E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gërshërët e Berishës

 

“Më është ndryshkur pena”, thoshte kryeministri Sali Berisha, tre ditë më parë. Por nuk i është ndryshkur gërshëra. Pret shirita pa hesap, anembanë vendit, edhe për ato punë ku qeveria e tij nuk ka asnjë punë dhe nuk ka hedhur kokërr leku. Rekordi u shënua dje, kur zyra e shtypit e Kryeministrisë mbushi njoftimet e ditës, me shtatë përurimet e Berishës në rrethin e Fierit, në kuadrin e turrit “Shqipëria në NATO”.

Preu shiritin e Ujësjellësit në Cakran, rrugën në fshatin Drizë. Aty përuroi fillimin e punës edhe për shkollën e re dhe premtoi se do të vijë sërish pas 50 ditëve, kur të presë shiritin e ndërtimit të shkollës. Preu shiritin e përfundimit të punimeve në rrugën Fier-Kthesë e Patosit, përfundimin e punimeve për shkollën “Kristaq Shtëmbari” në Fier, Ujësjellësin e fshatrave Shën Pjetër dhe Grykë, në komunën Topojë; inauguroi Qendrën Komunitare në Seman dhe Ujësjellësin e komunës Dermenas.

Inspektim në autostradën Fier-Vlorë, gjatë së cilës Kryeministri kërkoi nga sipërmarrësit që brenda muajit maj të vitit 2009 duhet të përfundojnë dy nga katër korsitë, për të lehtësuar sa më shumë trafikun në këtë arterie të rëndësishme të jugut të vendit.

Në fund të turrit, Berisha kërkoi edhe një shirit tjetër për të përuruar autostradën Fier-Vlorë, por njëri prej ndihmësve u tha se gjysma e rrugës, ishalla mbaron në verën e vitit tjetër, sepse ajo qepet dhe shqepet, nga cilësia e dobët. Është ajo rruga që prej tre vitesh po masakron udhëtarët që vejevijnë për në Vlorë dhe që lusnin Zotin që të paktën këtë verë të hapej njëri krah. Por nuk është e thënë!

Pasdite, në adresë të “Spiunit” erdhi një ankesë nga Pogradeci. Letra shumë e shkurtër, thoshte: “Jemi shumë të revoltuar me kryeministrin Berisha, për shiritin që preu më 16 maj në lagjen tonë. Ai shirit për rrugën disa dhjetëra metra, nuk është investim i qeverisë, por i të zotit të hotelit, i cili ishte shumë i interesuar që të rregullonte rrugën për të thithur klientët, ndaj dhe bëri çmos që rruga të shtrohej. Ndaj i lutemi Kryeministrit, të na kthejë shiritin që preu, se e inaugurojmë vetë”.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›