Projektligji për investimet e huaja nuk kalon

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Hajredin Kuçi ka prezantuar Projektligjin për investimet e huaja, duke thënë se parashikon trajtim të barabartë për investitorët e huaj.
“Të krijoj kushte me të mira dhe mundësi më të mëdha që investitorët të investojnë në Kosovë dhe janë qartësuar çështjet juridike”, ka thënë Kuçi.
Grupi Parlamentar i PDK-së e ka përkrahur miratimin e projektligjit, ndërkohë Grupi Parlamentar i LDK-së ka kërkuar që të kthehet ligji, pasi që konsideron se nuk i përmbushë kushtet.
Ndërkaq Lëvizja Vetëvendosje konsideron se ky projektligj flet vetëm për interesin e mbrojtjes dhe investimeve të huaja dhe jo ato vendore.
Pas një debati mes grupeve parlamentare, projektligji nuk arriti që të marr votat e mjaftueshme për të kaluar në lexim të dytë.
Më pas është miratuar në lexim të parë Projektligji për Avokaturën Shtetërore, ndërkohë Projektligjit për organet qeveritare për shoqërinë e informacionit është hequr nga rendit i ditës.
Pas puazës seanca do të vazhdoj punimet me shqyrtimin e Projektligjit për Agjencinë e Regjistrimit Civil, shqyrtimi e Raportit vjetor të Auditimit për vitin 2011 dhe Ratifikimin e Vendimit të Qeverisë së Republikës së Kosovës për themelimin e Universitetit të Prizrenit dhe të Universitetit të Pejës.
Gjithashtu, do të jetë në rend ditës edhe shqyrtimi i Propozim-vendimit të Ministrisë së Drejtësisë për formimin e Komisionit për dhënien e provimit të Jurisprudencës dhe shqyrtimi i Rekomandimit të Komisionit për Legjislacion lidhur me emërimin e anëtarëve të Këshillit për Ndihmë Juridike Falas.
Ligjvënësit do të shqyrtojnë katër projektligje
Në mbledhjen e sotme plenare të Kuvendit të Kosovës, ligjvënësit do të shqyrtojnë për herë të parë: Projektligjin për investimet e huaja, Projektligjin për Avokaturën Shtetërore, si dhe Projektligjin për Agjencinë e Regjistrimit Civil.
Për herë të dytë, ndërkaq, do të shqyrtohet Projektligji për organet qeveritare për shoqërinë e informacionit.
Në vazhdim të seancës do të shqyrtohet Raporti vjetori Auditimit për vitin 2011, kurse do të ratifikohet Vendimi i Qeverisë së Republikës së Kosovës për themelimin e Universitetit të Prizrenit dhe të Universitetit të Pejës.
Do të shqyrtohet edhe Propozim-vendimi i Ministrisë së Drejtësisë për formimin e Komisionit për dhënien e provimit të Jurisprudencës, si dhe Rekomandimi i Komisionit për Legjislacion lidhur me emërimin e anëtarëve të Këshillit për Ndihmë Juridike Falas.