Qeveria miraton marrëveshjen ndërmjet Republikës së Shqipërisë, Republikës së Greqisë dhe Republikës së Italisë, për projektin për gazsjellësin TAP
Këshilli i Ministrave miratoi sot projektligjin për ratifikimin e marrëveshje, trilaterale ndërmjet Republikës së Shqipërisë, Republikës së Greqisë dhe Republikës së Italisë për projektin për gazsjellësin Trans Adriatik (Projekti TAP). Projektligji u prezantua në mbledhjen e qeverisë nga Kryeministri Berisha, për të cilën u shpreh se zbatimi i këtij projekti përbën për Shqipërinë, zbatimin e projektit më madhor në historinë e saj dhe me ndikim më të fuqishëm në zhvillimin ekonomik të vendit.
“Ky projekt përbën për qytetarët shqiptarë , për çdo familje shqiptare një ulje të qartë të kostos së jetesës apo të shpenzimeve që ato bëjnë sot për ngrohje dhe gatim. Përbën një mundësi tjetër të re të madhe për Shqipërinë superfuqi energjetike në Rajon. Një burim tjetër të fuqishëm energjie për Shqipërinë vend me zhvillim të shpejtë dhe me rritje të madhe të kërkesave për energji. Projekti TAP përbën gjithashtu në vetvete një nivel të ri marrëdhëniesh ekonomike, por jo vetëm ekonomike dhe më shumë”, - theksoi Kryeministri Berisha.
Kryeministri Berisha u shpreh se kjo marrëveshje, përbën një zhvillim të madh në marrëdhëniet me vendet dhe kompanitë që janë aksionere në Shah Deniz 2.
Më tej kryeministri Berisha theksoi se TAP është një projekt transformues dhe ky projekt, që është në krye të listës për vendimin historik që do të merret në muajt që vijnë. Gjithashtu Kryeministri garantoi të gjithë aktorët e mëdhenj të këtij projekti të madh, që Shqipëria si kundër deri më sot do të përmbushë me përpikmëri të gjitha detyrimet që rrjedhin nga kjo marrëveshje dhe zbatimi i këtij projekti, transformues për vendin tonë.