E Shtunë, 31 Tetor 2026

Haradinaj pa konkurrencë në AAK

Ramush Haradinajn vazhdon të jetë i vetmi kandidat i konfirmuar zyrtarisht në garën për kryetarin e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës. Partia e tretë opozitare për nga numri i deputetëve i është nënshtruar procesit zgjedhor të brendshëm në janar të këtij viti.

Koordinatori i zgjedhjeve në AAK, Valon Tolaj, të mërkurën, teksa ka shpjeguar rrjedhën e procesit zgjedhor në këtë parti, ka thënë se e drejta për t’u kandiduar për kryetar mbetet deri në ditën e fundit të zgjedhjeve.

“Në bazë të Statutit dhe Rregullores mbi zgjedhjet e brendshme të AAK-së, procesi i kandidimit për kryetar të partisë është i hapur deri ditën e mbajtjes së Kuvendit Zgjedhor. Deri më tani, edhe pse procesi është ende në fazën e dytë, nuk ka konfirmime zyrtare sa u përket kandidaturave të tjera, përveç të kryetarit aktual të AAK-së, Ramush Haradinaj”, ka thënë ai.

Tolaj ka bërë të ditur se në fund të muajit prill zgjedhjet në AAK do të mbarojnë.

“Faza e parë dhe e dytë e procesit zgjedhor do të përfundojnë më së largu më 10 prill, ndërsa Kuvendi Qendror pritet të mbahet afërsisht në fund të muajit prill, por kjo varet nga vendimi i Kryesisë së AAK-së për caktimin e datës së Kuvendit”, ka thënë ai.

Sipas tij, AAK-ja do të dalë parti më e fuqishme pas zgjedhjeve.

“Tashmë fuqizimi i AAK-së është fakt. Pjesëmarrja masive e qytetarëve dhe anëtarëve të AAK-së në procesin e brendshëm ka qenë një risi që nuk ka ndodhur në proceset e mëhershme zgjedhore. Rikthimi triumfal i kryetarit Ramush Haradinaj dhe pakënaqësitë që ndiejnë qytetarët nga gjendja që kemi sot në Kosovë ka bërë që interesimi i qytetarëve për të qenë pjesë e AAK-së dhe strukturave të saj të jetë shumë i madh”, ka thënë ai. Tolaj ka treguar se deri ku ka shkuar procesi zgjedhor dhe se çfarë punë janë kryer deri më tash.

“Procesi i brendshëm zgjedhor i AAK-së ka qenë i ndarë në tri faza. Faza e parë ka qenë mbajtja e kuvendeve të nëndegëve, faza e dytë është mbajtja e kuvendeve të degëve (Komunave) dhe faza e fundit mbajtja e kuvendit qendror zgjedhor.

Deri më tani në kuadër të fazës së parë janë mbajtur rreth 700 kuvende të nëndegëve apo e shprehur në përqindje rreth 80 % e fazës së parë është përfunduar”, ka thënë ai. “Sa i përket fazës së dytë, atë të mbajtjes së kuvendeve të degëve dhe zgjedhjes së strukturave të tyre, procesi ka përfunduar në këto komuna/degë: Deçan, Gjakovë, Pejë, Vushtrri, Galab, Obiliq, Kaçanik, Hani i Elezit, Junik, Podujevë, Istog dhe Ferizaj. Do të thotë 12 nga gjithsej 34 degë që ka AAK-ja deri më tani e kanë përfunduar procesin e brendshëm zgjedhor”.

Duke u bazuar në nenin13 pika 1 të Rregullores së KQZ-së nr. 01/2008, për regjistrimin dhe veprimin e partive politike, partia politike e regjistruar është e obliguar që të mbajë kuvendin e saj zgjedhor në afat prej gjashtë (6) muaj nga regjistrimi i saj dhe pastaj së paku çdo dyzet e tetë (48) muaj.

Kuvendi i fundit i AAK-së është mbajtur para katër vjetëve, përkatësisht në nëntor të vitit 2008. Ky Kuvend ishte mbajtur pas lirimit të parë të Haradinajt nga Tribunali i Hagës, ndërsa mbahet mend si kuvendi nga i cili AAK-ja pati dalë me statut të ri, dhe ku gjithashtu ishte zyrtarizuar si nënkryetar i parë publicisti Blerim Shala./Indeksonline/
 

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›