E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vlorë, 3 vjet burg ish- kreut të arsimit

 

Vlorë-Tre vjet heqje lirie, së bashku me ndëshkim në masën 1 milion lekë të reja, në formë gjobe. Ky ka qenë vendimi i Gjykatës së Faktit, dhënë ndaj ish- kreut të arsimit në rreth, Kozma Leka. Seancat e gjykimit kanë përfunduar dje, ku Kozma Leka akuzohet për veprën penale të korrupsionit pasiv. Kreu i arsimit, u arrestua një vit më parë në flagrance, teksa mori një sasi parash prej 100 mijë lekësh të reja. Dje gjykata e rrethit të Vlorës ka dhënë vendimin e saj, duke e cilësuar fajtor Kozma Lekën për veprën penale të korrupsionit pasiv. Përveç dënimit që duhet të vuajë dhe gjobës, ish- kreu i arsimit në Vlorë do të penalizohet me dënimin shtesë pas përfundimit të burgut. Gjykata i hoqi të drejtën e ushtrimit të funksioneve publike për një periudhë tre vjeçare, duke e cilësuar si person me rrezikshmëri shoqërore.

Akuza kishte kërkuar deklarimin fajtor të Lekës dhe dhënien e dënimit me 5 vjet burg, 2 milionë lekë gjobë dhe 5 vjet heqjen e së drejtës për të ushtruar funksione publike, por gjykata e uli shkallën e dënimit. Mësohet se Kozma Leka do të apelojë menjëherë vendimin e gjykatës së shkallës së parë në Apel, pasi ai dhe avokati mbrojtës i tij i kërkuan gjykatës pafajësinë. Deri në një gjykim në shkallë të dytë Leka do të qëndrojë në burg. Ndërkaq, një seancë më parë, avokati i Lekës dhe vetë i arrestuari në fjalën përpara trupit gjykues kërkuan pafajësinë nga gjykata, duke e cilësuar veprimin e mësueses, që tentoi t’i jepte lekë për një vend pune, të stimuluar nga segmente të caktuar kundër tij, por edhe tendenciozë. «Njerëz të pakënaqur kanë përgatitur gjithë atmosferën për këtë, ndërsa janë shkelur një sërë nenesh e të drejtash. Unë jam i pafajshëm»,- tha Leka, duke iu referuar edhe vetë deklaratës së mësueses, që e gjitha ishte një kurth ndaj tij. Po kështu Leka e ka quajtur të padrejtë arrestimin dhe mbajtjen e tij në pranga. Prangosja e Lekës daton gati një vit më parë, kur një nga mësueset me kontratë në një nga shkollat rurale, i kishte kërkuar të punonte si definitive kundrejt një vlere financiare. Mëngjesin e 20 korrikut 2007, mësuesja T. Sh, e ndjekur nga efektivë të policisë të veshur civilë, i është drejtuar zyrës së drejtorit të arsimores për të bërë pagesën prej 100 mijë lekësh të reja, e cila do t’i siguronte asaj një vend pune të qëndrueshëm në arsim. Por menjëherë kur ka nxjerrë lekët e i ka lënë mbi tryezë, efektivë të policisë kanë behur në zyrën e Lekës, duke i vënë atij prangat dhe komunikuar pas kësaj akuzën e korrupsionit pasiv.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›