E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gërmia, përsëri

Ministria e Punëve të Jashtme organizon edhe sivjet konferencën “Gërmia Hill II”. Aty pritet të marrin pjesë emra të njohur të diplomacisë botërore. Sipas Zëvendësministrit të Punëve të Jashtme, Petrit Selimi, konferenca synohet të jetë një pikë e përhershme në kalendarin diplomatik të Europës.

Sikurse vitin e kaluar, edhe sivjet Ministria e Punëve të Jashtme ka vendosur të thërrasë diplomatë, gazetarë e udhëheqës të shteteve të ndryshme për të marrë pjesë në konferencën e dytë “Gërmia Hill”. Kjo konferencë do të mbahet prej 8 deri 10 nëntor në Prishtinë.

Zëvendësministri i Punëve të Jashtme, Petrit Selimi, ka sqaruar se qëllimi i konferencës do të jetë identifikimi i strategjive të reja për njohje dhe përfshirjen e Kosovës në debatin diplomatik.

“Gërmia Hill filloi vitin e kaluar si një koncept dhe nevojë e identifikuar nga strategjia për njohje, duke marrë parasysh që Kosova me vite të tëra ka dështuar t’i mbledhë në Prishtinë të gjithë miqtë e Kosovës dhe të bëhet pjesë e dialogut ndërkombëtar diplomatik”, ka thënë Selimi për Express, të mërkurën.

Vitin e kaluar ishin më shumë se njëqind diplomatë, gazetarë dhe udhëheqës të shteteve të ndryshme që e kanë ndihmuar Kosovën. Disa prej mysafirëve kanë qenë edhe zyrtarë të shteteve që nuk e kanë njohur Kosovën.

Tash, Selimi thotë se në kudër të temave do të jetë edhe ajo për raportet transatlantike.

“Sivjet një numër i madh i mysafirëve të rinj po vijnë për herë të parë dhe do të diskutojmë pak edhe se cila do të jetë qasja e re amerikane në marrëdhëniet trans-atlantike. Një qëllim tjetër është të sigurojmë vizita nga diplomatë dhe përfaqësues të shteteve që nuk na kanë njohur, sepse është më lehtë të arrihet kjo në forume multilaterale se vizita enkas për Kosovën”, ka shtuar ai.

Ky zyrtar i MPJ’së nuk ka dashur të komentojë akuzat e partive opozitare se Ministria e Jashtme po organizon konferenca sikur të ishte një OJQ.

“Nuk isha marrë me ish-Ministrin. Ai për tri vite rresht ka dështuar të shpenzojë 60% të buxhetit të planifikuar, duke lënë fusha të tëra të veprimit diplomatik të pambuluara për shkak të mungesës së kapaciteteve dhe menaxhimit”, ka thënë ai.

Ai ka thënë se kanë gjetur mbështetje te përfaqësuesit e BE’së që janë në Kosovë.

“Është një formulë mysafirësh që përcaktohet nga Këshilli Europian për Punë të Jashtme, të cilin e kemi edhe parter kryesor në implementim. Kjo është organizata kryesore europiane e politikave të jashtme dhe jemi krenarë se po arrijmë të bëjmë Gërmia Hill si një pikë permanente në kalendarin diplomatik europian”.

Ndryshe, ai ka komentuar edhe procesin zgjedhor që ka nisur në PDK. Ka thënë se nuk pajtohet me disa prej krerëve të PDK’së, të cilët i kanë quajtur prurjet e reja në Qeveri dhe PDK si parashutistë.

“Parashutist nuk jam sepse kam arsim, edukatë familjare dhe rezultate të punës që janë vlerësuar dhe në bazë të tyre edhe kam fituar pozitën që e bëj”, ka shtuar ai.

Selimi ka thënë se nuk është duke u marrë shumë me zgjedhjet brenda partiake, pasi thotë se nuk ka ambicie të jetë në strukturat e larta partiake.

“Besoj se PDK është parti e konceptit “tendë e madhe”, ku definohen role dhe pozitat sipas meritës, profesionalizmit të treguar dhe konceptit ideologjik. Kam besim se ky proces zgjedhor në PDK do të krijojë një platformë për pasurim dhe spikatje të agjendës sonë politike të qendrës së djathtë.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›