjithatë, më të rrezikuar ishin fëmijët e shumtë që shihen në Gërmi e të cilët, normalisht se nuk e kanë kujdesin e duhur”, thotë prishtinasi Fatmir Berisha.

E një tjetër, shprehet e habitur pse deri më tash askush nuk ka marrë inciativë që një hapësirë e tillë e vogël të çminohet.
“Aq më shumë që edhe zonë mjaft e frekuentuar. Është e çuditshme si deri tash nuk janë marrë masat për pastrimin e saj “, thotë Shyhrete Krasniqi, të cilën e ka gëzuar lajmi për pastrimin definitiv të kësaj pjese të Gërmisë./Indeksonline/
 

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›