Gerti Bogdani: Edi Rama po prezanton kandidatët që e kanë kapur me afera dhe dosje penale

Deputeti i PD Gerti Bogdani akuzon Fidel Yllin dhe Valentina Leskajn për pastrim parash
Partia Demokratike sulmoi kreun e opozitës Edi Rama duke deklaruar se ka mbi një muaj që Z. Rama deklaron në media kandidatët që e kanë kapur; e kanë kapur me para, e kanë kapur me afera, e kanë kapur me dosje penale, e kanë kapur me shërbime politike. Deputeti demokrat, Gerti Bogdani u shpreh gjatë një deklarate për shtyp se, “ka mbi një muaj që z. Rama i prezanton shqiptarëve fytyrën që nuk duhet të ketë grupi parlamentar i PS-së, por që do ta ketë se Rama është i kapur”. “Ky nuk është zakon i ri i Ramës, dhe nuk ka pse të habisë njeri. Me të njëjtën formë ai i ka dhuruar Kuvendit që është sot, “Rilindas” me emër në biznesin e pisët dhe ne lidhjet me krimin. Nuk duhet shumë të gërmosh për të ilustruar faktet. Këtë periudhë Kuvendi ka qenë në procedurë shqyrtimi për deputetin Fidel Ylli dhe shumë shpejt kanë dalë në dritë, skemat që Fideli i partisë ka përdorur për të anashkaluar ligjin, për të kamufluar bizneset, pse jo për të pastruar para. Përpara se z. Rama dhe z. Fidel t’u kërkojnë votat shqiptarëve do ishte mirë të sqaronin p.sh: Çfarë domethënie ligjore kanë kontratat e shumta me të cilat Fidel Ylli ka “dhuruar” aksione në kompanitë e përbashkëta me deputeten Valentina Leskaj dhe ka marrë “dhuratë” apartamente pa fund nga deputetja, përveç se për të mos paguar taksat ndaj shtetit? Çfarë domethënie ligjore ka mos deklarimi i kompanisë “Trustee investment group” në deklaratën vjetore të vitit 2009, përveçse fshehje pasurie? Çfarë domethënie ligjore ka aktiviteti i kësaj kompanie vetëm me blerje pasurish të paluajtshme në shuma të mëdha, pa prodhuar asgjë, pa ndërtuar asgjë, pa shitur asgjë, përveçse ngritje në këmbë të mekanizmit të pastrimit të parave? Çfarë domethënie ligjore ka dalja nga kompania në fjalë dhe rifutja e saj në harkun e dy viteve, kur vlera aktiveve të shoqërisë është rritur me shumëfish përveçse, qëllimit për tu pasuruar në mënyrë ilegale? Së fundi nëse praktika e “biznesit” të rilindësit Fidel të z. Rama është vetëm ajo e fshehjes së pasurive, mos deklarimit të tyre, mos pagimit të taksave dhe e pastrimit të parave, atëherë mandatin e deputetit, Rama e Fideli i tij, mos vallë e duan që të legjitimojnë “ biznesin e pisët” dhe pisllëkun ta kthejnë në ligj? Mos vallë Rama e do deputetin Fidel, si shëmbëlltyra e tij, se fsheh pasurinë si e fsheh Rama, se pasurohet si pasurohet Rama. Ramën e Fidelin nuk i bashkon ideali. I bashkojnë lejet e ndërtimit dhe biznesi i pisët me to. - Kjo nuk është rilindje, kjo është përçudnim".
...