E Diel, 1 Nëntor 2026

Gerti Bogdani, rizgjidhet zv/President i IYDU

TIRANE- Kryetar i Forumit Rinor të Partisë Demokratike (FRPD) dhe Deputet i Partisë Demokratike në Parlamentin Shqiptar, Gerti Bogdani u rizgjodh në pozicionin e zv. Presidentit të (IYDU-së), Bashkimi Ndërkombëtar i të Rinjve Demokratë.

Forumi Rinor i Partisë Demkratike bën të ditur sot se, mbi 120 delegatë nga më shumë se 50 vende të botës, përfaqësues të Forumeve Rinore të Qendrës së Djathtë, u mblodhën në Sydney, Australi, për Mbledhjen Vjetore të International Young Democrat Union (IYDU) apo Bashkimi Ndërkombëtar i të Rinjve Demokratë.
Aktiviteti gjatë të cilit u zgjodh edhe Presidenca e re e IYDU u organizua nën kujdesin e Kryetarit të Young Liberals Australia, Michael Van Diesel, dhe ish-Presidentit të IYDU-së, Daniel Walther.

I njëjti burim bën me dije se në përfundim të punimeve të kësaj mbledhje, President i rradhës u zgjodh z. Nicolas Figari nga Forumi Rinor i UDI-së në Kili. Kryetar i Forumit Rinor të Partisë Demokratike (FRPD) dhe Deputet i Partisë Demokratike në Parlamentin Shqiptar, z. Gerti Bogdani u rizgjodh në pozicionin e zv. Presidentit të IYDU-së.

Personalisht z Bogdani e vlerëson zgjedhjen në këtë post dhe konsideron se pjesë më ë rëndësihsme e punës së tij tashmë do jetem konsolidimi i imazhit të Shqipërisë dhe avancimi i perspektivës për integrimin europian.
“Duke konsideruar peshën e madhe të partive të djathta në proçeset vendimmarrëse në kuadër të strukturave të Bashkimin Europian, pjesë e rëndësishme e punës sime do të jetë edhe konsolidimi i mëtejshëm i imazhit të Shqipërisë dhe avancimi i perspektivës së integrimit të plotë të vendit në Bashkimin Europian”, tha Bogdani që duke vlerësuar rolin e jashtëzakonshëm që brezat e rinj lozin dhe do të luajnë në të ardhmen në këtë drejtim, “me këtë rast ftoj të rinjtë shqiptarë që të bëhen pjesë e nismave të IYDU-së dhe Forumit Rinor të Partisë Demokratik!”.

IYDU përbën organizatën rinore të International Deocratic Union (IDU) apo Unionit Ndërkombëtar Demokrat, në të cilin Partia Demokratike e Shqipërisë e përfaqësuar nga Kryeministri Berisha, u anëtarësua me votim unanim më 26 Qershor 2008, gjatë takimit vjetor të organizuar nën drejtimin e Presidentit francez Nicolas Sarkozy.
Si një aleancë globale e forumeve rinore të partive të qendrës së djathtë, vizioni dhe puna e IYDU-së bazohet në promovimin dhe forcimin e parimeve dhe vlerave të demokracisë, të drejtave të njeriut dhe të ekonomisë së tregut.

Themeluesja e kësaj organizate, ish-Kryeministrja Margaret Thatcher, e ka ka përshkruar rolin e IYDU-së si “shumë të rëndësishëm në përçimin, zbatimin dhe forcimin e lirive që kemi dhe të atyre që dëshirojmë të zhvillojmë ende më shumë kudo nëpër botë”.

(d.b/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›