Pranga gjimnazistëve, vodhën magazinën e bashkëfshatarit
Devoll- Dy gjimnazistë përfundojnë në pranga pasi janë kapur duke vjedhur një magazinë, ndërsa dyshohen dhe për 5 vjedhje të tjera në fshatin e tyre. Arrestimi i adoleshentëve, të dy nxënës në vitin e dytë, ka ndodhur gjatë natës së të enjtes, ndërsa aventura e tyre e vjedhjeve është mbyllur në magazinën e një bashkëfshatari të tyre. Duke iu referuar burimeve të policisë mësohet se ngjarja është regjistruar në fshatin Menkulas në rrethin e Devollit. «K.H. 17-vjeçar, bashkë me shokun e tij të ngushtë E.H. kanë pasur si shënjestër të vjedhjes së tyre magazinën e bashkëfshatarit Destan Dangëllia»- thanë burimet policore. Gjimnazistët e vitit të tretë në gjimnazin e Mirasit në rrethin e Devollit, në bashkëpunim me njeri-tjetrin kanë hyrë në magazinën e Dangëllisë, në të cilën gjendeshin vegla të shumta mekanike, për të vjedhur një xhunto mekanike, materiale hekuri, si dhe disa objekte të tjera metalike. Këto objekte të dy adoleshentët do t’i shisnin tek grumbulluesit e hekurit. Gjimnazistët i ka tradhtuar pesha e rëndë e objekteve të vjedhura, të cilat kanë nisur me vështirësi t’i largojnë nga vendi ku kanë kryer dhe vjedhjen. Policia, e cila ka marrë informacion për ngjarjen, ka nisur hetimet, ndërsa për të nuk ka qenë e vështirë të zbulonte autorët e kësaj vjedhjeje, pasi nuk kishin shkuar shumë larg bashkë me mjetet mekanike. Menjëherë të dy adoleshentët kanë përfunduar në pranga, ndërsa akuzohen për veprën penale të vjedhjes në bashkëpunim. Policia e komisariatit të Devollit ka nisur hetimet për të zbuluar edhe 5 vjedhjet e tjera të ndodhura në fshatin Menkulas, ndërkohë që dyshohet se të rinjtë, nxënës në vitin e dytë të gjimnazit të jenë autorë të tyre.