E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kartat e Nishanit

 

Ka një ndodhi qesharake, nga e cila e pësuan ata mijëra qytetarë që i futën paratë e tyre të mbledhura me gjak dhe djersë, tek piramida e Sudes. Në fund të vitit 1996, një grup gazetarësh shkojnë te shtëpia e ish-punonjëses të Fabrikës së Këpucëve, e cila falë kohës së rrumpallës kur Berisha ishte president, kishte arritur të mblidhte mbi 60 milionë dollarë. Gazetarët, mes të cilëve edhe “Spiuni”, shtangën kur panë se gruaja që premtonte 50 për qind interes dhe që kishte mbetur, ishte një gjë e vockël dhe që ishte mpakur edhe më shumë nga frika, sepse pallati i vjetër ishte rrethuar nga dhjetëra policë, shikas dhe qindra njerëz të dëshpëruar që kërkonin kthimin e lekëve të futur te thesi i Sudes.

Gazetarët i bënë shumë pyetje Sudes, e cila nuk dinte as të shkruante. I bënë edhe pyetjen që bënte gjithë populli kredidhënës: “Kur do t’i japësh paratë?”. Sudja, duke u dridhur përsëriste: “Më 18 janar do t’i jap, ju betohem!”. -Mirë, me 18 janar, po të cilit vit?-ngulmonin gazetarët.- Më 18 janar,- premtonte Sudja. Kështu edhe me kartat e identitetit. Dje opozita i kërkoi llogari Ministrisë së Brendshme pse po vonohet qëllimisht projekti për Regjistrin Elektronik dhe prodhimi i kartave të identitetit për zgjedhjet parlamentare të verës 2009. Por Ministria është e vendosur, ashtu si Sudja, të thotë se do t’i bëjë kartat e identitetit. Po kur? Me anë të zëdhënësit, ministria që drejtohet nga Bujar Nishani përsëriti dje se: “Shqiptarët në vitin 2009 do të kenë dokumentin e tyre të identifikimit”, (shih www.moi.gov.al). Viti 2009 përfundon në 31 dhjetor, ndërsa zgjedhjet mendohen të bëhen ndoshta në qershor.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›